Allahu i Lartë, ngaqë do ta nderonte Hz. Muhammedin (s.a.s.) me detyrën e profetësisë, e pati mbrojtur nga të gjitha të këqijat e periudhës pagane paraislamike kur sundonte injoranca. Fëmijëria e tij prej jetimi dhe rinia i kaluan përmes një pastërtie dhe lartësie sublime që shprehnin denjësinë për të ardhmen më të shkëlqyer. Karakteristika dalluese e çdo kohe për të ka qenë “el-Emin” (i Besueshmi) dhe “es-Sadik” (Besniku).

Edhe para profetësisë, për sa u përket cilësive njerëzore, si burrëria dhe bujaria, Hz. Muhammedi (s.a.s.) ishte më i shquari i fisit, për sa i përket prejardhjes, më fisniku dhe, për sa i përket moralit, njeriu me moralin më të lartë e më të bukur! Ai ishte që i respektonte më shumë se kushdo të drejtat e fqinjit, që shquhej më shumë se kushdo në butësi dhe besnikëri, që dallohej si i pari më shumë se kushdo në siguri dhe besueshmëri dhe që shmangej më shumë se kushdo nga veprimet e këqija dhe munduese ndaj të tjerëve! Nuk u pa kurrë që të qortonte dhe fyente ndokënd, që të debatonte e grindej me ndokënd. Ishte si rrjedhojë e faktit që Zoti kishte mbledhur tek ai të gjitha cilësitë dhe vetitë më të mira, që fisi e kishte mbiquajtur “el-Emin”, i Besueshmi!81

Një ditë, të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) e pyetën:

“O i Dërguari i Allahut! A i je falur ndonjëherë tjetërkujt veç Allahut?”

“Jo!” – U përgjigj ai.

“A ke pirë ndonjëherë pije alkoolike?”

“Jo!” – U përgjigj ai dhe vazhdoi: “Edhe atëherë kur s’e dija se ç’ishin Libri dhe besimi, unë e dija se gjërat që bënin ata ishin herezi!” (Dijarbekri, I, 254-255)

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e tregon kështu se si e pati mbrojtur Allahu i Lartë në vegjëli:

“Duke luajtur bashkë me fëmijët e tjerë të Kurejshve, bartnim gurë nga një vend në një tjetër. Fëmijët e kishin ngritur lart rrobën e poshtme dhe e kishin vënë në sup që të mos i vrisnin gurët dhe ashtu bartnin gurë. Kur edhe unë desha të bëj si ta që të mos më vrisnin gurët, një fuqi e padukshme më ra me grusht duke më thënë:

“Ule rrobën poshtë dhe lidhe në brez!”

Menjëherë e lidha rrobën për mesi dhe mbeta i vetmi mes shokëve që bartja gurë në sup me rrobën e poshtme të lëshuar e të lidhur në brez.” (Ibni Hisham, I, 197)

Kur Qabja po ndërtohej përsëpari, Profeti mbante gurë së bashku me të ungjin Abbas. Me qëllim që të nipit të mos i vritej supi, Abbasi (r.a.) i tha:

“Vëre rrobën në sup!”

Dhe kur Hz. Muhammedi deshi ta mblidhte rrobën e poshtme për ta vënën në sup, u rrëzua përtokë dhe, duke i ngulur sytë drejt qiellit, i tha të ungjit:

“Ma trego ku e kam rrobën!”

Dhe e mori dhe e hodhi sipër duke u mbuluar me të! (Buhari, Haxh, 42)

Pavarësisht se në shoqërinë e asaj kohe, dalja jashtë pa rroba ishte mjaft normale, i Dërguari i Allahut kurrë nuk u suall jashtë kufijve të turpit dhe edukatës. Siç nënvizohet edhe në hadithin profetik, kur u ndodh në një gjendje të tillë me nxitjen e të ungjit, e mbrojti Allahu i Lartë.

I Dërguari i Allahut ishte një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar, kur murgu Bahira i pati thënë:

“O bir, po të pyes për hir të Latit dhe Uzas, përgjigjmu!”

Dhe ai i qe përgjigjur:

“Mos më pyet për ndonjë gjë mua duke m’u betuar për Latin dhe Uzën! Vallahi, sa ç’kam neveri për këta, nuk kam për asgjë tjetër!” (Ibni Is’hak, f. 54; Ibni Sa’d, I, 154; Veç këtyre, shih. Ahmed, V, 362)

Ummu Ejmen (r.anha) tregon kështu:

Politeistët Kurejshë e kishin zakon të mblidheshin një herë në vit për fli dhe nderime të posaçme përreth idhullit Buvane. Gjatë këtij riti që vazhdonte gjer natën, ata thernin kurban, qethnin flokët dhe tërhiqeshin në vetizolim. Edhe Ebu Talibi ishte përgatitur për këtë festë.

Vura re se kur Profeti deshte t’u shmangej atyre, i ungji dhe hallat u zemëruan shumë me të. Hallat i thanë:

“Ngaqë po ua kthen shpinën zotave tanë, kemi frikë se mos të bjerë ndonjë fatkeqësi!”

Dhe aq shumë ngulën këmbë, sa Profeti mbeti i detyruar të shkonte bashkë me ta!

Pastaj, për një farë kohe na humbi nga sytë dhe u kthye përsëri por me fytyrën të zverdhur nga frika.

Hallat e pyetën të shqetësuara:

“Çfarë të ndodhi?”

“Kam frikë se mos më kanë prekur xhindët!” – Iu përgjigj ai.

Hallat e pyetën:

“Allahu nuk të lë ty në duart e shejtanit! Tek ti ka nga të gjitha vetitë e mira. Pa na thuaj, ç’qe ajo që pe?”

Profeti iu përgjigj:

“Sa herë që u afrova te idhulli, m’u shfaq një burrë i bardhë dhe trupgjatë që më bërtiti:

“O Muhammed! Kthehu prapa dhe në asnjë mënyrë mos e prek Pas kësaj, gjersa iu dha detyra e profetësisë, Drita e Qenies kurrë nuk mori pjesë në festat dhe ritet e tyre!”82

Siç rrëfen Hz. Aliu (r.a.), Profeti ka thënë kështu:

“Dy herë jam nisur unë të bëj diçka nga ato që bënin njerëzit e kohës së injorancës, por Allahu i Lartë e i Madhëruar më mbrojti prej tyre.

Një natë, në anën e sipërme të Mekës, po kullosnim dhentë bashkë me disa të rinj Kurejshë. Unë i thashë shokut:

“Po të m’i shohësh edhe dhentë e mia, dëshiroj të shkoj për të marë pjesë, si të rinjtë e tjerë, në kuvendet e mbrëmjes!”

“Posi jo!” – M’u përgjigj shoku. – “Si të duash!”

Dhe u nisa për atje. Por kur iu afrova qytetit, dëgjova zëra defi, kavalli dhe fishkëllimash.

“Ç’është kjo?” – E pyeta njërin.

“Dasmë! Martohen filan mashkull me filan femër!” – M’u përgjigj ai.

Unë u ula pak duke vështruar nga ajo anë e duke u menduar. Atë çast, Allahu më dha një rëndesë në veshë e në sy, menjëherë m’u rënduan qepallat dhe më zuri gjumi mu aty! Betohem në Allahun se nuk u zgjova dot gjersa lindi dielli! Sa u zgjova, u ktheva prapë te shoku.

“Ç’bëre?” – Më pyeti ai.

“Asgjë!” – I thashë dhe ia tregova ç’më kish ndodhur.

E njëjta gjë m’u përsërit edhe një natë tjetër. Prapë, kur desha të shkoj në qytet për të marrë pjesë në kuvendet e natës, më zuri gjumi mu në rrugë dhe fjeta gjer të nesërmen në lindjen e diellit. Dhe u ktheva prapë te shoku.

Gjersa Zoti im më nderoi me detyrën e profetësisë, përveç këtyre dy rasteve, kurrë nuk u prira ndaj ndonjë gjëje të keqe!” (Ibni Is’hak, f. 58-59; Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 292)

Share.

Comments are closed.