Xhafer Bekirogllu
Të dashur lexues! Të gjithë duhet ta dimë se miqtë e Zotit kanë thënë: “Shërimi i sëmundjeve shpirtërore, që ia tundojnë zemrën robit dhe që e largojnë atë nga adhurimi ndaj Allahut Teala, është një çështje shumë e rëndësishme që duhet të kryhet në mënyrë absolute. Kjo duhet të vazhdohet deri sa zemra të mos largohet nga Allahu i Madhëruar për shkak të tyre, të mbushet me kënaqësi shpirtërore nga fakti i të qenit mik me Atë dhe të jetë e gëzuar. Sëmundjet për të cilat po flasim, janë katër llojesh:
Lloji i parë: Kjo është çështja e riskut dhe shqetësimet e përpjekjet e tepërta që shfaqen për ta fituar atë. Shërimi i këtij lloji është mbështetja e plotë te Allahu i Madhëruar.
Lloji i dytë: Janë gjërat që vijnë në mendje dhe tentativat në kundërshtim me dispozitat hyjnore për t’i arritur ato gjëra. Shërimi i këtij lloji arrihet vetëm duke i lënë çështjet në dorë të Allahut Teala.
Lloji i tretë: Këto janë gjërat e hidhura dhe fatkeqësitë që na ndodhin. Shërimi i këtyre arrihet vetëm me durim.
Lloji i katërt: Këto janë kazaja e kaderi dhe gjërat e këqija që na ndodhin në forma të ndryshme që ato shfaqen. Shërimi i këtyre arrihet me bindje ndaj Allahut për çdo gjë që vjen prej Tij.
Zemra e robit, që i mbështetet Allahut Teala në çështjen e riskut, që ia lë në dorë Allahut çdo gjë në kohët kur ka frikë apo është e shqetësuar, që shfaq durim ndaj vështirësive dhe që është e kënaqur me caktimin e Zotit, bëhet e pastër dhe arrin qetësinë shpirtërore. Pastaj bëhet një zemër e përsosur dhe arrin çdo gjë që dëshiron. Shërimi dhe ilaçi i këtyre katër lloj sëmundjesh janë këto katër gjëra themelore: Mbështetja te Allahu, lënia e çështjeve në dorë të Allahut, durimi dhe të qenët i kënaqur me caktimin e Zotit (xh.sh.). Secila prej këtyre sëmundjeve është shpjeguar me të gjitha detajet në kreun që flitet për to në Marifetname. Faktikisht, secila prej sëmundjeve që u përmend më sipër, gjithmonë e preokupon zemrën dhe e largon atë çdo çast nga audienca e Allahut të Lartësuar. Sëmundja më e madhe dhe më e vështira prej këtyre është konsideruar shqetësimi për riskun, sepse çështja e riskut është sprovë e madhe për shumicën e njerëzve. Për këtë arsye, e stërmundojnë veten dhe e vështirësojnë jetën. Zemrat e tyre janë të brengosura dhe mendjet të shkujdesura, ngaqë shqetësohen se si do ta fitojnë riskun. Ata kanë hyrë në vështirësi të madhe dhe janë brengosur tej mase në çështjen e sigurimit të riskut. Mendimet u janë prishur, jeta e tyre s’ka begati dhe bota u është ngushtuar.
Shumë prej njerëzve kanë ngelur pa rrugëzgjidhje dhe si rezultat, e kanë lënë adhurimin ndaj Allahut Teala duke u përpjekur për të fituar riskun, kanë shkuar e kanë trokitur në dyert e njerëzve të dhënë pas dynjasë dhe janë bërë shërbëtorë të tyre. Ata janë bërë robër të njerëzve të dobët siç janë edhe vetë dhe kanë rënë në probleme e vështirësi të mëdha, duke u poshtëruar dhe ofenduar në çdo lloj mënyre. Ata rënkojnë në burgun e natyrës së kësaj bote, kanë devijuar në errësirën e neglizhencës dhe u është shkatërruar jeta prej vuajtjeve të pafundme. Më së fundi, janë penduar duke iu drejtuar Allahut Teala, por për shkak të mëkateve të shumta, kanë merituar zjarrin e xhehenemit. Megjithatë, besimtarët që e kanë të hapur syrin e zemrës nuk janë lidhur shumë pas kësaj bote dhe kanë ndjekur rrugën e dijetarëve të ndershëm. Ata kapen pas fesë së Zotit të Botëve dhe mbështeten plotësisht te Ai. Ata nuk kontaktojnë me njerëzit më shumë se ç’është e nevojshme dhe preferojnë vetminë me Zotin e tyre. E kanë lënë shqetësimin për punën e riskut dhe kanë hyrë në botën shpirtërore. Ata i kanë lënë njerëzit e nefsin dhe kanë arritur qetësinë shpirtërore duke pirë eliksirin e dashurisë. Lum për ata që jetojnë duke e mbajtur të gjallë këtë krahasim në mendjet e tyre!