Enes Ibni Malik (r.a.), ka thënë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s.), të thotë:

“Allahu i Madhëruar urdhëron: «Nëse robi Im bën durim kur e sprovoj duke ia verbuar të dy sytë, Unë do t’i jap Xhenetin në këmbim të syve.»”

(Buhari, Merda, 7; shih. Tirmidhi, Zuhd, 58.)

Shpjegime

Edhe në këtë Hadith, na bëhet e ditur një tjetër fatkeqësi, për të cilën nëse bëhet durim do të shpërblehet me Xhenet: Verbimi…

Në hadithe, lidhur me sytë janë përdorur shprehjet “habibe” dhe “kerime”, sepse sytë janë organet më të çmuar të njeriut. Kjo, kuptohet edhe nga fakti se në Hadithin e mëparshëm, Xheneti që Allahu i Madhëruar ia premton besimtarit, i premtohet edhe në këtë Hadith kudsi besimtarit që sprovohet me verbim. Edhe nëse ndërmjet dy gjërave që kanë të njëjtin çmim, nuk ka barasvlefshmëri në aspektin e vlerës, ato patjetër janë të afërta. Për rrjedhojë, në një Hadith të transmetuar nga Bezzari, thuhet:

“Asnjë njeri nuk është goditur nga ndonjë fatkeqësi më e rëndë se humbja e syve, përveç daljes nga feja!” (Mubarekfuri, Tuhfetu’l-ahuzi, VII, 81.)

Në përpjesëtim me vlerën e mirësisë së humbur dhe vështirësisë së durimit në mungesë të saj, shtohet edhe vlera e shpërblimit. Për këtë arsye, në Hadithin tonë bëhet e ditur se, personit që nuk ankohet dhe bën durim edhe pse ka humbur dy sytë, Allahu i Madhëruar do t’i falë Xhenetin. Dhe, meqenëse Xheneti nuk është i lirë, durimi ndaj humbjes së syve, do të thotë të realizosh diçka të vështirë, mbase edhe më të vështirën. Nëse i bëjmë këtij Hadithi një lidhje edhe me Hadithin, “Durim, është ai (që tregohet) në momentin e parë kur përballesh me fatkeqësinë!”, do të kuptohet se durimi që tregohet në momentet e para të humbjes së syve, ka një rëndësi edhe më të madhe. Ndërsa durimi që bëhet më pas për shkak se s’ka më asnjë shpresë, nuk mund të vlerësohet si durim.

Duhet të theksojmë se, përfitimet që kemi në këtë botë në sajë të syve, na lumturojnë pa masë. Mirëpo, dobia prej tyre është e kufizuar me jetën e njeriut. Ndërsa Xheneti që Allahu i Madhëruar ka premtuar se do të japë si çmim, është i pakufishëm. Po ashtu edhe lumturia në të. Prandaj, ky Hadith kudsi, na bën të ditur se shpërblimi më i madh do t’i jepet besimtarit që bën durim në humbjen e syve.

Si përfundim, ky Hadith na jep mesazhin se: “Durimi është zgjidhja e vërtetë për të gjitha dëshpërimet”.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Rëndësia e syve, kuptohet nga fakti se shpërblimi i tyre është Xheneti.
  2. Durimi dhe dorëzimi tek Zoti në mungesë të gjërave të çmuara, i sjell njeriut fitime edhe më të mëdha.
Share.

Leave A Reply