Pas Sulejmanit (a.s.), bijtë e Izraelit, të cilët përbëheshin prej dymbëdhjetë fisesh, u ndanë në dy pjesë. Dhjetë fise prej tyre formuan shtetin e Izraelit, ndërsa dy fise, formuan shtetin Jehuda. Shteti Izraelit, i formuar prej dhjetë fisesh, u shkatërrua nga asurët më 721 p.e.r. Ndërsa shteti Jehuda, u shkatërrua nga sundimtari babilonas Buhtunnasr më 586 p.e.r., i cili dogji Kudsin, vrau shumicën e popullsisë dhe, ata që mbetën i degdisi në Babiloni. Buhtunnasri ishte një nga sundimtarët më mizorë që ka parë historia. Ai ndërtoi Babilonin dhe e bëri kryeqendër të vetën. Ndërsa në lindje dhe perëndim të mbretërisë së vet, nuk la askënd që mund t’i dilte kundër.
Ai shkoi aq larg në mendjemadhësi, sa e shpalli veten zot. Mirëpo, më në fund humbi mendjen dhe filloi t’i dukej vetja kâ. Për rrjedhojë, ai u end nëpër pyje për shtatë vjet. Ndërsa sundimin e mori në dorë gruaja e tij. Thuhet se një vit para vdekjes i erdhi sërish mendja dhe më pas vdiq.
Buhtunnasri e plaçkiti disa herë me radhë qytetin e Kudsit, duke e djegur dhe zhdukur nga faqja e dheut edhe Teuratin me Zeburin. Për rrjedhojë, me kalimin e kohës, shumë pjesë të Teuratit u harruan. Kur filloi shkrimi i Teuratit në bazë të atyre çka kishin mbetur në kujtesë, Teurati e kishte humbur plotësisht origjinalitetin e vet. Gjatë kësaj kohe dolën kopje të ndryshme të Teuratit që nuk përputheshin me njëra-tjetrën. Ezra (Uzejri), i cili ka jetuar përafërsisht në vitet 500 p.e.r, i ka mbledhur këto kopje të shkruara.
Kur sundimtari pers Nusheku (apo Koresh), i mundi babilonasit, i lejoi bijtë e Izraelit të riktheheshin në Kuds. Bijtë e Izraelit të cilët u vendosën në Kuds, në vitin 515 p.e.r., e riparuan edhe Mesxhdin Aksa. Në fillim jetuan nën sundimin e persëve, pastaj të maqedonasve. Ndërsa në vitin 63 e.r., kur romakët e pushtuan Kudsin, i larguan hebrenjtë prej aty dhe e shkatërruan përsëri Mesxhidin Aksa.
Shkaku që bijtë e Izraelit kanë pësuar kaq shumë fatkeqësi gjatë historisë, është pabindshmëria që kanë treguar ndaj Allahut dhe kalimi i kufijve në punë të këqija. Për shkak të kësaj pabindshmërie, ata ndërronin edhe fjalët e Zotit në Zebur dhe Teurat kur nuk i përshtatej qejfit dhe punëve të tyre, duke e prishur fenë e vërtetë që u kishte ardhur nga Zoti. Madje, ata i vranë pa mëshirë edhe profetët si Zekerijan (a.s.) dhe Jahjanë (a.s.), të cilët deshën t’i pengonin në punët e tyre të këqija.