Enes Ibni Malik (r.a.), tregon:

Në kohën kur të Dërguarit të Allahut (a.s.) iu rëndua sëmundja, u shtuan edhe vuajtjet. Kur Fatma (r.anha), e pa në këtë gjendje, tha:

“O vuajtja e babait tim!” Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“(Bija ime!) Prej sot, babai yt s’do të ketë më vuajtje!”

Kur i dërguari i Allahut (a.s.), ndërroi jetë, kësaj here Fatma (r.a.), tha:

“O brenga ime për babanë, që iu përgjigj ftesës së Krijuesit të vet! O brenga ime për babanë, që tani është në Xhenetu-l Firdeus! O brenga ime për babanë, për të cilin edhe Xhibrili u brengos!” Më pas, kur sahabët e varrosën, Fatma (r.a.), tha:

“Si mundët të hidhnit dhé mbi trupin e të Dërguarit të Allahut?”

(Buhari, Megazi, 83. Shih. Ibni Maxhe, Xhenaiz, 65.)

Shpjegime

Në këtë Hadith fisnik, shohim qëndrimin e Profetit tonë (a.s.), në çështjen e durimit. Në fakt, as i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk kishte ndonjë ndryshim nga njerëzit e tjerë në lidhje me vuajtjet e jashtëzakonshme në momentin e vdekjes. Pra, edhe ai po vuante shumë, por duronte dhe nuk ankohej. Mirëpo, kur vajza e tij Fatma (r.a.), e pa gjendjen e babait, nuk duroi dot dhe, për arsye të dashurisë së natyrshme që ndjente për të, e shprehu hidhërimin e vet duke thënë: “O vuajtja e babait tim!”. Ndërsa Profeti ynë (a.s.), për ta ngushëlluar të bijën dhe për t’i thënë se “çdo vuajtje e ka një fund”, i thotë: “Prej sot, babai yt nuk do të vuajë më!”. Kjo tregon se ai po i përballonte me durim të madh këto vuajtje.

Ne nuk e dimë nëse Fatma (r.a.), e kuptoi apo jo në atë moment se me këto fjalë, i Dërguari i Allahut (a.s.), e lajmëroi atë për vdekjen e tij. Mirëpo, edhe nëse e ka kuptuar, mendojmë se ajo është ngushëlluar sadopak me lajmin e mirë që e ardhmja e babait të saj do të ishte pa vuajtje.

Fjalët e Fatmas (r.a.), pas vdekjes së Profetit Muhamed (a.s.), janë shprehje e natyrshme e hidhërimit të saj. Pra, këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë teprim. Madje, mund të mendohet se, duke përmendur pozitën e Profetit (a.s.), në botën tjetër, në një farë kuptimi ajo ka ngushëlluar vetveten. Fakti që ajo e shprehu hidhërimin e saj me ato fjalë, nuk do të thotë se ajo nuk e pranonte assesi vdekjen e Profetit (a.s.).

Në një transmetim tjetër, në fjalinë e fundit që është shënuar, ku Fatma (r.anha), i drejtohet transmetuesit të këtij Hadithi, Enesit (r.a.), fjalët e saj janë jashtëzakonisht të spikatura në aspektin e shprehjes së ndjenjave përballë kësaj ndodhie: “Si mundët të hidhnit dhé mbi trupin e të Dërguarit të Allahut?”

Po ashtu, as këto fjalë nuk tregojnë se ajo nuk arrinte ta pranonte faktin se tashmë Profeti (a.s.), ishte varrosur. Kjo mbase ka qenë si një reagim i natyrshëm, në kuptimin e habisë, “si u bë kaq shpejt kjo punë!?”. Përveç kësaj, fakti që Enesi (r.a.), nuk i ktheu asnjë përgjigje, tregon se këto fjalë pranohen si të natyrshme në raste të tilla hidhërimi.

Po ashtu, nuk duhet harruar se, durim, nuk do të thotë të mos hidhërohesh aspak, por t’i përtypësh vuajtjet me fjalë dhe vepra që nuk i kalojnë kufijtë. Kjo vihet re edhe në fjalët e Fatmas (r.a.).

Kjo ngjarje , nga një anë tregon se durimi është një çështje e rëndësishme dhe aspak e lehtë, e nga ana tjetër, shfaq para nesh qëndrimet e vetë familjes së Profetit (a.s.), në lidhje me këtë çështje.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Hidhërimi dhe dhembshuria për njeriun që është duke vdekur, është një sjellje e natyrshme.
  2. Përmendja e njeriut me cilësitë e tij pas vdekjes, është e lejuar.
  3. Me durimin që tregoi ndaj vuajtjeve në momentin e vdekjes, Profeti ynë (a.s.), është shembull edhe për popullin e tij.
Share.

Leave A Reply