Të jesh optimist, do të thotë ta shohësh të ardhmen plot shpresë. Optimizmi është një fjalë pozitive, e cila buron nga zemra dhe gjuha e njeriut. Optimizëm do të thotë: “Prirja për të shikuar anët e mira të diçkaje, për të parë mundësitë e zgjedhjes së problemeve e të ecjes përpara, pa u trembur nga vështirësitë e pengesat”. Leximi i Kur’anit famëlartë nga fillimi deri në fund ngjall optimizëm. Një besimtar që beson në Zot, nuk i ka hije të jetë pesimist, ta shikojë botën të zezë.

Optimizmi tek profeti Nuh (a.s)

Profeti Nuh (a.s) e vazhdoi thirrjen e tij për 950 vjet pa reshtur, pa u mërzitur, demoralizuar dhe humbur shpresën. Ai e ftonte popullin e tij në besim natën e ditën, haptazi dhe fshehurazi. Vetëm kur Zoti i tregoi se nuk ka më shpresë në besimin e shumicës së popullatës, Nuhu filloi të ndërtojë anijen, pasi vendi do të përmbytej dhe ai bashkë me besimtarët duhej të shpëtonin.

Optimizmi tek profeti Ibrahim (a.s)

Në momentin që Ibrahimi (a.s) po hidhej me katapult në zjarr erdhi Xhibrili (a.s) dhe e pyeti Ibrahimin (a.s): A ke ndonjë nevojë? Ibrahimi u përgjigj: “Sa të përket ty, prej teje nuk kam nevojë, ndërsa sa i përket Allahut, mua më mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë”. Allahu (xh.sh) thotë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!”.

Optimizmi tek profeti Musa (a.s)

“Në agim, ata (nerëzit e Faraonit) iu afruan atyre”. “Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: “Me të vërtetë, na zunë!”. “Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im, Ai do të ma tregojë rrogën”. “Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!”.

Optimizmi tek profeti Jakub (a.s)

Zoti e sprovoi profetin Jakub (a.s), me humbjen e dy fëmijëve, Jusufit (a.s) dhe Benjaminit. Humbja e dy djemve e hidhëroi në maksimum profetin Jakub (a.s), saqë humbi dhe shikimin. Megjithatë, ai tregoi durim dhe maturi karshi caktimit të Zotit, duke mos e humbur asnjëherë shpresën se dy djemtë do i ktheheshin një ditë. Madje, sa më shumë që kalonte hoha, shpresa i shtohej më shumë. Ai u kërkoi djemve të tjerë që të dalin dhe të kërkojnë Jusufin (a.s), i cili kishte mbi njëzet vite i humbur, por edhe për djalin tjetër Benjaminin, me shpresë se do i gjejnë. Ai u tha: “O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”.

Optimizmi tek profeti Ejub (a.s)

Zoti e sprovoi profetin Ejub (a.s) me humbjen e pasurisë, fëmijëve dhe të shëndetit të tij personal. Megjithatë, ai kurrë nuk e humbi shpresën tek Zoti i tij. Ai lutej dhe e përmendte shumë Zotin. (Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!” “Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte dhe ia kthyem familjen të dyfishuar në numër…”

Optimizmi tek Zekerija (a.s)

Zekerija (a.s) ishte në një moshë shumë të thyer, në atë moshë ku sipas llogjikës njeriu nuk mund të lindë fëmijë. Mirëpo iu lut Allahut me këto fjalë: “O Zot! Mos më lër të vetëm, mos më lë pa trashëgimtar. Ti je Mëshiruesi i mëshiruesve”. Zekerija (a.s) e bënte këtë lutje, sepse besonte në fuqinë e Zotit dhe kishte shpresë te madhe tek Allahu i madhëruar.

Optimizmi tek Junusi (a.s)

Junusi (a.s) në barkun e balenës u lut me këto fjalë: “I lartësuar qofsh Ti o Zot, unë i bëra padrejtësi vetes time” , sepse kishte shpresë, se zëri i tij do të dëgjohej. Atë e dëgjoi Allahu i madhëruar dhe ia pranoi lutjen.

Optimizmi i Milingonës në kohen e Sulejmanit (a.s)

Ushtria gjigande e Sulejmanit (a.s) ishte në udhëtim e sipër, ndërkohë që po kalonin pranë një vendbanimi milingonash. Një nga milingonat, dha sinjalin e alarmit se aty pranë tyre po kalonte ushtria e Sulejmanit (a.s), e cila mund t’i shkelte milingonat. Allahu (xh.sh) thotë: “Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkel Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”! “Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj…” (Sulejmani e ka ditur gjuhën e shpendëve).

Nga ky tregim marrim dy mësime kryesore:

  1. Milingona u dha informacion milingonave të tjera në mënyrë që ti shpetojë ata që të mos i shkelë ushtria e Sulejmanit.
  2. Ngase Sulejmani (a.s) ka qenë Profet ka thënë:“O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkel Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë”!

Optimizmi tek Profeti Muhamed (a.s).

Modeli më i mirë për ne është njeriu më optimist, njeriu më me shpresë e ai është Profeti Muhamed (a.s). Në sytë e tij ndriçonte shpresa dhe optimizmi. Në momentet më të vështira ai fuste kurajo në zemrat e shokëve të tij. Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Nëse Kijameti është duke ndodhur, e dikush prej jush ka në dorë një fidan, nëse ka mundësi për ta mbjellë atë, përpara se të ndodhë Kijameti, atëherë le ta mbjellë”. Këto fjalë të Profetit (a.s) tregojnë për optimizëm dhe nxisin për punë edhe nëse nga kjo botë kanë ngelur qoftë edhe disa minuta, sepse njeriu duhet të vazhdojë të punojë dhe ta lulëzojë Tokën, përderisa ajo ende nuk është shkatërruar.

Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Më pëlqen optimizmi.” Ndërkohë, Allahu i Madhëruar në shumë ajete na tregon se njeriu besimtar duhet të jetë gjithmonë optimist dhe mos të bjerë pre e pesimizmit. Allahu i Latësuar thotë: “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. “Thuaju robërve të Mi, që i kanë bërë keq vetes me gjynahe, të mos e humbin shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtetë, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti .”

Nuk ka asnjë rast që në jetën e tij Pejgamberi (a.s) ka predikuar pesimizëm. Kur dëgjonte se dikush kishte një emër që frymëzon pesimizëm, ia ndërronte emrin menjëherë dhe i vinte një emër optimist. Profeti (a.s) pyeti një vajzë për emrin e saj. Të pranishmit iu përgjigjën: “E quajnë el-Asije (gjynahqare).” Profeti (a.s) reagoi menjëherë dhe tha: “Jo, ajo është Xhemile (e hijshme).”

Kur shkonte për vizitë tek i sëmuri, i thoshte: “InshaAllah nuk ke gjë. Do të pastrohesh nga gjynahet e tua, do të bëhesh më mirë”. Një njeri shkon tek profeti (a.s) duke i rënë me grushta kokës së tij dhe duke thënë tre herë rresht: “I mjeri unë për gjynahet e mia”. Profeti Muhamed (a.s), i cili e dinte fare mirë se ku e ka problemin ky njeri, e kap fort për krahu dhe i tha: “O njeri mos fol kështu , por thuaj: “O Zot! Falja Jote është më e madhe se gjynahet e mia. Tek mëshira Jote shpresoj më shumë sesa tek punët e mia, prandaj më fal mua.

Kur nisej për një rrugë, merrte rrugën më të lehtë dhe nuk kishte frikë se ka rrugë ters apo ditë ters, por i mbështetej Allahut dhe gjithmonë shikonte me optimizëm.

Profeti (a.s) nuk e mallkoi popullin e Taifit, i cili e keqtrajtoi në formën më të keqë, por kishte shpresë se nga këta njerëz do të dalin besimtarë, që do të besojnë Zotin dhe nuk do t’i venë shok Atij.

Profeti (a.s) në momentet më të vështira, kur po ikte nga Meka në Medine i tha Surakës, i cili po e ndiqte për ta vrarë: “O Suraka! Kthehu se të premtoj byzylykët e Kisras”. Profeti (a.s) besonte, se Zoti do t’ia marrë pasurinë Kisras e do t’ia jepte muslimanëve dhe ashtu ndodhi.

Në betejën e Hendekut kur shokët e tij ishin të frikësuar e të lodhur, saqë nuk kishin më fuqi të thyenin gurët, ai megjithëse ishte më i lodhur se ata, me çekiçin që godiste fort, nën dritën e shkëndijave thoshte: “Allahu ekber, do të çlirohet Persia, do të çlirohet Bizanti”. E gjitha kjo vinte nga besimi dhe shpresa, që ai kishte tek Allahu i Madhërishëm. Të gjitha fjalët e tij u bënë realitet sa ishte gjallë dhe pasi ndërroi jetë.
Prej situatave të optimizmit të Profetit (a.s) është optimizmi i tij në shpellën (e Theurit) ku ai gjendej krahas shokut të tij Ebu Bekrit (r.a), me jobesimtarët që gjendeshin në hyrje të Shpellës, porse Allahu i Madhëruar ua verboi atyre sytë (nuk arritën t’i shohin). Transmeton Enesi (r.a), nga Ebu Bekri (r.a) se ka thënë: “Isha me Profetin (a.s) në Shpellë dhe me të ngritur kokën pashë këmbët e njerëzve (armiqve). Thashë: O Profet i Allahut, nëse ndonjëri prej tyre e ul paksa vështrimin do të na shihte. Profeti (a.s) tha: “O Ebu Bekër qetësi. Çfarë mendon për dy vetë i treti i të cilëve është Allahu”.

Faktorët që na ndihmojnë që të jemi optimist

  1. Lidhja me Allahun.
  2. Kur’ani famëlartë.
  3. Mbështetja në Allahun.
  4. Lutja.

Historia e tre personave që hynë në shpellë dhe ngelën brenda në të për shkak se një shkëmb i madh zuri hyrjen e shpellës është dëshmia më e qartë se të tre këta persona e përballuan situatën e vështirë duke qenë në rradhë të parë optimistë dhe tepër të sigurtë në vetvete, se nëse i luteshin Allahut, Ai do t’i ndihmonte që të dilnin nga shpella dhe vërtet ashtu ndodhi.

  1. Leximi i historisë islame.
  2. Besimi në vetvete.
  3. Buzëqeshja.
  4. Fjala e mire.

Dobitë që sjell optimizmi.

  1. Optimizmi na forcon vendosmërinë tonë.
  2. Ndihmon në arritjen e objektivit dhe sjell qetësinë shpirtërore.
  3. Optimizmi i mundëson njeriut, që ta administrojë me besim në vetvete dhe qetësi situatën e vështirë në të cilën ndodhet.
  4. Optimizmi forcon lidhjet midis njerëzve me njëri-tjetrin, sepse optimsti mbjell shpresë tek të tjerët.

Zoti i mbushtë zemrat tona me besim, na bëftë nga ata që jetën e jetojnë me optimizëm, shpirtin e japin me optimizëm dhe ringjallen me shpresën tek falja e Zotit.

Zoti na mundësoftë që jetën ta jetojmë si muslimanë dhe shpirtin ta japim si besimtarë.

Naim Drijaj

Share.

Comments are closed.