Nureddin Jëlldëz

Tregimet në lidhje me profetët që Libri ynë i shenjtë, Kurani, na i ka vendosur përpara, kurrë nuk janë imagjinatë. Ato janë të dhëna më të vërteta se këto që po ndodhin në ditët e sotme. Ato histori i shohim si shembull për ne dhe për brezat tanë që do vijnë pas nesh. Ato tregime janë shembujt më të bukur të devotshmërisë ndaj Allahut Teala dhe protagonistët e këtyre tregimeve pothuajse jemi ne. Ato ngjarje janë si ngjarjet që po ndodhin edhe në ditët tona, sepse kauza e besimit tonë është e njëjtë me kauzën e besimit të atyre. Edhe e ardhmja jonë e bukur, të cilën e shpresojmë, është e njëjta e ardhme. Prandaj, si mund t’i konsiderojmë si imagjinatë këta shembuj që qëndrojnë para nesh? Ato janë të dhënat më të vërteta, më me vend dhe më të mirat për t’u marrë shembull.

Edhe historitë e tjera të njerëzve të devotshëm që Kurani i përmend, janë për ne, në mënyrë që të marrim shembull prej tyre. Edhe ata ishin njerëz si ne. Edhe ata kishin besim siç kemi ne. Edhe ata kishin shpresa siç kemi ne. Të dhënat rreth njerëzve besimtarë, të cilët u hodhën në flakët e gropave të mbushura me zjarre, janë të freskëta sikur të kishin ndodhur sot. Përderisa Kurani të jetë libër i Allahut, që s’ka mundësi të jetë i dikujt tjetër ndonjëherë, edhe ato ngjarje do të jenë të freskëta deri në Kiamet. Sikur ato ngjarje të ndodhnin sot para syve tanë, nuk do t’i shikonim dot kaq të freskëta dhe të drejtpërdrejta. Ngjarja e mijëra njerëzve besimtarë që u hodhën në gropat e zjarrit është një ngjarje e freskët dhe e vërtetë, po aq sa Kurani. Tregimet e Kuranit nuk janë kurrë imagjinatë apo shembuj që i janë dhënë dikujt. Përkundrazi, ato janë të vërteta dhe shembuj për ne.

Besimtarët që u dogjën në ato gropa janë një shembull i vërtetë për ata që e ndjejnë dhimbjen. Libri ynë i mbushur plot me shembuj është përpara nesh. Ai ka shembuj për njerëzit që e shohin veten si besimtarë të zakonshëm dhe për ata që mendojnë se janë të ndryshëm.

Kurani është i yni dhe neve na flet. Të dhënat e tij na drejtohen ne. Aspak nuk është e rëndësishme se sa shekuj më parë ka zbritur, sepse ne e shohim librin tonë sikur të ketë zbritur tani, sikur po na thërret ne dhe sikur po na drejtohet duke përmendur emrin tonë, sepse ne jemi besimtarë, i kemi besuar atij dhe kemi premtuar për të jetuar me të. Kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe kjo është e vërteta.

Edhe shembujt e sahabëve të nderuar, të cilët ishin brezi i mrekullueshëm i kohës në të cilën zbriti Kurani, nuk janë imagjinatë. Ata njerëz të bekuar që fituan pëlqimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), nuk ishin engjëj të zbritur nga qielli. Patjetër se nuk ishin njerëz të krijuar në mënyrë të veçantë. Disa prej tyre ishin njerëz që patën shpëtuar nga bataku i injorancës, disa të tjerë ishin njerëz që shpëtuan nga kultura e shkretëtirës dhe disa të tjerë ishin njerëz të kapur robër nëpër luftëra. Gjithashtu, edhe ata nuk ishin të mbrojtur me lutje të veçantë për ta. Krahas së gjithash, asnjëri prej tyre nuk doli në pah si rezultat i ndonjë mrekullie. Ata lindën në këtë botë si foshnje. U zvarritën nga bataku në batak. Por kur më vonë u takuan me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), ia ditën vlerën. Ata e bënë me sukses çdo gjë që kërkohej prej tyre. Ata arritën ta fshinin të vjetrën dhe të kapeshin pas së resë. Duruan, u përpoqën, nuk u dorëzuan, nuk qëndruan në vendin ku u rrëzuan, por u ngritën në këmbë dhe vazhduan të përparonin. Më së fundi, u bënë brezi me të cilin Allahu Teala ishte i kënaqur. Ata nuk e arritën suksesin me mrekulli dhe lutje, por me sakrifica, entuziazëm dhe sinqeritet. Bënë atë që mund ta bënte njeriu dhe u matën me engjëjt.

Kur t’i marrim për shembull ata, nuk do të shohim krijesa që nuk kapen me dorë dhe nuk shihen me sy. Përkundrazi, do të kemi përpara njerëz si ne. Ata do t’i shohim si njerëz që hanë, pinë, flenë, ecin, qajnë, qeshin, nxehen dhe bëjnë gjynahe, por që pendohen.

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, i cili na i ka vendosur përpara duke thënë: “Shokët e mi!”, nuk na ka zvarritur drejt një maloreje që s’mund të ngjitet. Ai vetëm na ka treguar një brez që formohej nga njerëz si ne, por të cilët e bënin atë që mund të bëhej prej njeriut. Askush nuk mund të shohë ibadetin e tyre dhe të thotë: “Kush ishin ata, e kush jemi ne?” Infaku i tyre nuk ishte deri në ato shifra të pakapshme, që kur ta shohim të themi: “Si mund ta japim atë që kanë dhënë ata?” Kur një besimtar ta shohë përpjekjen e tyre, nuk mund të mendojë se nuk mund të bëhet e njëjta përpjekje. Ata janë shembuj që reflektojnë të vërtetat. Gjithashtu, nuk janë rezultat i ndonjë mrekullie. Medina është aty, edhe ata janë aty. Jeta e tyre është në pah dhe ata shembuj janë në pah. Nëse ne jemi njerëz, edhe ata kanë qenë njerëz. Nëse jemi besimtarë, edhe ata kanë qenë besimtarë. Pasi ta nxjerrim entuziazmin dhe dashurinë e tyre, nuk ngelet ndonjë ndryshim që mund të përbëjë pengesë ndërmjet nesh dhe atyre si njerëz. Mangësia jonë është entuziazmi dhe dashuria, e cila mund të na bëjë ta shohim xhenetin në fund të malit që kemi parasysh. Ai që e arrin atë entuziazëm dhe dashuri, takohet me shembujt e vërtetë dhe e arrin atë që synon.

Kurrë nuk janë imagjinatë.

Mus’ab bin Umejri sikur është këtu. Edhe Jethribi është afër sa fshati im.

Edhe Hamzai është përpara nesh me heshtën në zemrën e tij.

A është e mundur të mos e shikojmë Enesin? Ja ku janë Enesët! Shtëpitë dhe mjedisi ynë është i mbushur plot me ata, apo jo? Si mund të jetë Enesi imagjinatë? Imagjinatë nuk është Enesi, por nënat që nuk mund t’i flijojnë fëmijët e tyre.

Ebu Bekri nuk është imagjinatë as në shpellë dhe as në rrugën e shkretëtirës.

Halidi na qëndron përpara syve.

Si mund të jetë imagjinatë Umeri madhështor?

Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!

As profetët dhe as sahabët nuk janë imagjinatë. Ata janë para syve tanë dhe janë shembuj për ne. Nëse duhet të ketë ndonjë imagjinatë në këtë mes, atëherë, ne mund të jemi imagjinata, nëse e shohim nga aspekti i atyre.

Share.

Leave A Reply