Ebu Hurejre (r.a.), transmeton si i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Kush bën teube para lindjes së Diellit nga perëndimi, Allahu do t’ia pranojë teuben!”

(Muslim, Dhikr, 43.)

Shpjegime

Lindja e Diellit nga perëndimi, është një prej shenjave të mëdha të Kiametit. Trupat qiellorë vazhdojnë udhëtimin e tyre brenda një rregulli të caktuar që prej kohës që janë krijuar, sepse kështu i ka programuar Fuqia HHyjnore që i ka krijuar. Kur Sunduesi i gjithësisë të vendosë t’i japë fund jetës së kësaj bote, do ta prishë këtë rregull preciz që ka krijuar. Dhe pikërisht në atë moment, Dielli do të lindë nga perëndimi. Ndërsa njerëzit që do ta shohin këtë, do ta kuptojnë pa asnjë mëdyshje se botës i ka ardhur fundi.

Mohuesit, të cilët do ta shohin lindjen e Diellit nga perëndimi, do ta kuptojnë të vërtetën dhe do të besojnë. Mirëpo, kjo nuk do t’u bëjë aspak dobi. Ky fakt na bëhet i ditur në këtë ajet fisnik:

“…Ditën kur të vijnë disa shenja të Zotit tënd, atëherë nuk do t’i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë ndonjë të mirë me besimin e tij!..” [En’am, 158.]

Ashtu siç nuk do të bëjë dobi besimi i mohuesit kur të shfaqen shenjat e Kiametit, ashtu nuk do të bëjë dobi as teubeja dhe istigfari që do të bëjnë besimtarët gjynahqarë, të cilët do ta kuptojnë qartë të vërtetën e tmerrshme. Pra, e rëndësishme është ta bësh gjithçka në kohën e vet. Sa është gjallë, njeriu duhet ta kuptojë se një ditë do të bëhet Kiameti dhe pas tij do të fillojë jeta e botës tjetër, ku ai do të japë llogari për ato që ka vepruar. Për rrjedhojë, ai duhet t’i braktisë sjelljet e këqija dhe duhet të përmirësojë veten.

Një nga pikat që e bëjnë njeriun të besojë në domosdoshmërinë e bërjes së teubes, është mënyra se si ai e shikon gjynahun. Një njeri i mirë, nuk ndjen simpati ndaj gjynahut dhe e konsideron atë një sjellje të shëmtuar. Ai mendon se vazhdimi i kryerjes së gjynaheve, është një mungesë respekti ndaj Allahut. Ai mërzitet për shkak të gjynahut të vet dhe preket në ndërgjegje. Lidhur me këtë çështje, sahabi i madh, Abdullah Ibni Mes’udi (r.a.), ka një shprehje të bukur që thotë:

“Besimtari i mirë, i zmadhon aq shumë gjynahet në imagjinatën e vet, saqë i duket sikur ndodhet në rrëzën e një mali që do t’i bjerë mbi kokë. Ndërsa gjynahqarët, e shohin gjynahun si një mizë që u ka qëndruar në hundë.” (Buhari, Dauat, 4.)

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Njeriu duhet të bëjë teube saherë që ka mundësi dhe të tregojë aftësinë që i ka dhënë Allahu për të korrigjuar gabimin.
  2. Allahu i Madhëruar e pranon teuben e robit të Vet derisa të bëhet Kiameti.
Share.

Leave A Reply