Ebu Abdurrahman Abdullah Ibni Omer Ibni’l-Hatab (r.anhuma), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Me të vërtetë që Allahu i Gjithëfuqishëm e pranon teuben e robit derisa nuk i ka ardhur ende fryma e fundit.”

(Tirmidhi, Dauat, 98. Shih. Ibni Maxhe, Zuhd, 30.)

Shpjegime

Edhe ky është një nga hadithet që thekson se teubeja nuk ka ndonjë kohë të veçantë dhe se njeriu mund ta bëjë atë në çdo kohë. Në Hadithin e mëparshëm, çështja u trajtua në planin e gjithë njerëzimit, duke theksuar se teubeja do të pranohet derisa të vijë fundi i botës. Ndërsa këtu, çështja është trajtuar në planin individual, ku është theksuar se kiameti i çdo njeriu është vdekja.

Një nga dobësitë më të mëdha të birit të njeriut, është dëshira për të jetuar gjatë. Në çfarëdo moshe të jetë, ai mendon se ka edhe shumë vite përpara. Pra, ëndërron të jetojë së paku edhe për një kohë shumë të gjatë. Për këtë arsye, ai pandeh se ka edhe shumë kohë për t’u penduar nga gjynahet. Kjo është e njëjta mendësi që i mashtron edhe ata që thonë se do ta fillojnë adhurimin pas moshës dyzetë apo pesëdhjetë vjeç.

Një nga faktorët që e bëjnë njeriun neglizhent në lidhje me teuben, është edhe mendimi i gabuar se, sido që të jetë, ai do ta prishë përsëri teuben me një gjynah tjetër. Ata pandehin se të bësh gjynah pasi të kesh bërë teube, është më e gabuar. Prandaj ata e shtyjnë teuben për një kohë tjetër. Mirëpo, kjo mendësi buron nga mosnjohja e mirë e fesë Islame. Më sipër, në një Hadith pamë se i Dërguari i Allahut bënte teube më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë. Ndërsa në një hHadith tjetër, thuhet se ai bënte teube njëqind herë në ditë. Edhe pse i Dërguari i Allahut (a.s.), ishte një njeri i ruajtur nga gjynahet, ai besonte se ishte e nevojshme të bënte teube kaq herë në ditë. Siç e kemi theksuar edhe në shpjegimin e Hadithit 17, Allahu i Madhëruar kënaqet sa herë që një rob bën teube dhe thotë: “Robi im bëri një gjynah dhe e diti se ka një Zot që e fal gjynahun dhe që do ta marrë në llogari për atë gjynah”.

Nisur nga kjo, mund të themi se nuk ekziston diçka si “prishja e teubes”. Çdo teube bëhet për faljen e një gjynahu të mëparshëm. Nëse përsëritet gjynahu, përsëritet edhe teubeja. Padyshim se ne dëshirojmë të mos bëhen përsëri gjynahe. Por, është e pamundur që njeriu të shpëtojë plotësisht nga gjynahet dhe të bëhet i pastër si melekët.

Prandaj, teubeja nuk duhet vonuar kurrë, duke menduar se e bën më vonë, sepse vdekja nuk dihet se kur vjen. Pasi të kesh rënë në krahët e vdekjes dhe të shohësh të gjithë të vërtetën në mënyrë të qartë, teubeja nuk ka më asnjë dobi. Këtë të vërtetë, Kurani Fisnik e ka shprehur me këto fjalë:

“Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: «Unë tani me të vërtetë po pendohem». As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë…” [Nisa, 18.] Nga kjo kuptohet se teubeja në krahët e vdekjes nuk ka asnjë dobi.

Në të njëjtën mënyrë, nuk do t’i jepet vlerë as fjalës së atij që nuk e jep zekatin kur është shëndoshë e mirë, por, kur vdekja i bëhet e sigurt, thotë: “…O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë, do të kisha dhënë lëmoshë dhe do të bëhesha ndër të mirët!” [Munafikun, 10.]

E në fakt, ekziston një e vërtetë e pandryshueshme: Teubeja nuk ka asnjë vlerë kur shpirti vjen në fyt dhe dera e teubes është mbyllur, sepse “Allahu nuk ia shtyn afatin asnjë shpirti, që i vjen koha e vdekjes!..” [Munafikun, 11.]

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Allahu i Madhëruar i pranon teubet që bëhen para se të vijë shpirti në fyt.
  2. Njeriu nuk duhet të mendojë se ka kohë për të bërë teube, por duhet ta bëjë atë sa ka mendjen dhe vetëdijen.
  3. Në lidhje me teuben nuk duhet të tregohet dembelizëm dhe neglizhencë.
Share.

Leave A Reply