Abdullah Ibni Mes’ud (r.a.), tregon:

Shkova tek i Dërguari i Allahut (a.s.), të cilin e kishte kapur sëmundja e malaries dhe i thashë:

“O i Dërguari i Allahut! Vërtetë ju ka kapur një krizë e fortë e malaries.”

“Po, unë jam duke vuajtur aq sa mund të durojnë dy veta prej jush.” –tha ai.

“Patjetër që kjo është me qëllim që të fitoni dyfish shpërblim.” –thashë unë.

“Po, ashtu është! Allahu ia fal gjynahet myslimanit për shkak të një gjembi që i ngulet në këmbë, ose për shkak të ndonjë vështirësie më të madhe që e godet dhe, gjynahet e atij myslimani bien si gjethet e një peme.”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Merda, 3, 13, 16; Muslim, Birr, 45.)

Shpjegime

Këtu shohim qartë qëndrimin e Profetit tonë (a.s.), në lidhje me çështjen e durimit. Sipas një transmetimi, pasi Abdullah Ibni Mes’udi (r.a.), e prek me dorë Profetin (a.s.), i ka thënë atij se kishte temperaturë të lartë. Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), i tha se vuajtjet e tij ishin aq sa mund të durojnë dy persona. Kur Abdullah Ibni Mes’udi (r.a.), u shpreh se, “patjetër që kjo ishte me qëllim që të fitoni dyfish shpërblim”, Profeti (a.s.), i ktheu përgjigje pozitive. Siç dihet, fatkeqësitë dhe katastrofat, nuk janë vetëm shkak i faljes së gjynaheve të robit. Në të njëjtën kohë, ato bëhen shkak edhe i ngritjes së gradës së tij tek Allahu, gjë e cila vlen edhe për Profetin tonë (a.s.).

Profeti ynë (a.s.), ashtu si edhe në Hadithin e mëparshëm, ka bërë të ditur lajmin e mirë se, myslimanit që bën durim kur e godet një fatkeqësi, do t’i bien gjynahet si gjethet e pemës në stinën e vjeshtës.

Nga ky Hadith, kuptojmë se edhe në gjendjen e një sëmundje të rëndë, i Dërguari i Allahut (a.s.), e ka vazhduar detyrën e tij të kumtimit dhe udhëzimit, qoftë me vepra, e qoftë me fjalë. Ky është një argument tjetër i mëshirës që ai ka pasur ndaj Ummetit të tij dhe i vetëdijes së detyrës. Profeti (a.s.), nuk ka folur dhe nuk është ankuar kurrë për gjendjen e rëndë të sëmundjes së tij. Mirëpo, kur Ibni Mes’udi e pyeti, ai ia shpjegoi.

Në këtë ngjarje, shohim edhe përputhjen që ka ky Hadith me Hadithin ku thuhet se: “Vuajtjet dhe fatkeqësitë më të mëdha u vijnë profetëve”.   Ashtu si në çdo çështje, profetët kanë qenë shembull për popujt e tyre edhe në përballimin dhe durimin ndaj vështirësive.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Profeti ynë (a.s.), ka përjetuar dyfish më tepër vuajtje në krahasim me sahabët e tij.
  2. Fatkeqësitë dhe problemet, bëhen shkak i faljes së gjynaheve, ose i fitimit të më shumë shpërblimeve.
Share.

Leave A Reply