Ebu Jezid Ma’n ibni Jezid Ahnesi (r.anhum), babai dhe gjyshi i të cilit kanë qenë sahabë tregon:

Babai im Jezidi, nxori disa dinarë për t’i dhënë sadaka dhe i la pranë një personi në xhaminë e Profetit (a.s.). Unë shkova në xhami, mora paratë dhe ia dorëzova babait. Mirëpo, babai më tha:

“Pasha Allahun! Unë nuk i kam lënë ato që t’i marrësh ti!” Për këtë arsye, unë ia parashtrova situatën Profetit (a.s.), i cili na tha:

“Jezid! Ti e ke fituar shpërblimin e qëllimit të asaj që dhe. Ndërsa ty o Ma’n, të takon ajo që more!”

(Buhari, Zekat 15. Shih. Darimi, Zekat 14; Ahmed Ibni Hanbel, Musned, III, 470.)

 

Ma’n ibni Jezid (r.a.).

Janë të paktë personat si Ma’n ibni Jezidi (r.a.), të cilët i kanë pasur sahabë babanë dhe gjyshin njëkohësisht. Madje, nuk ka asnjë fatlum tjetër si ky sahab, i cili pasi ka pranuar Islamin, ka marrë pjesë në luftën e Bedrit së bashku më babanë dhe gjyshin e tij.

Sipas një pjese të Hadithit që gjendet në “Sahihun” e Buhariut, por që nuk është përfshirë në “Rijadu’s-Salihin”, Profeti (a.s.), kishte kërkuar dorën e një vajze për Ma`nin (r.a.), me të cilën edhe u martua.

Ma’ni (r.a.), të cilin edhe Omeri (r.a.), e vlerësonte shumë, fillimisht u vendos në Kufe, pastaj jetoi në Egjipt dhe në fund në Siri, ku edhe ndërroi jetë në vitin 64 (683). Ma’ni (r.a.), ka transmetuar 5 hadithe nga Profeti (a.s.). Në lidhje me jetën e tij nuk ka shumë informacione.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

 

Shpjegime

Edhe në këtë Hadith theksohet rëndësia e qëllimit. Babai i Ma’nit (r.a.), Jezidi (r.a.), kishte lënë një sasi parash tek një sahab që ishte në xhami, me qëllim që t’ia shpërndante nevojtarëve. Mirëpo, djali i tij, i cili ishte i varfër dhe për më tepër nuk e dinte se kush i kishte lënë paratë, i mori ato dhe ia çoi babait. Kur babai e kuptoi çfarë kishte ndodhur, mendoi se i shkoi bosh shpërblimi i sadakasë. Prandaj, ai e kritikoi të birin duke i thënë se nuk kishte pasur qëllim t’ia jepte atij, por i kishte lënë në xhami për sadaka. Ma’ni (r.a.), i cili mendonte se nuk kishte asnjë të keqe t’i merrte ato para dhe t’i përdorte, shkon së bashku me babanë e tij tek  Profeti (a.s.) dhe i parashtron situatën. Ndërsa Profeti (a.s.), i dha të drejtë Ma’nit (r.a.).

Një çështje tjetër që trajtohet gjerësisht në hadithet fisnike, është edhe fakti se sadakaja që jepet brenda familjes është plotësisht e pranueshme. Për vlerën, rëndësinë dhe shpërblimin e shpenzimit për familjen, do të flitet në temën “Sigurimi i jetesë së familjes”, që do të fillojë prej Hadithit me numër 291.

Nga Hadithi, kuptojmë se për personin që jep sadaka, e rëndësishme është që qëllimi të jetë shpenzimi për hir të Allahut. Edhe nëse sadakaja që jep bie në dorë të një personi që nuk e meriton, ai e fiton shpërblimin e vet sipas qëllimit që ka pasur. Për shkak se sadakaja është një adhurim vullnetar, një besimtar mund t’ia japë atë edhe njerëzve të afërt të familjes për të cilët është i detyruar të kujdeset, si babait, gjyshit, djalit, vajzës, madje edhe nipit. Vetëm zekati nuk lejohet t’i jepet njerëzve kaq të afërt.

Ashtu siç mund të jepet vetë personalisht, sadakaja mund të jepet edhe me anë të një personi tjetër. Madje, nëse ai e jep në këtë mënyrë, realizohet edhe parimi e fshehtësisë, i cili kërkohet veçanërisht në adhurimet vullnetare.

 

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Gjatë dhënies së sadakasë, është kusht që qëllimi të jetë për hir të Allahut.
  2. Sadakaja mund t’i jepet edhe personit më të afërt.
  3. Sadakaja mund të jepet edhe me anë të një përfaqësuesi.
  4. Në jetën e sahabëve, xhamitë kishin një rol të rëndësishëm, sepse ato përdoreshin edhe si vende ku mund të jepje sadaka.
Share.

Comments are closed.