Cilat janë qëllimet dhe idealet tona në jetë? Në çfarë gjendjeje jemi tani? Çfarë dëshirojmë të bëhemi në të ardhmen? Po punojmë për të fituar çfarë? Vallë, çfarë do të bëjmë, nëse i fitojmë ato dhe arrijmë qëllimet tona?
Të gjithë natyrisht kanë të drejtë të dëshirojnë të jenë të lumtur në jetë, por shumica e shikojnë paranë dhe pasurinë si mjet të vetëm të lumturisë dhe thonë: “Ah sikur të jemi të pasur…” Sikur të ishin të pasur, do të merrnin shumë gjëra! Vila, makina luksoze, rroba të bukura, unaza, vathë e byzylykë prej diamanti, shërbëtorë, ushqimet më të shijshme… Faktikisht edhe revistat e modës, programet e vipave në fundjavë dhe gazetat ditore e njoftojnë dhe inkurajojnë popullin për këto.
Por problemet fillojnë të shfaqen që në çështjen e fitimit të parasë, sepse shumë njerëz nuk i japin rëndësi ligjshmërisë së formës së fitimit të parasë, për shkak të lakmisë që kanë ndaj pasurisë. Në këtë mënyrë, ata i shkelin ligjet fetare dhe njerëzore. Bëjnë dredhi, marrin ryshfet, mashtrojnë, vjedhin, uzurpojnë, brengosin të afërmit, lëndojnë, zihen me të tjerët, derdhin gjak, vrasin njerëz… Bëjnë shumë mëkate dhe bien pre e ligjit. Kërkojnë oriz, por humbin edhe bullgurin që kanë në shtëpi. Kërkojnë brirë, por u priten edhe veshët. Kërkojnë lumturinë, por futen në shumë halle.
Atëherë, kur të përpiqemi për të fituar para, duhet të jemi gjakftohtë, nuk duhet të lakmojmë, nuk duhet të adhurojmë materialen dhe duhet të shfaqim kujdes të veçantë ndaj mënyrës së ligjshme të fitimit. Lumturia e dynjasë dhe e ahiretit, para së gjithash është e lidhur me këtë që thamë më sipër.
Tani le të supozojmë se paranë e kemi fituar në mënyrë të ligjshme dhe se kemi fituar shumë. Atëherë nuk duhet ta teprojmë në harxhim.
Gara e luksit nuk ka fund
Dihet se diamanti nuk prodhohet në vendin tonë. Ju e dini se gurët e çmuar të diamantit dhe të tjerë si ai, nxirren me padrejtësi shumë të mëdha nga vendet si Afrika e Jugut dhe Afganistani.
Ejani t’u dalim kundër këtyre zbukurimeve të tepërta, artikujve industrialë të kozmetikës, që importohen nga jashtë me një kundërvlerë të madhe, diamanteve, gjërave shtëpiake të ekzagjeruara, perdeve të panevojshme, rafteve të stërmëdha, vazove, kristaleve etj…
Në shtëpinë tonë le të gjenden vetëm gjëra që përputhen me mendjen dhe të dobishme. Maturia dhe modestia le të jetë stolia jonë. Të largohemi nga luksi. Sa të kemi mundësi, le të përdorim mallra dhe artikuj vendorë.
Me pjesën tjetër që na tepron nga paratë, le të fitojmë lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër, duke ua ndalur lotët të varfërve dhe nevojtarëve, duke ua mbështjellë plagët dhe duke i ndihmuar ta marrin veten materialisht dhe fizikisht.