Ahmed bin Ebu Verd i përmbledh me këto fjalë cilësitë e miqve të Zotit:
“Tre gjëra janë që kur forcohen dhe shtohen tek veliu atëherë shtohen edhe tre cilësi të tjera:
- Kur rriten në post, u shtohet përkorësia dhe modestia.
- Sa më gjatë të jetojnë, aq më shumë i shërbejnë fesë dhe njerëzve.
- Sa më të pasur të bëhen, aq më shumë bëhen bujar dhe bamirës.”
Secili në ditët e sotme duhet të përpiqet ta përjetojë këtë moral të lartë me aq sa ka mundësi, qoftë edhe në sajë të sakrificave të vogla që mund të bëjë duke privuar nga rehatia personale, zbukurimi i shtëpisë dhe shpenzimet e përditshme. Gjendja në të cilën gjenden nevojtarët, të shtypurit dhe të skamurit përbëjnë një tablo të mjaftueshme për personat që kanë mundësi të ndihmojnë të tjerët.
Kopracia të verbon!
Për të mundur të bëhesh një dhurues dhe bamirës i vërtetë është kusht të jetosh një jetë brenda konsistencës së ihsanit, pra të jetosh një jetë adhurimi si të jesh duke e parë Allahun. Të shohësh fuqinë dhe madhështinë hyjnore në çdo vend dhe çdo herë është e varur me faktin se sa i çelur është syri i zemrës. Të arrish të bëhesh një bujar i vërtetë është e domosdoshme ndjenja e besimit të shëndoshë që do t’i mundësojë besimtarit që ta ndjejë thellë në shpirt që çdo dhurim i kryer do ta shohë edhe në ahiret.
Me të vërtetë që koprracia e verbon zemrën përballë vdekjes që është fundi i kësaj jete dhe asaj që do të ndodh pas vdekjes dhe është njëkohësisht një shfaqje e tmerrshme e mosmirënjohjes ndaj zotit që ka krijuar gjithçka për t’ua servirur njerëzve.
Allahu në shumë ajete Kuranore na ka tërhequr vëmendjen për rrezikun e verbërimit të zemrës.
“Atëherë, çfarë keni që nuk shpenzoni në rrugën e Allahut, ndërkohë që vetëm Atij i përket trashëgimia e qiejve dhe e Tokës? Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar para fitores me ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar më pas. Ata kanë shkallë më të lartë, mirëpo Allahu u premton të gjithëve më të mirën (Xhenetin). Allahu e di mirë atë që bëni ju. Zoti ynë! Mos na ua privo zemrave tona ekstazën e besimit, shpirtrave tanë harenë e bujarisë dhe ndërgjegjes sonë prehjen e dhurimit!” (Hadid, 10)
“Ata thonë: “Mos u jepni kurrgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, me qëllim që të largohen prej tij!” Por Allahut i takojnë thesaret e qiejve dhe të Tokës, ndonëse hipokritët nuk kuptojnë.” (Munafikun, 7)
“Ja, juve ju bëhet thirrje të shpenzoni në rrugën e Allahut, por disa prej jush janë koprracë. Kush tregohet koprrac, ta dijë se i bën dëm vetes, sepse Allahu është i Pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër.” (Muhamed, 37)
Zotëruesi absolut i gjithçkaje është Allahu, çdo gjë që zotërojmë ne është fryt i bujarisë dhe mëshirës së Allahut. Prandaj besimtari në asnjë mënyrë nuk duhet të tregojë koprraci por vazhdimisht duhet të gjendet pranë nevojtarit.