“Bismilah” është shkurtimi i shprehjes “Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim” e cila perdoret në fillim te një pune te mirë dhe hallall (te lejuar), kuptimi i së cilës është “Me emrin e Zotit, Mëshiruesit Mëshirbërësit” (po filloj).

Nuk është rastësi që ajeti i parë i sures Alak i cili ka zbritur nga Krijuesi i Gjithësisë, ne fakt i meson besimtarit se si duhet ta fillojë një punë: “Lexo me emrin e Zotit (thuaj bismilah) Tënd i cili të krijoi ty”. Kjo forme e të shprehurit në mënyrë urdhërore edhe pse i drejtohet drejtpërdrejtë profetit Muhamed (a.s), është njëkohësisht unike edhe për të gjithë besimtarët musliman.

Transmetohet nga Ibni Maxhe se profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Cdo punë që fillon pa “bismilah” nuk ka bereqet ne të.” Ai (a.s) nuk e neglizhonte asnjëherë thënien e “Bismilahit” kur fillonte të merrte abdest, kur lexonte kur’an, kur falte namaz, kur hante ushqim, kur vishej, kur hynte apo dilte nga shtëpia, xhamia dhe në çdo veprim te tijin.

Para ardhjes se Islamit idhujtarët fillonin punët e tyre duke thënë: “bismi’l- Lât ve’l-Uzzâ” qe do të thotë: në emër të Latit dhe Uzas. Këta te fundit ishin idhujt e tyre të cilët ata i adhuronin dhe i quanin Zota. Fatkeqësisht që edhe në ditët tona ka prej tyre që  në vend të Latit apo Uzes vendosin emra të ndryshëm që janë plotësisht të ndaluar ne Islam. Besimtari mysliman e ka obligim qe ta përmende vetëm Zotin e Madh përpara se te filloje një pune te mire. Sikurse tregohet edhe ne ajetet e mëposhtme.

“Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër.”(surja Bekare,200)

“Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë. Kur të jeni jashtë rrezikut, atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.”(surja Nisa,103)

Nuk duhet të harrojmë se edhe pse duket si një gjë e vogël dhe jo shume e rëndësishme ajo në fakt ka një peshe te madhe, sepse ajo është si një lloj marrëveshje që bën besimtari me Allahun, Krijuesin e tij. Sepse kur ai thotë “Bismilah” përpara se te filloje një punë, në fakt ai ka thënë në heshtje “O Zot me emrin Tënd dhe sipas rregullave të Tua po e filloj këtë punë. Kështu që besimtari i jep fjalën Atij që do ta bëjë punën e tij shumë mirë (ahsen), pa hile, pa mashtrime. Ai me të dëshiron te fitojë gjithashtu edhe kënaqësinë e Allahut.

Në fakt “Bismilah”-i është një kod të cilin e kanë përdorur edhe profetët e mëparshëm. Sikurse përmendet në suren Neml, 30 ku Hz. Sulejmani i shkruan një letër mbretëreshës Belkis per ta ftuar në Islam. “Ajo është nga Sulejmani dhe është: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” Apo rasti ku, Nuhu (a.s) bënte te mundur lëvizjen e anijes duke thëne: “bismilah” sic tregohet ne suren Hud, 41. “Ai tha: “Hipni në anije! Me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet! Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë”.

Ky kod duhet të përdoret edhe përpara se te lexojmë fjalën e Zotit, Kur’anin Famëlartë sikurse Ai vete na mëson në suren Nahl, 98: “Kur dëshiron të lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar” thëne ndryshe thuaj: “Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim, bismilahirr-rrahmanirr-rrahim.” “I mbështetem Zotit nga djalli i mallkuar, dhe (po e filloj) me emrin e Zotit, Meshiruesit Meshireberesit”. Kete besimtari në fakt nuk duhet ta thotë vetëm kur të lexoje Kur’anin, por edhe kur të lexoje libra te tjera të ndryshme, prej të cilëve përfiton dije te dobishme.

Duhet ta dimë se kur besimtari thotë “Bismilah”, ai ka marrë lejen dhe miratimin nga Zoti i Gjithësisë për ta bërë atë vepër, e kështu ai i ka dhëne fjalën qe gjuhën e tij, do ta ndjekin edhe gjymtyrët e tjerë të trupit, dhe se vetëm në këtë mënyrë ai do te fitojë edhe  dynjanë edhe ahiretin (boten tjetër).

Më pas ai duhet të përmendë dy cilësitë e Allahut “err-Rrahman, err-Rrahim, per ti treguar kështu Atij dobësitë e tij si një krijesë e dobët dhe nevojtare për Të, sepse pa mëshirën dhe ndihmën e Tij, ajo nuk mund te bëjë asgjë, madje as frymë nuk merr dot. Reshtu që çdo qenie njerëzore kërkon prej Tij ti japë mirësi në këtë dynja dhe ta mëshirojë atë ne botën tjetër.

Te thuash “Bismilah” duke u bazuar ne legjislacionin islam ,ne disa raste është farz, në disa raste vaxhib, në disa haram dhe në disa raste të tjera është mekruh. Sikurse tregohet në suren En’am, 121: “Mos hani asnjë mish që nuk është therur me emrin e Allahut, sepse kjo është gjynah! Në të vërtetë, djajtë i nxisin miqtë e vet që t’ju kundërshtojnë ju. E nëse ju u bindeni atyre, me siguri që edhe ju do të ishit idhujtarë”. Këtu thënia e “bismilah”-it eshte farz (obligim).

Sipas medhhebit (shkollës juridike fetare) hanefi “Bismilahi” përpara leximit të Fatihasë është sunet, kurse sipas Shafisë është farz. Ta fillosh ushqimin me “Bismilah” është sunet dhe profeti (a.s) ka thënë se, nëse dikush e harron atë, le te thotë: “Bismilah fi evvelihi ve ahirihi” që do te thotë: “Me emrin e Zotit në fillim dhe në mbarim (të ushqimit). Të bësh “Bismilah” kur pi alkool apo i vjedh dikujt diçka apo përpara veprave të ndaluara, është haram (e ndaluar). Ndërsa thënia e “Bismilah”-it kur pastrohemi nga “nexhaseti” (pasi kryejme nevojat personale) është mekruh (e pa pëlqyeshme).

Ne përfundim themi se nëse duam që çdo pune të na shkoje mbarë duhet ta përmendim emrin e Allahut të Madhëruar, të themi “Bismilahi err-Rrahmanirr-Rrahim”.

Punoi: Msc. Gëzim Dungaj

Share.

Comments are closed.