Kur vinin ajetet e Kuranit, Profeti Muhamed (a.s.), thërriste shkruesit e veçantë që shkruanin ajetet dhe i mësonte ata se në cilën sure dhe në cilin vend duheshin shkruar ajetet e shpallura. Shkruesit i regjistronin ajetet ashtu siç ua diktonte Profeti. Ajetet që zbrisnin, sahabët i lexonin dhe shumë prej tyre edhe i mësonin përmendsh. Kështu që Kurani është ruajtur që në kohën e Profetit (a.s.) edhe duke u shkruar, edhe duke u mësuar përmendësh.
Fletët ku regjistroheshin ajetet nuk u mblodhën kurrë në një libër, kur ishte gjallë Profeti (a.s.), sepse ajetet shpalleshin në mënyrë të vazhduar. Kurani mori fund me zbritjen e ajetit të fundit.
Pas vdekjes së Profetit (a.s.), halifi i zgjedhur nga myslimanët, Ebu Bekri (r.a.) formoi një komision me sahabët më të shquar. Ky komision mblodhi të gjitha fletët ku ishin shkruar ajetet e Kuranit; mblodhën të gjithë ajetet e Kuranit në një libër.
Pikërisht teksti i Kuranit, pasi u mblodhën të gjithë ajetet e shkruara në vende të ndryshme, u quajt Mus’haf.
Gjatë formimit të Mus’hafit suret u vendosën sipas radhës që u kishte mësuar përmendsh Profeti (a.s.), sahabëve. Ky Kuran u ruajt te shtëpia e Ebu Bekrit (r.a.).
Më vonë, gjatë sundimit të halifit të tretë, Osmanit (r.a.), kufijtë e halifatit u zgjeruan. Halifi urdhëroi shumëfishimin e Kuranit, në mënyrë që secila qendër e botës islame të kishte nga një Mus’haf. Kështu, Kurani u ruajt në formën që iu shpall Profetit (a.s.), nga ana e Allahut dhe erdhi në ditët tona pa pësuar asnjë ndryshim në tekst. Kështu do të ruhet deri në Ditën e Kiametit. Kurani që lexojmë ne, është teksti që u mësua përmendsh nga sahabët dhe u shkrua nën kujdesin e Profetit, që u mblodh në një libër nga Ebu Bekri (r.a.), dhe u shumua nga Osmani (r.a.).