Ali Byjykçapar

Ndriçimi me dije i errësirës së jetës, duhet të jetë misioni ynë primar. Dihet mirë se sa zgjat jeta jonë si individë, por ne duhet të kuptojmë se si njerëzim kemi me mijëra vjet në këtë botë.

Çfarë është bota?

Ne ekzistojmë në sajë të cilësisë së “jetës” që zotëron Allahu i Madhëruar. U krijuam si njerëz dhe para nesh u vu synimi për ta merituar këtë nder. Për këtë arsye, Islami u caktua si kriter i kësaj. A ka mendjelehtësi më të madhe se sa t’ia atribuosh rastësisë gjithçka që ndodh, ndërkohë që në këtë jetë nuk ka asnjë mundësi të jetohet kot e rastësisht?

Mendja dhe pjekuria janë dy vlera të mëdha, në të cilat njeriu gjen kuptimin e ekzistencës së vet. Prandaj, pikërisht këtu e ka vendosur edhe feja islame fushën e ekzistencës. Dhe duke e përdorur këtë si referencë, i ka dhënë drejtim jetës prej kësaj pike.

Edukimi i mendjes është një fazë, e cila mund të realizohet mbi njerëzit e pjekur. Në këtë aspekt, gjykimi “kush nuk ka mendje, nuk ka fe”, është shumë i rëndësishëm. Jeta sociale që bëjmë dhe ndodhitë në botën që zhvillohet vazhdimisht, shtyjnë gjithmonë e më shumë që mendja të lihet jashtë funksionit.

Po përse ndodh kështu?

Pikërisht këtu shfaqet edhe një nga të fshehtat e sprovës së kësaj jete. Pranë mendjes duhet të merret edhe dija dhe duke i gatuar të dyja në zjarrin e dashurisë, duhet t’i shndërrojmë në shpirt. Fakti se dijet dhe njohuritë që ndikojnë në jetën tonë dhe na çojnë në thellësi mund t’i përmendim edhe sot, është për shkak se ato na kanë ardhur prej njerëzve të mëdhenj.

Në Kuranin Fisnik urdhërohet: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë!” (Enfal, 24)

Këta njerëz, që i quajmë pejgamberë, resulë, të dërguar e nebi, janë njerëzit që Allahu i Madhëruar i ka ngarkuar me detyrën për t’i njoftuar njerëzit me urdhrat, ndalesat dhe këshillat e Tij. Kjo dhuratë është si një shkëndijë në errësirat e zemrave dhe një ujë jetëdhënës që rrjedh drejt thelbit të ekzistencës. Pa pejgamberë, shpirtrat janë të shkretë dhe shpresat janë të pakuptimta.

Pejgamberët, tek të cilët janë mbledhur virtytet më të larta, janë si oaze jetëdhënëse.

Nëse shohim me vëmendje ato që kanë thënë pejgamberët, do të përballemi me një fushë dijeje, e cila përfshin gjithë jetën. Kjo derë e urtësisë, së cilës bota moderne ka dyqind vjet që i ka kthyer shpinën, vazhdon t’u falë jetë atyre që trokasin në të.

Ky botëkuptim, që i pajis besimtarët me fushën e besimit, adhurimit, moralit, drejtësisë, ekonomisë dhe estetikës, duke i mbajtur ata të gjallë në çdo aspekt të jetës, na thërret edhe neve pesë herë në ditë.

Të gjitha këto dije vijnë tek ne nëpërmjet Pejgamberit tonë (a.s.). Ai është resuli dhe nebiu i fundit i Allahut, i cili është dërguar për të gjithë njerëzimin. Pejgamberi ynë (a.s.), në të cilin ishin përmbledhur të gjitha virtytet e bukura, ishte përgëzues dhe paralajmërues. Ai posedonte moralin më të bukur.

Përpjekja që po bëhet sot për ta kuptuar Pejgamberin tonë (a.s.), me disa nocione të zbrazëta dhe të ngushtuara, na lëndon jashtë mase. Sa e hidhur është që Pejgamberi ynë (a.s.), të përmendet vetëm për “tolerancën”, ndërkohë që e gjithë jeta e tij ka qenë e përfshirë nga respekti, rregulli e disiplina!

Ne kemi shumë nevojë për fjalët e Pejgamberit tonë (a.s.), i cili ishte fjalëdrejtë, besnik, i pastër nga gjynahet dhe që i kumtoi njerëzimit të gjitha urdhrat dhe ndalesat që mori prej Allahut të Madhëruar.

Share.

Leave A Reply