Sadik Dana

Gjuha ka shumë katastrofa. Ngaqë është shumë e vështirë për t’u mbrojtur prej tyre, zgjidhja më e mirë është heshtja sa të jetë e mundur. Atëherë, njeriu nuk duhet të flasë më shumë se ka nevojë. Thuhet se miqtë shumë të afërt të Allahut Teala janë njerëz që flasin, hanë dhe flenë aq sa është e nevojshme.

Allahu i Madhëruar ka thënë:

“S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (en-Nisa, 4/114.)

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, ka thënë:

“Çdo gjë e atij që ruan barkun, nderin dhe gjuhën është e mbrojtur.”

Umeri, radijallahu anhu, ka thënë:

“Kam parë Ebu Bekrin. E kishte kapur gjuhën me gisht dhe e tërhiqte. E pyeta:

“O miku i Resulullahut! Përse e bën këtë?” Ai më tha:

“Ah në sa halle më ka futur kjo mua.”

Transmetohet se në ditën e luftës së Uhudit, një djalë i ri kishte rënë dëshmor. Kur e gjetën, panë se ai kishte lidhur një gurë në bark për shkak të urisë. Nëna e tij ia fshiu pluhurin që kishte në fytyrë dhe i tha:

“Të qoftë për hajër xheneti!”

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, tha:

“Nga e di? Ndoshta ka bërë ndonjë gjë që nuk është e dobishme për të. Apo ka thënë ndonjë fjalë që nuk ka dobi prej saj. Dua të them se çdokush do të merret në llogari për veprën e vet.”

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, tha:

“Lum për atë që i lë fjalët e tepërta për më vonë dhe për atë që i është dhënë shumë pasuri, domethënë, për atë që ia hap grykën qeses dhe e lidh gjuhën!”

Përsëri ka thënë:

“Nuk ka më keq për njeriun se të ketë fjalët e gjata.” Gjithashtu ka thënë:

“Atij që nuk kundërshton kur flet, që nuk nxit hasmëri dhe që nuk thotë fjalë të këqija, i bëjnë një saraj në xhenet. Nëse hesht edhe kur ka të drejtë, i bëjnë një saraj në xhenetin më të lartë.”

Transmetohet nga Malik ibn Enesi, radijallahu anhu:

“Debati nuk është prej fesë. Të gjithë të mëdhenjtë e fesë e kanë ndaluar atë, por, nëse ai që flet ishte njeri që bënte bidate, ia shpjegonin çështjen me Kuran dhe hadithe fisnike pa shfaqur ndaj tij inat, armiqësi dhe pa e zgjatur shumë. Nëse nuk bënte dobi, e linin në hallin e tij.” (Nga Kimjaji Saadet)

Transmetohet se Muadh ibni Xhebel, radijallahu anhu, kishte thënë:

“O i Dërguari i Allahut! Më këshillo!” Pejgamberi, alejhi’s-selam, i tha:

“Mbroje fenë tënde!”

Muadhi, radijallahu anhu, i tha përsëri:

“O i Dërguari i Allahut! Më këshillo!” Pejgamberi, sallallahu alejhi ve sellem, i tha:

“Të pastë nëna o Muadh! Ajo që i fut njerëzit në xhehenem duke i zvarritur me fytyrë për tokë, nuk është gjë tjetër përveç gjuhës së tyre.”

Të urtët kanë thënë:

“Heshtja është stoli e dijetarit dhe mbulim i injorantit.”

Kur i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, e përgëzoi Abdullah bin Selamin me xhenet dhe kur sahabët e pyetën për shkakun e kësaj, Abdullah bin Selami, radijallahu anhu, u tha:

“Nuk flas fjalë boshe dhe nuk mendoj keq për askënd.”

I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, ka thënë:

“A t’ju tregoj për ibadetin më të lehtë?

Të heshtni dhe të jeni të sjellshëm.”

Besimtari duhet të dijë të flasë kur t’i vijë vendi, duhet t’i shpjegojë çështjet e domosdoshme dhe asgjë nuk duhet të ngelet e fshehtë dhe e mbuluar. Nëse fshihen gjërat e dobishme dhe që duhet të thuhen, atëherë ato bëhen shkak për shumë përçarje. Ata që përfitojnë më shumë prej kësaj, janë njerëzit që e kanë fenë e dobët dhe shpirtin e keq. Ata i ngatërrojnë myslimanët me lajme të pavërteta.

Veçanërisht hipokritët, gjithmonë i fshehin çështjet e rëndësishme. Qëllimi i tyre është të bëjnë përçarje dhe të arrijnë shpresat e tyre të liga, sepse kanë marrë pjesë nga morali i “shejtanit që nuk flet”.

Disa nga vëllezërit tanë në fe, për shkak të edukatës që kanë, sillen me qetësi ndaj çdo gjëje që thuhet. Por në një gjendje kur ka konflikt të vërtetë, kategorikisht nuk mund të tundet koka në çështje që ka ndaluar feja. Në të tilla raste është domosdoshmëri të thuhet e vërteta.

 

Share.

Leave A Reply