- Adhuronin idhujt dhe nxitnin për idhujtari.
- Përveç një numri të vogël besimtarësh, pjesa tjetër e popullit ishin mohues.
- Mohonin ringjalljen dhe Ditën e Llogarisë.
- E përçmonin Nuhun (a.s.) dhe të gjithë besimtarët e tjerë, për shkak se ishin prej shtresave të varfra të vendit.
- Edhe pse Nuhu (a.s.), ishte një person i besueshëm dhe i drejtë, pasi u bë profet, ata e përgënjeshtruan. Madje shkuan deri aty, sa e mundonin dhe ofendonin.
- Megjithëse Allahu u kishte falur mirësi të shumta, ata nuk falënderonin aspak për to.
- Femrat e tyre nuk e njihnin turpin dhe edukatën.
Të gjitha këto, u bën shkaqe të shkatërrimit të atij populli kokëfortë e të pagëdhendur.
Me të vërtetë, mendjemadhësia dhe përbuzja e të varfërve kanë qenë tiparet e përbashkëta të të gjitha kombeve të shkatërruar.
Falënderimi i Nuhut (a.s.)
Nuhu (a.s.), ishte një rob që e falënderonte shumë Zotin e tij. Për këtë arsye, Allahu e bëri atë shembull për të gjithë njerëzimin, duke thënë:
“Ju jeni pasardhës të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun! Ai ka qenë vërtet një rob mirënjohës.” (Isra, 3)
Sipas një transmetimi të Abdullah bin Amr bin el-As (r.a.), i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:
“Ekzistojnë dy virtyte, të cilat te kushdo që të gjenden, Allahu e fut atë njeri midis falënderuesve dhe duruesve: Kush sheh atë që është më lart vetes në çështjet e fesë dhe atë që është më poshtë vetes në çështjet e kësaj bote, duke e falënderuar Allahun për mirësitë që i ka dhënë, Allahu e shkruan atë si falënderues dhe durimtar.” (Tirmidhi, Kijamet, 59.)
Me të vërtetë që, Nuhu (a.s.), në çdo gjë, nga ngrënia, pirja e gjer te rrobat që vishte, në çdo veprim të tij, vazhdimisht falënderonte Allahun. Ngrënien dhe veshjen i fillonte me “Bismil-lah” dhe i përfundonte me “Elhamdulil-lah”. Kjo, sepse falënderimi është fjala që thotë dhe sjellja që tregon njeriu me gëzim ndaj Allahut për të mirat që i ka dhuruar.
Serijjus Sakati thotë: “Nëse një njeriu i jepet një e mirë dhe nuk shpreh falënderimin për të, ajo e mirë i hiqet prej dore!”
Ndërsa Allahu i Madhëruar, urdhëron kështu në Kuran:
لَئِن شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ ۖ وَلَئِن كَفَرْتُمْ إِنَّ عَذَابِي لَشَدِيدٌ
“Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.” (Ibrahim, 7)
Cilësitë dalluese të Nuhut (a.s.)
- Megjithëse Nuhu (a.s.), jetoi shumë vite midis popullit të tij idhujtar dhe ata e përgënjeshtruan, ai nuk hoqi dorë nga shërbimi ndaj tyre.
- Përkundër gjithë atyre mundimeve dhe vuajtjeve që i dha populli i tij, Nuhu (a.s.), i duroi dhe falënderoi për gjendjen e vet 950 vjet.
- Nuhu (a.s.), ishte një rob që kërkonte shumë falje dhe kthehej menjëherë prej gabimit.
- Që prej kohës së Nuhut (a.s.), u zhvillua dhe përparoi edhe më tepër lundrimi në det dhe përfitimi prej tij.
Nuhu (a.s.), jetoi deri në vitin që mbaroi tufani. Ai ishte një profet, i cili me durimin dhe tolerancën e pashoqe që tregoi për 950 vjet ndaj idhujtarisë, mohimit dhe padrejtësive të popullit të vet, u bë shembull për të gjithë njerëzit që do të vinin pas tij. Pra, trashëgimia më e bukur që na ka ngelur prej këtij profeti të madh të Allahut, është durimi i tij i pashoq.