Aishja (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Pas çlirimit të Mekës nuk ka më emigrim, por ka xhihad dhe qëllim. Kur të thirreni për xhihad përgjigjuni thirrjes menjëherë.”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Menakibu’l- ensar 45, Xhihad 1, 27, 194; Muslim, Haxh 445, Imaret 85. Shih. Tirmidhi, Sijer 32; Nesai, Bej’at 15.)

Shpjegime

Në vitet e para të Islamit, idhujtarët nuk donin t’u njihnin myslimanëve të drejtën e jetës. Prandaj i torturonin dhe i keqtrajtonin rëndë ata. Disa myslimanë që nuk i duruan dot këto keqtrajtime, u detyruan të braktisin vendin e tyre për të jetuar dhe zbatuar lirisht urdhrat e Allahut. Fillimisht ata emigruan në Etiopi, me këshillën e Profetit (a.s.). Ndërsa në vitet në vijim, kur Medina u bë një vendbanim ku myslimanët mund të jetonin në paqe, Profeti (a.s.), i këshilloi të emigronin në Medinë. Pas një farë kohe, edhe vetë i Dërguari i Allahut (a.s.), emigroi atje. Megjithëse Medina ishte një vend i përshtatshëm për të jetuar Islamin, numri i myslimanëve nuk ishte i mjaftueshëm për të krijuar dhe mbajtur në këmbë një shtet Islam. Prandaj ardhja në Medinë e myslimanëve që gjendeshin në vende të tjera, ishte e detyrueshme.

Në muajin Ramazan të vitit të 8 Hixhri, kur u bë i mundur çlirimi i Mekës dhe shndërrimi i saj në një vend Islam, tashmë nuk kishte më asnjë arsye për të emigruar në Medinë, sepse Mekasit, që i kishin keqtrajtuar myslimanët, filluan të pranonin fenë e vërtetë, Islamin. Kur në Mekë u zhduk rreziku i dëmtimit të myslimanëve, Profeti Muhamed(a.s.), e ndaloi emigrimin në Medinë. Në këtë mënyrë, u bë e qartë se ky vend i bekuar do të qëndronte vend Islam për sa kohë do të ekzistonte bota.

Çlirimi i Mekës ishte një fillim i rëndësishëm edhe në aspektin e historisë Islame, edhe në aspektin e forcimit të Islamit. Për shkak se myslimanët u forcuan, që prej asaj kohe nuk ishte më e nevojshme që ata të shkonin në Medinë për të mbështetur të Dërguarin e Allahut (a.s.).

Shprehja, “Por ka xhihad dhe qëllim!” në Hadithin e lartpërmendur, përcakton detyrat e reja të myslimanëve pas (përfundimit të) emigrimit. Këto detyra, nga një anë ishin lufta kundër armiqve dhe mbajtja gjallë e dëshirës dhe dashurisë për xhihadin, me qëllim për të ngritur Islamin dhe për të zhvilluar myslimanët dhe nga ana tjetër, ishte marrja e diturisë duke shkuar në vise të largëta, për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe për t’i shërbyer Islamit. Një mysliman që edukohet me shpirtin e xhihadit, nuk do të ketë frikë e t’ia mbathë kur t’i thuhet “ejani në luftë!”. Por përkundrazi, për të fituar dashurinë e Allahut, ai do të shkojë duke vrapuar në luftë, që është një lloj emigrimi i përkohshëm.

Nëse pas gjithë përpjekjeve, nuk arrihet sukses kundër së keqes dhe të këqijve në vendet Islame dhe është e pamundur të zbatohen urdhrat e fesë, atëherë mund të diskutohet përsëri çështja e emigrimit, sepse i Dërguari i Allahut (a.s.), në një Hadith fisnik thotë:

“Pa mbaruar afati i pendimit, nuk mbaron as afati i emigrimit. Dhe, pendimi është i mundur deri sa të lindë dielli nga perëndimi!”

Kjo do të thotë se, sa të ketë jetë, do të ketë sinqeritet dhe qëllim të mirë. Njeriu nuk do t’i brakisë kurrë këto cilësi. Nëse i kërkohet, ai do të luftojë me jetën dhe mendjen e tij për hir të Allahut.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Pas çlirimit të Mekës, u hoq detyrimi për të emigruar në Medinë.
  2. Nëse një vend bëhet tokë Islame, ai nuk duhet lënë për të shkuar në një vend tjetër. Por duhet të qëndrohet aty dhe të luftohet kundër së keqes. Nëse edhe kjo nuk ka dobi, atëherë mund të emigrohet në një vend ku Islami mund të jetohet lirisht.
  3. Myslimanët duhet ta mbajnë gjithmonë të gjallë shpirtin luftarak dhe kur të thirren për luftë, duhet t’i përgjigjen menjëherë.
  4. Myslimani që largohet nga vendi i tij në një vend të largët, për të marrë dije, fiton sevape sikur të kishte emigruar.
Share.

Comments are closed.