Profeti ynë Muhamedi (a.s.), përpara se t’i vinte shpallja hyjnore për herë të parë, shkonte në shpellën Hira, që gjendet pranë Mekes dhe kalonte aty kohë në vetmi, duke menduar rreth madhështisë së Allahut.

Në mbrëmjen e ditës së hënë të muajit Ramazan, në vitin 610, ai gjendej në shpellën Hira, i drejtuar me gjithë shpirt nga Allahu, kur pikërisht atë­herë meleku më i rëndësishëm, Xhebraili (a.s.), me urdhrin e Allahut, erdhi te Profeti (a.s.) dhe i tha tri herë: “Lexo!” Kur Profeti (a.s.), e pyeti se çfarë të lexonte, meleku i komunikoi atij pesë ajetet e para të sures Alak. Kështu filloi edhe shpallja e Kuranit.

Kur erdhi shpallja hyjnore për herë të parë Profeti (a.s.), ishte dyzet vjeç. Kuptimi i pesë ajeteve të para të sures Alak, që ishin edhe shpallja e parë e Kuranit është si më poshtë:

1– Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka),

2– E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!

3– Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh,

4– I Cili, me anë të penës ia mësoi,

5– Ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.

Me fillimin e shpalljes së Kuranit, Profetit Muhamed (a.s.), iu bë e ditur se ai ishte Profeti (a.s.), i fundit. Kurani u shpall për një periudhë 23 vjeçare, herë-herë në formë ajetesh dhe herë-herë në formë suresh. Të shumtën e he­rëve, ajetet shpalleshin si rezultat i një diskutimi apo një ngjarjeje. Diskutimet dhe ngjarjet për të cilat zbritën edhe ajetet e Kuranit, quhen sebeb-i nuzul.

Ajeti i fundit i shpallur i Kuranit, është ajeti 281 i sures Bekare, kuptimi i të cilës është:

“Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni te Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.”

Share.

Comments are closed.