A nuk mendon njeriu, i cili zotëron mendje dhe gjykim të shëndoshë, se me çarjen e një fare të vetme fillon gëzimi pranveror dhe se gjithçka në gjithësi, që nga bota mikro deri tek ajo makro vazhdon të funksionojë me një rregull dhe harmoni madhështore!? Por, kush është artisti i kësaj harmonie? A nuk është shkak frymëzimi për njerëzit që meditojnë ky rend kaq i përsosur i gjithësisë me të cilin mahnitet mendja njerëzore? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, gjenden në Kuranin Famëlartë në formën më të bukur. Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur!” (Duhan, 38.)

“Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi kri­juar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” (Mu’minun, 115.)

“Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?” (Kijame, 36.)

Njeriu duhet të jetojë me vetëdijen e këtyre të vërtetave. Madje, arritja e kësaj vetëdijeje gjatë periudhës së rinisë, është një çështje mjaft e rëndësishme.

Rinia merr vlerë aq sa per-ceptohet edhe entuziazmi i besimit. Një rini që e hedh mbrapa botën e përhershme dhe ka mall vetëm për këtë botë, duke harruar të vërtetat si besimi, vdekja dhe ahireti, shkatërron edhe veten, edhe shoqërinë.

Mevlana i nderuar, nje­rëzve të tillë i drejtohet në këtë mënyrë:

“Eja në vete, o udhëtar! Erdhi mbrëmja dhe dielli i jetës është në perëndim e sipër… Për sa kohë ke fuqi e energji, bëhu bujar dhe vepro mirë në këtë jetë dyditore!..”

Mbille mirë farën e jetës që ke në dorë dhe fito një jetë Xheneti përmes kësaj jete të përkohshme… Thirri mendjes dhe rregulloje fitilin e kandilit të kësaj jetë shumë të vyer, pa u fikur ende; vendosja shpejt vajin… pra, kaloji ditët e fundit me vepra të mira dhe adhurime! Zgjoje kandilin e zemrës tënde!

Thirri mendjes dhe këtë punë mos e lër për nesër, sepse shumë të nesërme kanë ardhur dhe kanë ikur! Fillo menjëherë punën me pendim e përgjërim për falje, që mos të të kalojë stina e mbjelljes!

Dëgjoje këshillën time! Egoja është një nyjë e fortë që na pengon për mirësi. Ajo të bëhet pengesë në rrugën e Zotit. Nëse do të rinovohesh dhe të korrigjohesh, flake tutje të vjetrën, hiq dorë nga dëshirat e trupit dhe kërko kënaqësitë, entuziazmin dhe shijen shpirtërore!”

Allahu i Madhëruar, e ka krijuar njeriun vetëm që të jetë robi i Tij. Përsosmëria e besimit arrihet atëherë kur njeriu bëhet vetëm rob i Zotit dhe kur nuk pranon të bëhet rob i të përkohshmëve dhe interesave.

Muhamed Ikbali i fton ata që janë bërë skllevër

të nefsit dhe të përkohshmëve që të mendojnë dhe të zgjohen nga gjendja e tyre, duke u thënë;

“Unë nuk kam parë asnjë qen që t’i përulet e t’i bëjë sexhde një qeni tjetër.”

Allahu i Madhëruar, gjithçka ndodhet në qiej dhe në Tokë e ka vënë në shërbim të atyre që do ta adhu­rojnë Atë.16 Dhe për ta bërë këtë adhurim me dashuri, pasion dhe entuziazëm, u ka dhuruar atyre veti shpir­tërore, si meditimin, ndjenjën, dashurinë etj.

Edhe një i verbër e kupton lindjen e Diellit prej nxehtësisë së tij. Për rrjedhojë, është shumë e hidhur të shohësh që një njeri me mendje dhe arsye, të qëndrojë i mefshtë dhe i vrenjtur përballë manifestimeve të fuqisë hyjnore. E në fakt, për ata që kanë zemër të gjallë, që prej thërrmijave më të vogla, e deri tek objektet më gjigande, gjithçka është dëshmues i fortë i madhësh­tisë dhe fuqisë hyjnore. Pra, një vitrinë madhështore e artit hyjnor.

Prandaj, objektivi i njeriut duhet të jetë kuptimi i së vërtetës, angazhimi me të dhe përgatitja për botën tjetër, që është e ardhmja e tij e vërtetë. Po ashtu, duhet që ai të mos mashtrohet me zbukurimet dhe stolitë e kësaj bote.

Sa bukur e ka kraha­suar Mevlana rininë me pleqërinë:

“O ti që kafshon buzën përballë bukurisë së pran­verës! Shih edhe gjendjen e zverdhur dhe ftohtësinë e vjeshtës! Kur shikon lindjen e Diellit të bukur në agim, kujto edhe kohën e perëndimit, që është vdekja

e tij! Nën këtë çardak të këndshëm, në këtë natë me dritë hëne, ti sheh bukurinë vezulluese të Hënës së plotë; por, pa mendo edhe mallin që ndjen ajo për gjendjen e saj kur është në formë drapri, e hollohet porsi hark në fund të muajit!

Edhe njeriu këtë aventurë jeton. Pjekuria dhe bukuria e tij, në fund të fundit janë të dënuara të asgjësohen. Sot e sheh fëmijë të bukur që e duan të gjithë. Por nesër kthehet në një plak matuf, me të cilin qeshin njerëzit!

Nëse më parë të kanë quajtur bukuri lëkurë argjendtë, shikoje trupin tënd pas pleqërisë që është bërë si arë pambuku! O njeri që të shkëlqejnë sytë kur sheh ushqime të shijshme! Çohu njëherë e shko në tualet të shohësh fundin e tyre! Thuaji asaj ndyrësie: «Ku e ke atë bukuri, atë lezet, shije dhe hijeshi kur ishe në pjatë?» Dhe do të përgjigjet: «Ato që ti numërove ishin gonxhe. Ndërsa unë isha një kurth i ngrehur. Kur erdhe ti dhe re në kurth, gonxhet u shkrinë, u venitën dhe u kthyen në skorie.»

Ka duar të afta, të cilat i mahnitin mjeshtrat, por që në fund i kapin dridhjet. Po kështu, një sy të kristaltë me shikim të mprehtë, në fund e sheh në gjendje të rënduar dhe të përlotur! Ndodh që edhe një luftëtar trim, i cili sot ecën përkrah luanëve, një ditë të mposhtet nga një i dobët si mi.

Po ashtu, edhe një kaçurrele dredha-dredha me aromë të këndshme, që të merr mendtë, në pleqëri shëmtohet si bishti i gomarit të bardhë.

Sa më shumë që dikush të këtë shpëtuar nga robëria e egos dhe mashtrimi i hijeve, aq më shumë është afër Allahut.

O njeri! Nga kjo botë vijnë dy zëra të kundërt me njëri – tjetrin. Vallë, cilin prej tyre është i aftë të pranojë veshi i zemrës tënde? Njëri prej zërave është gjendja e atyre që i afrohen Allahut, ndërsa tjetri gjendja e të mashtruarve. Nëse e pranon njërin nga këta zëra, tjetrin as që e dëgjon, sepse ai që dashuron, është i verbër dhe i shurdhër ndaj të kundërtave të asaj që do. O udhëtar! Shiko imazhin e fundit në pasqyrë! Mendo që një bukuri, do të shëmtohet në pleqëri dhe një ndërtesë do të rrënohet… prandaj mos u mashtro me gënjeshtrën në pasqyrë!..”

Share.

Comments are closed.