Politeistët që nuk nxorën dot gjë prej propozimeve që i bënë Ebu Talibit e që nuk mundën të sigurojnë ndonjë lëshim prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), e gjetën zgjidhjen duke iu drejtuar politikës së forcës. Në kohët e para nuk i prekën ata që kishin fis dhe familje të madhe, sepse ky qëndrim mizor ndaj muslimanëve nuk kishte marrë ende një karakter të përgjithshëm.

Në këtë mes, ata që iu nënshtruan torturave e mundimeve të politeistëve në fillim qenë më shumë të vetmuarit, shërbëtorët dhe skllevërit. Mbi ta pothuaj s’u la torturë pa u kryer!…

Hz. Habbabi (r.a.) qe shtrirë mbi prush dhe ishte mbajtur ashtu, duke i rënduar mbi gjoks, gjersa prushërat ishin shuar nga dhjamrat e tretura nga trupi i tij!

Habbabi (r.a.) ishte hekurpunues. Shumë nga politeistët i detyroheshin të holla dhe, kur shkonte t’ua kërkonte, i thoshin:

“Në fillim mohoje Muhammedin, pastaj t’i japim ato që ke për të marrë!”

Kurse ai, duke lënë mënjanë interesin e kësaj bote të vdekshme, parapëlqente lumturinë e amshuar:

“Unë kurrë s’e mohoj atë! Unë jam bashkë me të!”

Njërën nga mundimet që pati hequr e tregon vetë kështu:

“Një ditë pata shkuar te As bin Vaili për të marrë ç’më detyrohej. Ai më tha:

“Nuk do të t’i jap paratë gjersa të mos e kesh mohuar Muhammedin!”

Kurse unë ia ktheva:

“Unë s’kam për ta mohuar Muhammedin gjersa ti të vdesësh, madje, gjersa të ringjallesh!”

“Domethënë, unë tani do të vdes dhe pastaj do të ringjallem, ë?” – Më pyeti ai.

“Po!” – Iu përgjigja unë.

As bin Vail më tha:

“Në është kështu, kur të ringjallem, do të kem pasuri dhe do të ta paguaj borxhin!”

Atëherë, zbritën këto ajete:

 “A e pe atë që i mohon ajetet tona dhe thotë “mua, sigurisht, do të më jepen pasuri dhe bij”? A mos ai (qafir) e di të fshehtën? Apo mos mori ndonjë lajm nga lartësia e Allahut mëshirues? Jo, kurrë! Ne do t’i shkruajmë të thënat e tij dhe do t’ia shumëfishojmë ndëshkimin! Do t’ia marrim ato për të cilat flet (pasurinë dhe bijtë) dhe ai do të vijë te Ne i vetëm!” (Merjem, 77-80) (Buhari, Tefsir, 19/3; Muslim, Munafikin, 35-36; Tirmidhi, Tefsir, 19/3162)

Edhe e zonja e Habbabit (r.a.), Ummu Enmar nuk mbetej pas të tjerëve në torturat ndaj tij. Ajo skuqte një hekur në zjarr dhe me të ia damkoste kokën Habbabit. Hz. Habbabi shkoi te i Dërguari i Allahut për t’u ankuar për të. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u lut:

“Allahu im, ndihmoje Habbabin!”

Pas kësaj lutjeje, Ummu Enmar u kap nga një sëmundje e trurit dhe nisi të lehte si qen. Atë e këshilluan ta digjte kokën me hekur të skuqur. Dhe ajo u detyrua t’i kërkonte ndihmë Habbabit. Habbabi (r.a.) merrte një hekur, e skuqte në zjarr dhe pastaj ia përcëllonte kokën Ummu Enmarit!222

Edhe Hz. Bilali (r.a.)ishte njëri që u qe nënshtruar torturave më të pamëshirshme. Zotëria i tij, Umejje, i bënte Bilalit tortura që s’ta merrte mendja. E linte shtrirë mbi rërat e nxehta të shkretëtirës duke i vënë sipër gurë të mëdhenj dhe, disa herë, e hiqte zvarrë nëpër sokakët e Mekës. Pasi e linte Bilalin (r.a.) një ditë e një natë pa ujë, i veshte një këmishë hekuri, e nxirrte mbi rërat e nxehta nën diellin përvëlues dhe e mbante ashtu gjersa t’i tretej yndyra e trupit nga nxehtësia.

Pavarësisht nga torturat e ndryshme që i bënin politeistët, Bilali (r.a.) nuk pranonte të thoshte ashtu siç kërkonin ata, por përsëriste pa pushim:

“Ehad, Ehad, Ehad!” (“Një, një, një, Allahu është një!)!”

Persekutimet që u bëheshin muslimanëve nuk merrnin fund vetëm me vuajtje dhe mundime. I ati i Ammarit (r.a.), Hz. Jasiri nuk i tha ato që ia kërkonin politeistët t’i thoshte dhe vdiq nën torturat e tyre të rënda!

Edhe e ëma e Ammarit, Hz. Thumejje (r.anha), pasi iu nënshtrua torturave të rënda, pasi u lidh për këmbësh mes dy deveve, u copëtua egërsisht dhe vdiq në mënyrë tragjike si dëshmore e Islamit!

Kështu, familja Jesir (r.anhum) u bënë dëshmorët e parë të Islamit.

Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) rastisi në këtë familje të bekuar kur po torturoheshin, dhe u tha:

“Duroni, o familja Jasir! Gëzohuni, o familja Jasir! Pa dyshim, pozita juaj është xhenneti!” (Hakim, III, 432, 438)

Edhe Hz. Ammari (r.a.)227 u qe nënshtruar sa e sa torturave dhe mundimeve!

Një ditë, politeistët Kurejshë e kapën Hz. Ammarin dhe duke ia futur kokën në një pus, i thanë:

“Nuk do të të lëshojmë gjersa ta fyesh Muhammedin dhe t’i lavdërosh Latin dhe Uzzën!”

Të Dërguarin e Allahut e lajmëruan:

“O i Dërguari i Allahut, Ammari qenka bërë qafir!”

Kurse Profeti (s.a.s.) tha:

“Jo, Ammari është nga maja e kokës te thoi i mbushur plot besim! Besimi është përzierë me gjakun dhe mishin e tij!”

Në atë mes, Ammari (r.a.) erdhi te Profeti. Sahabiu i bekuar qante…Duke ia fshirë lotët me dorën e vet, i Dërguari i Allahut e pyeti:

“Ç’të ka ndodhur, o Ammar?”

Ammari (r.a.) iu përgjigj:

“O i Dërguari i Allahut! Nuk më lëshuan gjersa të fyeva ty dhe gjersa thashë se idhujt e tyre janë më të mirë se feja jote!”

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e pyeti:

“Ç’ndjeje me zemër kur i thoshe këto?”

Ammari iu përgjigj:

“Zemrën e kisha të qetë me besimin ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kurse besnikërinë ndaj fesë, më të fortë se hekuri!”

Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ndërsa nga njëra anë ia fshinte lotët Ammarit, nga ana tjetër thoshte:

“O Ammar, po qe se ata të shtrëngojnë prapë t’i thuash këto fjalë, thuaji!”

Pas kësaj ngjarjeje, zbriti ky ajet:

 “Me përjashtim të atyre që shtrëngohen (për të dalë nga feja) ndërsa i kanë zemrat të ngopura me besim, atyre që, pasi kanë besuar, ia hapin zemrën mohimit, patjetër do t’u bjerë një ndëshkim nga Allahu dhe për ta do të ketë një mundim të madh!” (en-Nahl, 106) (Ibni Sa’d, III, 249; Ibni Ethir, el-Kamil, II, 67; Hejsemi, IX, 295; Vahidi, f. 288-289)

Kjo ngjarje është një argument juridik se një shprehje kundër besimit mund të thuhet vetëm në kushtet e kërcënimit me vdekje, kurse në kushte të tjera nuk është e lejueshme (xhaiz).

Share.

Comments are closed.