Dr. Halis Ç. Demirxhan

Kur shohim ngjarjet e krimeve që ditët e sotme po zënë tepër vend nëpër media, përballemi jo me krime të kryera për shkak të dobësisë njerëzore, si mospërmbajtja në momentet e zemërimit apo mposhtja nga zemërimi i madh, por me krime çnjerëzore që më së shumti mund t’i bëjnë njerëz psikopatë.

Psikopatia është njëra prej anomalive më të rrezikshme të personalitetit. Qendra e empatisë në trurin e njerëzve psikopatë është e prishur. Ata nuk kanë aftësi për të dashur. Ata nuk ndjejnë fajësi dhe nuk pendohen për asgjë që kanë bërë. Ndryshe nga anomalitë e tjera personale, ata nuk kanë asnjë lloj shqetësimi të brendshëm në lidhje me veten e tyre, domethënë, nuk kanë ndërgjegje.

Kur shohim shkaqet e shtimit të këtyre njerëzve, të cilët përkufizohen kështu në shoqëri, për fat të keq, luksi, mundësitë teknike, programet negative të televizioneve dhe internetit që kanë hyrë në jetë në mënyrë të paekuilibruar, pa rregull, pa edukatë dhe në një formë të padëshiruar, shkaktojnë një zbrazëti të madhe shpirtërore.

Dhuna, vuajtjet dhe derdhja e lotëve që nuk mungojnë në telenovelat që jepen nëpër televizione dhe tipat e njerëzve që shfaqen nëpër programet magazinë apo paparaci, për fat të keq reklamohen si model ideal i njeriut. Ndërsa nëpër reklama që përdoren shumë shpesh, gdhendet baza e shoqërisë duke përdorur pamje me perceptime të rënda seksuale.

Përgjatë gjithë këtyre viteve që autoritetet nuk janë ndjerë pothuajse fare apo nën emrin e modernizimit dhe demokratizimit është përhapur një strukturë familjeje më e lirë dhe e keqe.

Disiplina nëpër shkolla ka pësuar rënie drastike dhe edukimi pothuajse ia ka lënë vendin plotësisht mësimit.

Kalimi nga një shoqëri me familje të gjerë në një shoqëri me familje të vogël, që na e ka imponuar jeta e qytetit, nxori në pah individë më të vetmuar.

Ngjarjet e tilla tmerruese anashkalohen vetëm duke i kundërshtuar me fjalë për shkak të zbutjes dhe ndryshimit të moralit dhe virtyteve shoqërore.

Këtyre u shtohet edhe sistemi i drejtësisë, i cili nuk i parandalon këto lloj ngjarjesh tmerruese dhe vonohet për t’i gjykuar…

Kjo zbrazëti shpirtërore dhe ambient i ftohtë nga përshpirtshmëria që u formuan, i bëri njerëzit më interesaxhi dhe i vrau ndjenjat e ndërgjegjes si dhembshurinë dhe mëshirën.

Prandaj, duke u shtuar njerëzit që u kanë vdekur ndjenjat e tilla në shoqëri, u shtuan edhe psikopatët edhe krimet që bëjnë ata.

Ndërsa Allahu e ka krijuar shejtanin dhe nefsin, që i bindet i bindet djallit, për t’i sprovuar robërit e Tij dhe për të shfaqur se kush i bindet ndërgjegjes së vet. Ka një të vërtetë që edhe djalli i mallkuar e di: ai është shumë i pafuqishëm dhe i dobët kundrejt njerëzve të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm. Ata asnjëherë nuk ndikohen nga shejtani. Asnjë dredhi e tij nuk mund të influencojë te ata, sepse ndërgjegjja e udhëzon njeriun, i tregon rrugën, e heton, e merr në llogari, e kontrollon, e përgatit për vdekjen para se të vijë vdekja dhe e përgatit për mahsherin para se të vij mahsheri.

Edhe në ajetin fisnik thuhet:

“…Në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut.” (Nahl, 99-100)

Përfundimisht, në këtë botë të egër, në të cilën interesi po i paraprin ndërgjegjes, duhet të veprojmë siç ka thënë Hazreti Mevlana:

“Po kërkoj njeri! Edhe nëse do ta kem të vështirë për ta gjetur, përsëri nuk e humbas shpresën. Po kërkoj njerëz të devotshëm për ta shuar sadopak mallëngjimin tim dhe për shkak se ndjej kënaqësi të madhe nga ky kërkim.”

Allahu Teala na e mundësoftë të gjithëve të bëhemi prej robërve të devotshëm dhe prej atyre që qëndrojnë me robërit e Tij të devotshëm! Amin!..

Përfunduar

Përktheu: Fatmir SULAJ

Share.

Leave A Reply