Edukimi i fëmijëve e i të rinjve dhe përgatitja e tyre për jetën, është ideali më i rëndësishëm i çdo populli. Fëmijët dhe të rinjtë janë faktorët më kryesorë të së ardhmes dhe të pavarësisë. Ata janë burimi më i rëndësishëm i fuqisë së një familjeje, shoqërie dhe shteti. Për këtë arsye, popujt që e edukojnë rininë e tyre me kualitet duke marrë parasysh kushtet e kohës, kanë korrur shumë produktivitet.

Çështja më jetike për t’i përgatitur për jetën fëmijët dhe të rinjtë nga aspekti i myslimanëve, është edukimi i tyre duke u qëndruar besnikë fesë, atdheut, traditës dhe zakoneve të tyre. Nëse nuk do të kenë edukim fetar, ata do ta kenë shumë të vështirë të ruajnë identitetin e tyre dhe të mësojnë historinë e të kaluarën e tyre. Edukimi fetar është ai që mund t’i bëjë ata të formojnë lidhje me këto vlera.

Vlerësimi në këtë çështje që ka bërë psikiatri i njohur Ord. Prof. Dr. Maz’har Osman Uzmani, i cili flet për rëndësinë e edukimit fetar, është shumë i rëndësishëm:

“…Edukimi më themelor për shoqërinë në botë është feja. Frymëzimet e mëvonshme që u bëhen shoqërive, të cilat nuk mbështeten në përshpirtshmëri dhe që nuk kanë edukim fetar, nuk janë ndikuese, edhe nëse janë të forta. Çdo individ është i lidhur ndaj traditës fetare në mënyrë trashëguese dhe nga natyrshmëria e tij. Në edukimin familjar, që formohet mbi fenë, ka baza edhe më serioze. Sigurisht se edhe edukimi shkollor  është një edukim i fuqishëm, që duhet të respektohet, por nëse bazën e kësaj e formojmë që në fillim, ka më shumë produktivitet.

Edukimi fetar e mbron njeriun nga të këqijat dhe ligësitë që mund t’i bëjë vetes, familjes, atdheut, popullit dhe të gjithë botës. Në këtë periudhë është kuptuar se faktori i vështirësive që konsiderohen më materiale në jetë, është shpirtëror dhe psikologjik. Sëmundjet dhe hidhërimet më të rënda, qetësohen dhe shuhen me ngushëllime fetare dhe me lartësim të shpirtit. Të rinjtë që janë të lidhur me fenë, moralin e traditën dhe janë të edukuar në këtë mënyrë, bëhen njerëzit më fatlumë, sidomos nëse u jepet edhe edukimi kulturor e civil. Kudo që të shkoni nëpër botë, do të shikoni se edhe njerëzit me kulturën më të lartë, janë të lidhur ndaj fesë, popullit, familjes, nderit dhe traditës. Një njeri që nuk di të respektojë fenë dhe moralin, e ka shumë të vështirë të respektojë ligjin.”[1]

Çështjen bazë të edukimit fetar e formon mësimi i Kuranit.  Kurani Fisnik e mbron, e zhvillon dhe e forcon natyrshmërinë e pastër e të dëlirë të fëmijëve dhe të rinjve, që akoma nuk kanë bërë mëkate. Myslimanët e dinë këtë të vërtetë dhe për këtë arsye, e kanë pranuar si detyrë themelore mësimin e Kuranit fëmijëve të tyre që në moshë të vogël dhe janë përqendruar në këtë aspekt.

Kurani është një libër jete. Ky është parimi i parë që duhet t’ua bëjmë të qartë dhe t’ua theksojmë fëmijëve dhe të rinjve kur t’u mësojmë Kuranin.  I Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem dhe shokët e tij të zgjedhur, u kapën fort pas Kuranit, duke e pranuar atë si një libër jete dhe zbatimin e urdhrave të tij e kishin parim themelor.

Hazreti Aisheja e pyeti kështu një sahabi, i cili dëshironte të mësonte moralin e Pejgamberit, alejhisselam, nga ajo: “Ti e lexon Kuranin, apo jo?” Sahabiu iu përgjigj: “Po, e lexoj.” Pastaj Hazreti Aisheja, radijallahu anha, i tha: “Ja, morali i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ishte Kurani.”[2]

Siç shprehet qartë edhe në hadithin fisnik, morali i të Dërguarit të Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, ishte vetë Kurani Fisnik. Ai ishte dëshmitari i gjallë i Kuranit. Te Ai gjendeshin të gjitha atributet etike, për të cilat bëhet fjalë në Kuran. Ai, sallallahu alejhi ve sellem, ka zbatuar çdo gjë që ka urdhëruar Kurani dhe është larguar nga të gjitha të këqijat e mëkatet që i ka ndaluar ai. I Dërguari i Allahut, alejhissalatu vesselam, nuk është ndarë kurrë nga rruga e drejtë që ka përkufizuar urdhri hyjnor:

Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar”.[3]

Madje, Hazreti Pejgamberi u ndikua aq shumë nga ky ajet, saqë tha: “Mua më ka plakur surja Hud.”[4] Në këtë mënyrë, tregoi thellësinë dhe madhështinë e mesazhit që përfshin ajeti.[5] Hazreti Pejgamberi ishte një Kuran i gjallë. Edhe sahabët e nderuar u bënë shembull për të gjithë umetin, duke ndjekur të njëjtën rrugë.

Ibn Mes’udi dhe Ubeji, radijallahu anhuma, transmetojnë se i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, u mësonte atyre nga dhjetë ajete. Ata nuk kalonin te dhjetë ajetet e tjera pa i zbatuar dispozitat që gjendeshin në dhjetë ajetet e para. Hazreti Pejgamberi ua mësonte atyre Kuranin dhe të punuarit me Kuranin. Abdurrahman es-Sulemi tregon: “Kur mësonim dhjetë ajete nga Kurani, nuk mësonim ajete të tjera pa i mësuar mirë urdhrat, ndalesat, hallallin dhe haramin që përfshinin ato dhjetë ajete.”

Imam Maliku transmeton se Ibn Amri e ka mësuar suren el-Bakara për dymbëdhjetë vjet. Kur e kishte përfunduar, kishte prerë një deve. Ndërsa Abdullah bin Mes’udi ka thënë: “Ne e kishim të vështirë të mësonim përmendsh Kuranin. Por e kishim të lehtë të punonim me të. Ndërsa, ata që vijnë pas nesh, e kanë të lehtë për ta mësuar Kuranin përmendsh, por e kanë të vështirë për të punuar me të.” Thuhet se edhe Umer bin Hattabi, radijallahu anh, e ka mësuar suren el-Bakara për dhjetë vjet dhe kur e ka përfunduar, ka prerë një deve për të falënderuar Allahun Teala.[6]

Ne duhet ta gdhendim në vetëdijen e fëmijëve se Kurani është një libër jete dhe se nuk është dërguar vetëm për ta lexuar e mësuar përmendsh. Po ashtu, duhet ta theksojmë seriozisht se parimet e dispozitave të tij, duhet të zbatohen në jetë. Kurani i urdhëron kështu të gjithë besimtarët në lidhje me këtë çështje:

“O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë!”[7]

Gjërat që u japin jetë besimtarëve janë urdhrat dhe ndalesat e Allahut Teala dhe të të Dërguarit të tij, sallallahu alejhi ve sellem. Pa dyshim se në çdo urdhër të Allahut Teala, ka urtësi dhe jetë. Çdo urdhër që vjen nga Allahu (xh.xh.), duhet të pranohet dhe të zbatohet. Kur t’u mësojmë Kuranin fëmijëve dhe të rinjve, vetëdijen e nënshtrimit ndaj Allahut Teala që shprehet në ajetin e mëposhtëm, duhet t’ua japim me përkujdesjen më të madhe. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

“I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): ‘Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij’. Ata thonë: ‘Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë dhe te Ti do të kthehemi!”[8] Mësimi, leximi dhe mësimi përmendsh i Kuranit Fisnik, domosdoshmërish duhet të formohet mbi bazën e ajetit të mësipërm dhe kjo duhet të shpjegohet me insistim.

I ndjeri Alija Izetbegoviçi, që myslimanët e Bosnjës e quajnë “Mbreti i ditur”, thotë se myslimanët e sotëm i kanë dhënë më shumë rëndësi zbukurimit të Kuranit se sa përmbajtjes së tij dhe duke u shprehur se edhe fëmijët edukohen brenda kësaj kornize, në lidhje me këtë çështje bën këtë koment të rëndësishëm:

“Gjendja e Kuranit në botë po shfaq një situatë shumë tragjike. Në çdo shtëpi, do ta gjeni atë në një vend të veçantë dhe të lartë. Ai pranohet si dhurata më e bukur, për këtë arsye, përdoret letra më cilësore në botimin e tij. Madje, njerëzit sot po garojnë për të përdorur kaligrafinë më të mirë dhe për ta zbukuruar kopertinën e faqet e tij në mënyrën më fantastike. Gjëja e parë që lexon dhe mëson fëmija është Kurani, por krahas kësaj, pjesa dërmuese e këtyre fëmijëve, do të rriten dhe plaken pa e mësuar përmbajtjen dhe rëndësinë e vërtetë të Kuranit Fisnik. Kurani është një simbol i padiskutueshëm, por e ka humbur të qenët ligj. Ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta.

Vini re, në vend që njerëzit të lexojnë Kuranin, ata e zbukurojnë me zë të bukur dhe e komentojnë. As arabët dhe as joarabët, tashmë nuk mund ta kuptojnë Kuranin. Për shkak të melodisë së pashoqe të tij, askush nuk po i njeh më ligjet e tij në formë urdhri të prerë dhe absolut, nganjëherë paralajmërues të ëmbël dhe ftues e nganjëherë kërcënues dhe që kërkojnë që jeta e njeriut të ndryshojë e tëra.”[9]

Çështja më kryesore, të cilën duhet ta shtjellojmë kur t’i takojmë e prezantojmë fëmijët dhe të rinjtë me Kuranin, është kjo: “Përse është dërguar Kurani dhe shpjegimi i faktit se ai është një libër që e orienton jetën dhe se ndërhyn në të. Synimi bazë që duhet t’u mësojmë fëmijëve, është se Kurani është zbritur për t’i udhëzuar njerëzit dhe për t’ua ndryshuar jetën atyre.

Ta respektosh Kuranin, të mos e krahasosh me librat e tjerë, ta mbash lart mbi kraharor e të mos e vendosësh në tokë dhe të mos vendosësh mbi të libra apo ndonjë gjë tjetër, sigurisht se janë gjëra të rëndësishme, por të mos u bëhet e qartë fëmijëve përmbajtja dhe qëllimi i dërgimit të Kuranit dhe t’u paraqitet Kurani vetëm si një simbol i padiskutueshëm, kur u mësohen parimet që thamë më lart, nuk përputhet me synimin e dërgimit të Librit të Lartë, i cili është zbritur nga Zoti i botëve.

Gjëja më e domosdoshme që duhet të bëjmë sot, është kapërcimi i mentalitetit që fëmijët ta lexojnë Kuranin vetëm si fjalë, të bëhen hafizë, të bëjnë hatme dhe ta lexojnë atë për shpirtin e prindërve apo të njerëzve në të kaluarën. Krahas leximit dhe mësimit përmendsh të Kuranit, vazhdimi i aktivitetit të kuptimit, shpjegimit dhe përjetimit serioz të tij, do t’ua hapë horizontin fëmijëve e të rinjve tanë, do t’ua forcojë besimin dhe do t’ua mbrojë e zhvillojë natyrshmërinë e tyre.

Gjallërimi i brezave, lumturia e tyre në këtë botë e në botën tjetër, janë të lidhura me kuptimin dhe zbatimin e parimeve që u jep jetë Kurani. Ata do ta njohin Zotin, veten e tyre dhe njerëzit me parimet universale të Kuranit fisnik. Krenarinë e njerëzimit, do ta përjetojnë me parimet gjallëruese të Kuranit.

Përfunduar

Përktheu: Fatmir SULAJ

[1] Uyuşturucu Kültürü ve Tedbirler  Raporu, Stamboll, 1992, fq. 181 (Revista e botuar nga Yeşilay Cemiyeti Genel Merkezi).

[2] Muslim, Musafirun, 139; Tirmidhi, Birr, 69; Ibn Maxhe, Ahkam, 14; Ahmed bin Hanbel, IV, 54, 91.

[3] Surja Hud, 11/112.

[4] Tirmidhi, Tefsir, Surja 57/6.

[5] Kerim Bulladë, Peygamber Gibi Yaşamak, Stamboll, 2007, fq. 10.

[6] Kurtubi, Ebu Abdillah Muhammed b. Ahmed , el-Xhamiu li Ahkami’l-Kur’an, Bejrut, 1993, I, 44-45.

[7] Surja el-Enfal, 8/24.

[8] Surja el-Bakara, 2/285.

[9] Alija Izetbegovic, İslâmî Yeniden Doğuşun Sorunları ve İslam Deklarasyonu, Përkth, Rahman Ademi, Stamboll, 2007, fq. 71.

Share.

Leave A Reply