Sa e pati gjallë të ungjin Ebu Talib dhe para se të fillonte tregtinë, Profeti pati bërë për një farë kohe “çobanllëk”. Ndër arabët, vajtja me dhen, pra, përgjithësisht, puna e çobanit, nuk ishte një mjeshtëri e zakonshme, por një punë dhe përvojë nëpër të cilën kalonin edhe fëmijët e të pasurve dhe fisnikëve. Veç kësaj, çobanllëku ka qenë, pothuaj pa përjashtim, preokupimi edhe i të gjithë profetëve. Me këtë, Allahu i Lartë u ka dhënë mundësi atyre të fitojnë një sërë cilësish të posaçme drejtimi para se t’u jepte detyrën e profetësisë.
Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:
“Çdo profet i dërguar nga Allahu i Lartë patjetër ka shkuar me dhen!”
Sahabet e pyetën:
“A edhe ti ke shkuar me dhen, o i Dërguari i Allahut?”
“Po, ruaja me pagesë83 dhentë e mekasve!” – Iu përgjigj i Dërguari i Allahut (s.a.s.). (Buhari, Ixhare, 2, Enbija, 29; Ibni Maxhe, Tixharet, 5)
Në një hadith tjetër, Profeti është shprehur kështu:
“Musai u dërgua si profet dhe shkoi me dhen. Daudi u dërgua si profet dhe shkoi me dhen. Edhe unë jam dërguar si profet dhe në Exhjad kam shkuar me dhentë e familjes sime!” (Ibni Sa’d, I, 126)
Në këtë kohë, Profeti ishte rreth në të njëzetat. Duke u shprehur si më poshtë, ai ka pohuar se puna e çobanit është një nga punët e virtytshme:
“Personi që ka zënë rrugën më të mbarë e të dobishme të fitimit të jetesës është ai që kullot dhentë në majë të një kodrine ose në mesin e një lugine. Ky person e fal namazin, e jep zeqatin, e adhuron Zotin e vet gjer në vdekje dhe u bën vetëm të mira njerëzve!” (Muslim, Imaret, 125; Ibni Maxhe, Fitn, 13)
Te personat që bëjnë çobanllëk zhvillohen horizonti i meditimit, ndjenja e seriozitetit dhe mëshirës. Duke aluduar për këtë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë:
“Qetësia dhe serioziteti janë te njerëzit që ushqejnë dhentë!” (Buhari, Menakib, 1; Muslim, Iman, 84/52)
Kullotja e dhenve, kujdesi dhe mirëtrajtimi i tyre si dhe ruajtja nga kafshët e egra zhvillojnë tek njeriu ndjenjën e durimit dhe përgjegjësisë. Me të vërtetë, mëshirimi i çdo qenieje të krijuar, durimi ndaj gjendjeve të tyre të ashpra e kundërvepruese janë nga veçoritë më të rëndësishme që duhet të ndodhen te profetët.