Mrekullitë që tregoi Musai (a.s.), i përmbysën ndjenjat arrogante të faraonit, i cili i la mënjanë pretendimet për hyj dhe mbeti i detyruar të marrë këshilla nga njerëzit përreth:

“Ata thanë: «Lëre këtë dhe vëllain e tij për pak kohë dhe ço lajmëtarë nëpër qytete, që të t’i sjellin ty të gjithë magjistarët e dijshëm».” (Shu’ara, 36-37)

Atë kohë magjia kishte përparuar shumë. Prandaj, faraoni e pranoi menjëherë këtë propozim, duke shpresuar se do të dalë ndonjë magjistar, i cili do ta mundë Musain (a.s.). Lidhur me këtë, Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Ne ia treguam atij (Faraonit) të gjitha shenjat Tona, por ai i mohoi, nuk pranoi (të besonte) dhe tha: «O Musa, a ke ardhur që të na nxjerrësh nga toka jonë me magjinë tënde?! Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. Cakto, midis nesh dhe teje, një takim në një vend të sheshtë, ku nuk do të mungojmë as ne, as ti!»

(Musai) tha: «Takimi me ju është në ditën e kremtes dhe njerëzia le të tubohen paradite».

Faraoni u largua, i mblodhi magjistarët e vet e pastaj erdhi.” (Ta-Ha, 56-60)

“Magjistarët u mblodhën në ditën e caktuar, e popullit iu tha: «A jeni mbledhur të gjithë?» (Shu’ara, 38-39)

Ditën e përballjes, ishin mbledhur të gjithë. Populli mezi priste të shihte ato që kishin për të ndodhur.

“Kur erdhën magjistarët, i thanë Faraonit: «Vërtet do të shpërblehemi, nëse dalim fitues?» Ai u përgjigj: «Po, madje do të jeni vërtet ndër të afërmit e mi».” (Shu’ara, 41-42)

Më pas, faraoni i pyeti magjistarët: “Mirë, po a do të mund të dilni fitues mbi Musain?”

Kryemagjistari tha: “Ne jemi në kulmin e magjisë! Nuk ka njeri mbi tokë që ta dijë këtë punë më mirë se ne! Pra, ne jemi maja e majave në çështje të magjisë! Padyshim se ne jemi më të fortët.!”

Kurse Musai (a.s.), i paralajmëroi magjistarët:

“Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Padyshim se, ata që trillojnë gënjeshtra do të dështojnë!” (Ta-Ha, 61)

Mirëpo, faraoni, për t’u dhënë zemër magjistarëve, përpiqej t’ua prezantonte Musain (a.s.), si magjistar.

“Ata diskutuan me njëri-tjetrin për punën e tyre, duke pëshpëritur fshehurazi. Njëri prej tyre tha: «Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë.»” (Ta-Ha, 62-63)

Pas këtyre fjalëve, Musai (a.s.), tha:

“Prandaj, bashkojini dredhitë (magjitë) tuaja dhe ejani me radhë. Sot do të shpëtojë ai që ka epërsi!” (Ta-Ha, 64)

Megjithatë, magjistarët, duke treguar respekt për Musain (a.s.), i thanë:

“Ata thanë: «O Musa, ose hidh ti, ose t’i hedhim ne të parët».

Ndërsa Musai (a.s.), tha: «Jo, hidhni ju!..»” (Ta-Ha, 65-66)

“Ata hodhën litarët dhe shkopinjtë e tyre dhe thanë: «Për madhërinë e Faraonit, me të vërtetë, Ne patjetër do të jemi fitues!»” (Shu’ara, 44)

“Dhe ja, tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre. Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete. Ne i thamë:

«Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh! Hidhe atë që mban në dorën e djathtë! Ai do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet».” (Ta-Ha, 66-69)

Pas kësaj, Musai (a.s.), mblodhi veten dhe iu largua e gjithë frika që ndiente.

“Kur ata i hodhën, Musai tha: «Kjo që keni sjellë ju, është magji dhe vërtet, Allahu do ta shkatërrojë atë. Allahu, me siguri që do ta prishë punën e ngatërrestarëve.»” (Junus, 81)

Siç kuptohet nga ajeti, magjia s’është gjë tjetër veçse mashtrim dhe iluzion.

“Pastaj, Musai hodhi shkopin e tij, që i kapërdiu përnjëherësh sajimet e tyre të rreme!” (Shu’ara, 45)

Magjistarët bien në sexhde

Magjistarët hodhën disa shkopinj dhe litarë para syve të faraonit dhe popullit. Ato filluan të dridhen dhe të duken si gjarpërinj. Mirëpo, me ta hedhur Musai (a.s.), shkopin me urdhrin hyjnor, ai u kthye në gjarpër të madh që gëlltiti të gjitha mjetet e magjisë së magjistarëve.

Magjistarët, e kuptuan se kjo nuk ishte mjeshtëri njerëzore, por një mrekulli hyjnore, sepse, po të ishte punë njeriu, sapo të merrte fund magjia, shkopinjtë dhe litarët e tyre do të mbeteshin prapë aty në vend. Mirëpo, ashtu siç u prish dhe u shkatërrua magjia, ashtu edhe shkopinjtë dhe litarët u zhdukën përfundimisht.

“Në këtë mënyrë, doli në shesh e vërteta dhe dështoi ajo që kishin bërë ata.” (A’raf, 118)

“Atëherë magjistarët ranë përmbys, duke bërë sexhde dhe thanë: «Ne besojmë në Zotin e botëve, Zotin e Musait dhe të Harunit!»

(Faraoni) tha: «I besuat atij (Musait) para se t’ju lejoja unë! Patjetër që ai është i madhi juaj, i cili ju ka mësuar magjinë. Ta dini se unë, në të vërtetë, do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja tërthorazi dhe do t’ju kryqëzoj të gjithëve!»” (Shuara, 46-49)

Jeta e një lidhjeje dhe uniteti të mbështetur në interes, zgjat aq sa vazhdon edhe interesi! Nëse magjistarët, nuk do të besonin dhe do të vazhdonin ta mbështesnin faraonin, do të nderoheshin dhe do të notonin në të mira. Mirëpo, sapo besimi ua ndriçoi zemrat dhe i udhëzoi, ata zgjodhën mirësitë e përjetshme, ndaj të mirave të përkohshme.

(Magjistarët) u përgjigjën: «Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!»” (Ta-Ha, 72)

Më pas:

“Ata thanë: «S’ka gjë! Sigurisht, Ne do të kthehemi te Zoti ynë.»” (Shu’ara, 50)

Duart dhe këmbët që do priteshin tërthorazi, i përkisnin kësaj bote. Në fund të fundit, trupi është një kurban që do t’i jepet tokës. Trupi ka veçorinë e përkohshmërisë (vdekjes), ndërsa shpirti ka veçorinë e përhershmërisë, (pavdekshmërisë). Nuk mund të zgjidhet e përkohshmja para të përhershmes. Për këtë arsye, kur magjistarët panë mrekullitë e qarta, mbajtën një qëndrim, që siç tregohet në ajet, faraoni nuk e priste, duke thënë:

“E keqja jote nuk mund të na dëmtojë ne! Dëmi yt i përket kësaj bote, kurse lumturia e jetës tjetër është e përjetshme!”

“Ne besojmë në Zotin tonë, që të na i falë gabimet dhe magjitë, për të cilat na ke detyruar ti. Allahu është më i Miri dhe i Përjetshmi.” (Ta-Ha, 73)

“Ne shpresojmë se Zoti ynë do të na i falë gjynahet, meqë jemi besimtarët e parë.” (Shu’ara, 51)

Pastaj, iu përgjëruan Allahut me këto fjalë:

“…O Zoti ynë, na jep durim të madh dhe bëna të vdesim myslimanë!” (A’raf, 126)

Si përfundim, magjistarët që në mëngjes dolën përballë Musait (a.s.), si mohues, pas një kohe të shkurtër, u ekzekutuan të gjithë dhe u bashkuan me Zotin e tyre si besimtarë dhe dëshmorë.

Mendimtari i famshëm turk, Xhelaleddin Rumiu, Mevlana -Allahu e mëshiroftë-, në veprën e tij “Mesnevi”, thotë se: Magjistarët, u nderuan me besimin e vërtetë monoteist, për shkak të konsideratës dhe respektit që treguan ndaj një profeti të lartë, një robi të afërt të Zotit. Mirëpo, për shkak se gabuan rëndë, duke dalë përballë atij profeti të lartë, ata pësuan edhe ndëshkimin.

Me të vërtetë që, magjistarëve iu dhurua besimi për shkak se treguan sadopak respekt për Musain (a.s.). Në fakt, dashuria ndaj atij që e meriton dhe armiqësia ndaj atij që e ka bërë hak është një faktor i rëndësishëm që e lartëson jetën e njeriut.

Mevlana, urtësinë e kësaj ndodhie e analizon në këtë mënyrë:

“Faraoni i mallkuar e mizor, duke i kërcënuar me vdekje magjistarët për shkak të besimit të tyre, u tha: «Do t’jua pres tërthorazi këmbët e duart dhe pastaj do t’ju var!»

Atë çast, faraoni pandehu se magjistarët do të trembeshin dhe do t’i përuleshin atij duke u dridhur. Mirëpo, faraoni nuk e dinte se magjistarët kishin shpëtuar prej shqetësimit e frikës dhe kishin njohur të vërtetën hyjnore!

Edhe sikur të bluheshin njëqind herë e të bëheshin miell, tashmë ata nuk kthenin, sepse ishin treguar të aftë ta ndanin hijen prej trupit të vet! (Pra e kishin kuptuar se shpirti është esenca, ndërsa trupi është thjesht një hije.)

O njeri! Kjo botë është vetëm gjumë dhe ëndërr. Ti mos u mashtro prej shkëlqimit dhe pompozitetit të saj! Edhe sikur të të pritet dora në ëndërr apo të të grihet trupi copë-copë, ti mos ki frikë!”

 

Share.

Leave A Reply