Sipas mendimit të shumë dijetarëve, nëna jonë Havaja ka sjellë në jetë shumë fëmijë dhe ka lindur gjithmonë binjakë, mashkull dhe femër. Fëmijët e tyre, ishin urdhëruar të martoheshin me fëmijët e barkut tjetër, e jo të të njëjtit bark. Nisur nga kjo, njëri prej djemve të Ademit (a.s.), Kabili, donte të merrte për grua motrën e lindur në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin bark me të. Kurse i vëllai i tij, Habili, i tërhoqi vëmendjen se kjo nuk ishte në përshtatje me ligjin e Allahut dhe se duhej të merrte një prej vajzave të lindura në barqet e tjera. Mirëpo, Kabili nuk e mori në konsideratë këtë këshillë dhe pretendoi se veprimi i tij ishte i drejtë. Për rrjedhojë, me qëllim që të kuptohet se kush kishte të drejtë, Habili i propozoi vëllait t’i kushtonin Zotit, nga një kurban.

Atë kohë, kurbani jepej prej gjërave që zotëronte personi sipas profesionit të vet. Gjërat që bëheshin kurban, liheshin në majë të një mali dhe kur shkohej më vonë për t’u kontrolluar, kurbani që nuk gjendej më aty, kuptohej se ishte pranuar dhe marrë prej Zotit.

Habili kishte tufa dhensh. Prandaj, për kurban zgjodhi dashin më të majmë e më të madh. Kurse Kabili që merrej me bujqësi, zgjodhi si kurban tufën më të keqe të grurit.

Pas një farë kohe, Habili dhe Kabili shkuan në vend për të parë se ç’kishte ndodhur me kurbanet. Dashi i Habilit nuk ishte më aty, pra, ishte pranuar, kurse tufa e grurit vazhdonte të ishte po aty! Kabili u nxeh shumë dhe siç tregohet edhe në Kuran, ai e vrau vëllain e vet:

“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: «Ty gjithsesi do të të vras!» Tjetri tha: «Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve.» Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: «Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!» E u bë nga të penduarit.” (Maide, 27-31)

 

Share.

Leave A Reply