Islami është feja e mirësisë. Kudo që ka shkuar shpirti i Islamit, e ka gjallëruar atë vend dhe në cilëndo zemër që ka hyrë, e ka shndërruar atë në bahçe me lule. Islami i ka sjellë jetës së njeriut një rigjallërim sikur po lind përsëri.
Për shkak se njeriu mysliman është i preokupuar me ato mirësi dhe është pajisur me cilësi të bukura etike si besnikëria, butësia, mëshira, bujaria dhe fisnikëria, ka mbetur i gjallë në çdo periudhë. Ai e kalon jetën e tij në këto mirësi, sepse ai e di se në çdo frymë që merr e jep, jeton në audiencën e Allahut (xh.xh.).
Myslimani është një njeri që i dorëzohet plotësisht Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ai e bën parim për veten hadithin në të cilin Pejgamberi, alejhi’s-selam, ka thënë: “Njeriu më i mirë është ai që u bën dobi njerëzve.” Gjithashtu Resulullahu (s.a.s.), është shprehur se ai që bën shërbim, është i nderuar. Për këtë arsye, myslimani i shërben me këtë dashuri vetes, familjes dhe popullit. Në këtë mënyrë përpiqet të bëhet njeri i dobishëm. Jeta e Figurave të Epokës së Lumturisë ishte e mbushur plot me këta virtyte. Edhe Said ibn Asi (r.a.), ishte njëri prej atyre që i mbarti në jetën e vet këta virtyte.
* * *
Said ibn Asi (r.a.) lindi në vitin kur bëri hixhret i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Në kohën e Osmanit (r.a.), ishte prej atyre që shkruan Kuranin. Gjithashtu ka kryer edhe detyrën e prefektit në Kufe. Pas ngjarjes që i ndodhi Osmanit (r.a.), u tërhoq në vetmi dhe nuk mori pjesë në luftën e Xhemelit dhe Siffinit.
Said ibn Asi (r.a.), ishte shumë sakrifikues dhe bujar. Ai kishte një moral që mund ta shfaqin shumë pak njerëz në çështjen e dhënies në rrugë të Allahut (xh.xh.). Ai nuk mund t’ia pranonte vetes që dikush t’i kërkonte diçka dhe ai të mos i jepte. Saidi (r.a.), nuk e merrte parasysh rregullin: “Bujaria bëhet me atë që posedon.”, por kërkonte borxh dhe ia zgjidhte hallin atij që kishte nevojë.
Për njeriun mund të jetë e lehtë që të japë nga ato që posedon. Por të gjejë borxh për t’i paguar më vonë, në mënyrë që të mos e lërë të privuar nevojtarin, kjo ishte një sakrificë e madhe. Ky ishte një shembull i një bujarie të gjerë. Ja ky është humanizmi!..
* * *
Said ibn Asi (r.a.), i mblidhte vëllezërit ditën e Xhuma dhe u jepte ushqim për të ngrënë. I nderonte dhe i respektonte duke u dhënë dhurata. Kur ishte prefekt në Kufe, u vendoste përpara florinj atyre që falnin namazin e akshamit me xhemat ditën e Xhuma. Për këtë arsye, xhamia e Kufes mbushej plot për namazin e akshamit ditën e Xhuma.
Sa bukur është ta përjetosh Islamin me këtë gëzim si xhemat… Sa lumturi e madhe është ta takosh njeriun me Islamin!..
* * *
Said ibn Asi (r.a.), ndërroi jetë në vitin 59 hixhri. Kur po ndërronte jetë u tha bijve të tij:
“Cili prej jush do ta pranojë amanetin tim?” Djali i madh i tha:
“Unë do ta pranoj.” Saidi (r.a.), i tha:
“Në amanet gjendet edhe borxhi.” Djali e pyeti:
“Sa borxh ke?” Said ibn Asi (r.a.), iu përgjigj:
“Tetëdhjetë mijë.” Ai i tha:
“Ku e ke çuar gjithë këtë borxh, baba?” Saidi (r.a.), iu përgjigj si më poshtë:
“Bir! Unë i kam paguar borxhin dikujt. Pastaj erdhi edhe dikush tjetër, por nuk më tha gjë për nevojën e tij, ngaqë i erdhi turp. Unë e kuptova se edhe ai e kishte një problem. Për këtë arsye, ia kreva nevojën pa i thënë gjë atij.”
Sa virtyt sublim i moralit të Islamit është të qenët largpamës. T’i shërbesh dhe t’ia plotësosh nevojën dikujt pa i thënë gjë atij, është vepër që mund ta bëjnë vetëm besimtarët e përsosur. Kjo sepse besimtari i shikon ngjarjet me dritën e Allahut (xh.sh.). Ja pra, Islami e ndriçon njeriun pikërisht me këtë dritë.
* * *
Babai i Said ibn Asit (r.a.), pati qenë vrarë si mushrik në luftën e Bedrit. Gjyshi i tij, Saidi ishte një njeri aq i respektuar në Mekë, saqë askush s’mund ta lidhte çallmën në formën që e kishte lidhur ai. Edhe ai ndërroi jetë në Taif si politeist. Tre prej bijve të tij, domethënë tre xhaxhallarët e Said ibn Asit (r.a.), Amri, Halidi dhe Ebani patën hyrë në Islam.
Allahu qoftë i kënaqur prej tij!
E lus Allahun Teala që të na bëjë njerëz largpamës, bujarë, altruistë dhe të dobishëm pikërisht si Said ibn Asi (r.a.)! Allahu na bashkoftë me të në xhenet! Amin!