Njeriu është një krijesë e ndershme, sepse njeriu mbart një frymë prej Zotit dhe aftësitë që i ka dhënë Ai. Në esencën e tij gjendet drita e natyrshmërisë, pra, Islami. Për ta mbrojtur atë duhet të luftojë gjithmonë me nefsin dhe shejtanin.

Sahabët e nderuar që njihen si Figurat e Epokës së Lumturisë, janë heronjtë që ia vunë veshin zërit që ndjenin nga brenda dhe u nderuan me Islamin. Ata u bënë udhërrëfyes për njerëzimin duke bërë një ndryshim të madh në jetën e tyre dhe duke ndriçuar si yje. Ngjarjet se si ata janë bënë myslimanë, bindja, dashuria dhe nënshtrimi që kishin ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), trimëria e guximi i tyre përbëjnë shembujt më të shkëlqyer për ne. Ja pra, edhe njëri prej këtyre heronjve besnikë ishte Sa’d ibn Muadhi (r.a.).

Ai u bë mysliman në moshën tridhjetë e një vjeçare. Ndërsa në moshën tridhjetë e shtatë vjeçare u shpërngul në botën e përhershme si dëshmor. Ai u varros në Xhennetu’l-Baki.

Sa’d ibn Muadhi (r.a.), lindi në Medinë në vitin 590 e.s. Atij nuk iu ndalua hemorragjia dhe ra dëshmor për shkak të një shigjete që e goditi përgjatë luftës së Hendekut në vitin 627 e.s. Edhe pse jeta e tij zgjati shumë pak, ishte e mbushur plot me dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ai e kaloi jetë në mënyrë të begatë duke e flijuar pasurinë dhe çdo gjë që kishte në rrugën e Allahut.

Sa’d ibn Muadhi (r.a.), ishte kryetari i fisit Evs. Çfarëdo pozite që kishte Ebu Bekri ndërmjet muhaxhirëve, të njëjtën pozitë kishte edhe ai ndërmjet ensarëve. Llagapi e tij ishte “Ebu Amr”. Në Islam pati hyrë nëpërmjet udhërrëfimit të Mus’ab ibn Umejrit (r.a.). Hyrja e tij në Islam ishte e rëndësishme, sepse i gjithë fisi Evs hyri në Islam së bashku me të. Hyrja e tij në Islam ndodhi siç vijon:

I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, para hixhretit e dërgoi Mus’ab ibn Umejrin (r.a.), si mësues në Jethrib (Medine). Ai filloi ta predikonte Islamin duke mbajtur fjalime fetare në shtëpinë e Es’ad ibn Zarures (r.a.). Mus’abi u lexonte ajete nga Kurani Fisnik dhe ua mësonte ato atyre. Në këtë mënyrë, përpiqej t’i ndriçonte të tjerët me dritën e Islamit. Sa’d ibn Muadhi e dëgjoi këtë. Por për shkak se ishte biri i tezes së Es’adit (r.a.), nuk i tha dot gjë atij. Për këtë arsye, te ata dërgoi Usejjid ibn Hudajrin.

Usejjid ibn Hudajri (r.a.) shkoi te ata dhe tha i zemëruar: “Cili është qëllimi juaj? Ju po mashtroni dhe po inkurajoni disa njerëz të dobët.” Ndërsa Mus’ab ibn Umejri (r.a.), iu përgjigj atij në mënyrë të ëmbël e të butë duke i thënë me mirësjellje: “Ndaloni dhe dëgjoni pak se çfarë po themi.” E uli atë pranë vetes, i shpjegoi Islamin dhe i lexoi një pjesë nga Kurani Fisnik.

Usejjidit (r.a.), i lindi drita e besimit në zemër kundrejt ajeteve të Kuranit Fisnik. Për këtë arsye, pyeti: “Sa gjë e bukur! Çfarë duhet të bëj për të hyrë në këtë fe?” Mus’ab ibn Umejri (r.a.), i foli edhe më shumë për Islamin. Usejjidi tha shehadetin dhe u bë mysliman. Pastaj tha: “Unë po shkoj dhe po ju dërgoj menjëherë Sa’din. Nëse edhe ai bëhet mysliman, atëherë në këtë krahinë nuk mbetet njeri pa e pranuar besimin.” Kështu, u ngrit i gëzuar dhe u largua.

Sa’d ibn Muadhi ishte kryetari i fisit Evs dhe biri i tezes së Es’ad ibn Zurares (r.a.). Edhe Usejjid ibn Hudajri (r.a.), ishte prej të parëve të fisit të tij. Sa’di shkoi gjithë zemërim dhe kërcënoi duke thënë: “O Es’ad! Po të mos kishim lidhje farefisnore, nuk do t’i toleroja këto gjëra që keni futur në fisin tonë.”

Mus’ab ibn Umejri (r.a.), ia ktheu edhe atij me shumë butësi, mirësjellje dhe dinjitet: “Uluni dhe dëgjoni pak. Nëse ju pëlqen, mund ta pranoni. Nëse nuk ju pëlqen, edhe ne do të heqim dorë nga propozimi ynë.” Edhe atij ia shpjegoi Islamin dhe i këndoi një pjesë nga Kurani Fisnik. Akoma pa mbaruar këndimi i Kuranit, Sa’d ibn Muadhit (r.a.), i shkëlqeu në fytyrë drita e Islamit. Për këtë arsye, pyeti: “Çfarë bëni ju për të hyrë në këtë fe?” Mus’ab ibn Umejri (r.a.), ia shpjegoi edhe këtë. Sa’d ibn Muadhi (r.a.), tha shehadetin dhe hyri në Islam.

Sa’d ibn Muadhi (r.a.), iu nënshtrua me një besnikëri të plotë Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Pasi hyri në Islam, u përpoq që çdo punë ta bënte siç duhej. Për sa i përket çështjes së ibadetit, në një libër me titull “Gunie” transmetohet se vetë Sa’di ka thënë:

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të kem falur ndonjë namaz duke sjellë në mendje ndonjërën prej punëve të kësaj bote.”

* * *

Sa’d ibn Muadhi (r.a.), mori pjesë në luftën e Bedrit dhe të Uhudit. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), u gëzua shumë prej fjalimit inkurajues për luftë, emocionues dhe të flaktë që bëri Sa’di ditën e luftës së Bedrit. Trimëria, guximi, heroizmi, nënshtrimi, dashuria, bindja dhe vendosmëria e tij shiheshin shumë qartë në këtë fjalim. Kur Resulullahu (s.a.s.), po konsultohej me sahabët ditën e Bedrit, deshi të merrte edhe mendimin e ensarëve. Për këtë arsye, Sa’d ibn Muadhi (r.a.), u ngrit dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut! Ne të kemi besuar. Gjithashtu kemi besuar se Kurani që ke sjellë nga Zoti (xh.xh.), është i vërtetë. Të kemi dhënë besën për të të ndjekur dhe për të t’u bindur. Andaj vepro si të dëshirosh. Ne jemi bashkë me ty. Për Allahun që të ka dërguar, nëse hyn në det edhe ne do të hyjmë bashkë me ty. Ne nuk hezitojmë të luftojmë kundër armiqve dhe dimë të jemi të qëndrueshëm dhe besnikë. Kur të përballemi me armikun, shpresoj nga Allahu Teala se prej Ensarëve do të shfaqen heroizma të mrekullueshëm që do të të kënaqin. Për këtë arsye, urdhëroni menjëherë të luftoni së bashku me ne kundër armiqve.”

Ky fjalim i Sa’d ibn Muadhit (r.a.), që u jepte kurajë zemrave, e gëzoi jashtëzakonisht shumë Pejgamberin tonë të nderuar. Hz. Pejgamberi si një njeri deshi t’i dëgjonte këto fjalë plot nënshtrim nga një kryetar fisi. Sa’idi (r.a.), ishte një njeri largpamës. Ai e qetësoi zemrën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), me këto fjalë.

* * *

Profeti (s.a.s.), afër vdekjes e përqafoi Sa’din (r.a.) dhe u lut për të: “O Allah! Ai ka luftuar në rrugën Tënde për kënaqësinë Tënde. Edhe të Dërguarit Tënd i ka besuar. Jepi lehtësim atij!..” Edhe kur ndërroi jetë, Pejgamberi (a.s.), u ul pranë tij dhe tha:

“O Ebu Amr! Ti ishe kryetari më i mirë. Allahu të shpërbleftë në mënyrën më të mirë. Ti e mbajte fjalën që ia dhe Allahut. Edhe Allahu do të t’i japë ato që t’i ka premtuar.”

Gjithashtu në një hadith tjetër ka thënë: “Arshi i Rrahmanit u trondit për shkak të vdekjes së Sa’d ibn Muadhit.”

Xhebraili (a.s.), erdhi dhe e njoftoi të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), për vdekjen e Sa’dit (r.a.), duke i thënë: “O Muhamed! Kush është ky rob i devotshëm për të cilin u hapën dyert e qiellit që t’i ngrihej shpirti dhe u trondit Arshi i Rrahmanit?”

Allahu Teala na përgjigjet sipas sinqeritetit në vepra dhe nënshtrimit që shfaqim kundrejt Tij. Çdo gjë realizohet sipas kësaj. Për këtë arsye, fenë duhet ta zbatojmë në mënyrë të sinqertë sado të pakta apo të shumta të jenë punët tona. Jetës duhet t’i sjellim gaz e hare si vëllezër me ndjenja plot sinqeritet, si besimtarë të devotshëm, të buzëqeshur dhe me moral të lartë, duke iu dorëzuar plotësisht Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Allahu qoftë i kënaqur prej Sa’d ibn Muadhit (r.a.)!

Lus Allahun (xh.xh.), që të na japë edhe neve besnikëri, nënshtrim, trimëri dhe qëndrueshmëri si të Sa’d ibn Muadhit! Zoti na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.