Enes Ibni Malik (r.a.), tregon:

Ebu Talha (r.a.), kishte një djalë, i cili ndërroi jetë kur ai nuk ndodhej në shtëpi. Kur Ebu Talha (r.a.), erdhi në shtëpi, pyeti:

“Si është gjendja e djalit?” Nëna e djalit, Ummu Sulejme (r.anha), tha:

“Tani është më mirë se më parë.” Më pas përgatiti darkën dhe shtroi sofrën. Pasi hëngri darkën, Ebu Talha u shtri me të shoqen. Më vonë, gruaja i thotë:

“Varroseni djalin!”

Në mëngjes, Ebu Talha (r.a.), shkoi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe i tregoi gjithçka. Më pas, i Dërguari i Allahut (a.s.), i tha:

“A kryet marrëdhënie këtë natë?”

“Po!” –u përgjigj Ebu Talha. Pas kësaj, Profeti (a.s.), u lut duke thënë:

“O Allah! Begatoi këta të dy!”

(Pas disa kohësh) Ummu Sulejme (r.a.), lindi një djalë. Ndërsa Ebu Talha (r.a.), më tha:

“Merre djalin dhe çoje tek i Dërguari i Allahut!” Ai më dha edhe disa hurma me vete. (Kur shkova) Profeti (a.s.), më pyeti:

“A ke ndonjë gjë bashkë me djalin?”

“Po, kam disa hurma.” –thash unë. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (a.s.), i përtypi hurmat në gojë dhe më pas i nxori, ia leu qiellëzën me to dhe i vuri emrin Abdullah.

(Buhari, Xhenaiz 42, Akika 1; Muslim, Edeb 23; Fedailu’s- sahabe 107.)

Sipas një transmetimi në “Sahihun” e Buhariut, Sufjan Ibni Ujejne (r.a.) tregon se: “Një person prej Ensarëve (Ibaje Ibni Rifa’a), ka parë nëntë fëmijë të Abdullahut (r.a.) dhe ka thënë se të gjithë e lexonin dhe e kuptonin Kuranin.”

(Buhari, Xhenaiz, 42.)

Ndërsa në një transmetim të shënuar tek Muslimi, kjo ngjarje tregohet kështu:

Ebu Talhas (r.a.), i vdiq një djalë të cilin e kishte me Ummu Sulejmen (r.a.). Ummu Sulejme (r.a.), i porositi njerëzit e shtëpisë duke u thënë:

“Kujdes, mos i tregoni Ebu Talhas për vdekjen e djalit, deri sa t’i tregoj vetë!..”

Më vonë, kur erdhi Ebu Talha (r.a.), Ummu Sulejme (r.a.), i solli darkën burrit të saj dhe ai hëngri. Ndërkohë, Ummu Sulejme (r.anha) u zbukurua më mirë se ç’bënte më parë dhe doli para tij. Ebu Talha (r.a.), fjeti me të dhe, kur Ummu Sulejme (r.a.), e pa se burri i saj u ngop (me ushqim) dhe u kënaq, i tha:

“O Ebu Talha! Nëse dikush i lë amanet diçka një familjeje dhe më pas e kërkojnë përsëri, a mund të mos ia kthejnë atë, si thua?” Ebu Talha (r.a.), tha:

“Jo! (nuk mund ta mbajnë)” Ummu Sulejme (r.a.), tha:

“Atëherë dije se djali yt është një amanet i tillë që është marrë përsëri (nga Ai që e ka dhënë)”. Ebu Talha (r.a.), u zemërua dhe tha:

“Atëherë përse u solle sikur nuk kishte ndodhur asgjë? E tani fillove të më tregosh për gjendjen e djalit tim?” Ai u ngrit menjëherë, shkoi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe i tregoi çfarë kishte ndodhur. Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“Allahu e begatoftë për ju natën e shkuar!”

Ummu Sulejme (r.a.), mbeti shtatzënë.

(Njëherë) I Dërguari i Allahut (a.s.), doli në një udhëtim, ku mori pjesë edhe Ummu Sulejme (r.a.). (Sipas traditës) Pasi kthehej nga udhëtimi, Profeti (a.s.), nuk hynte natën në Medinë. Por, kur iu afruan Medinës Ummu Sulejmen (r.a.), e kapën dhimbjet e lindjes. Për këtë arsye, Ebu Talha (r.a.), qëndroi me të, ndërkohë që i Dërguari i Allahut (a.s.), vazhdoi udhën. Më pas, Ebu Talha (r.a.), nisi të thotë:

“O Zoti im! Ti e di shumë mirë se unë kënaqem shumë kur dal nga Medina së bashku me të Dërguarin Tënd dhe po ashtu edhe kur hyj bashkë me të në Medinë. Por kësaj here mbeta këtu për shkaqet që i di.” Për këtë arsye, Ummu Sulejme (r.a.), tha:

“O Ebu Talha! Ec tani se unë nuk kam më dhimbje!”

Enesi r.a.) tregon: Ne vazhduam rrugën. Kur erdhëm në Medinë, Ummu Sulejmen (r.a.), e kapën përsëri dhimbjet e lindjes dhe aty lindi një djalë. Nëna ime (Ummu Sulejme) më tha:

“Enes, askush të mos i japë gji këtij fëmije pa e çuar në mëngjes tek i Dërguari i Allahut!” Në mëngjes, unë e mora fëmijën dhe e çova tek i Dërguari i Allahut (a.s.), i cili mbante në dorë një mjet damkimi. Kur më pa, tha:

“Me sa duket, Ummu Sulejme ka lindur!?”

“Po!”- thashë unë. Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s.), e la menjëherë mjetin që kishte në dorë dhe unë ia dhashë fëmijën në prehër. Profeti (a.s.), kërkoi një hurmë të Medinës, të quajtur “axhua”. Më pas, ai e përtypi mirë në gojë dhe ia ngjeu gojën fëmijës me të. Fëmija filloi të lëpihej, ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“Pa shikoni sa i duan hurmat medinasit!” Pastaj ai e ledhatoi fytyrën e fëmijës dhe i vuri emrin Abdullah.

(Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 107.)

Shpjegime

Nga ajo që mësohet prej transmetimit të Ibn Hibanit, emri i fëmijës për të cilin bëhet fjalë në Hadith, është Ebu Umejr. Ebu Umejri ishte një fëmijë i zgjuar. Për këtë arsye, babai i tij Ebu Talha (r.a.), e donte shumë atë. Po ashtu, edhe i Dërguari i Allahut (a.s.), saherë që e takonte e uronte dhe bënin shaka së bashku.

Edhe pse i vdiq djali, Ummu Sulejme (r.a.), u tregua e fortë dhe bëri durim të madh. Madje, sipas një transmetimi, ajo e lau, e qefinosi dhe pasi e mbuloi, i porositi njerëzit e shtëpisë të mos i tregonin asgjë Ebu Talhas (r.a.), për djalin, derisa t’i tregonte vetë. Më pas, përgatiti ushqimin e darkës për burrin e saj, i cili me shumë gjasa ka qenë agjërueshëm dhe, kur ai erdhi në shtëpi, ia shtroi sofrën pa u vonuar. Madje, ajo u zbukurua më tepër se herët e tjera dhe e la burrin e saj të kuptonte se nuk kishte ndodhur asgjë për t’u hidhëruar. Në këtë mënyrë, ajo i tregoi se ishte e gatshme të plotësonte çdo dëshirë të tij. Ndërsa pyetjes së Ebu Talhas (r.a.), në lidhje me djalin, i dha një përgjigje shumë të zgjuar, duke i thënë, “ai tani është më mirë!”, gjë e cila në fakt tregon edhe gjendjen e vërtetë të djalit. Ebu Talha (r.a.), i cili e kuptoi këtë përgjigje sikur fëmija ishte shëruar, u qetësua aq shumë, sa kreu edhe marrëdhënie me gruan.

Ummu Sulejme (r.a.), veproi në këtë mënyrë për arsye se e dinte mjaft mirë se Ebu Talha (r.a.), e donte shumë djalin e tij dhe kështu, ajo e përgatiti atë për t’i dhënë lajmin e hidhur të vdekjes së djalit. Për rrjedhojë, ajo e cilësoi fëmijën si një amanet i lënë për t’u marrë përsëri mbrapsht. Dhe, pasi e bëri Ebu Talhan (r.a.), të thotë se është e pamendueshme të mos ia kthesh amanetin të zotit, ajo i rrëfeu atij se ky amanet ishte marrë mbrapsht, pra që djali kishte vdekur. E gjithë kjo, tregon se Ummu Sulejme (r.a.), kishte për qëllim t’ia lehtësonte në maksimum Ebu Talhas (r.a.), hidhërimin e vdekjes së djalit. Në këtë ndodhi, shihet qartë se Ummu Sulejme (r.a.), ka treguar një durim, të cilin jo çdo nënë që ka humbur fëmijën mund ta tregojë, duke vërtetuar se ishte një myslimane e fortë dhe e pjekur. Po ashtu, edhe lutja që i Dërguari i Allahut (a.s.), bëri për familjen e Ebu Talhas (r.a.), tregon se ky veprim është vlerësuar mjaft nga ana e tij. Durimi i saj, i dhuroi një fëmijë të mirë si Abdullahu dhe nëntë nipër, të gjithë lexues të mirë të Kuranit.

Ky Hadith fisnik , tregon se sa durimtare ka qenë kjo grua e madhe sahabe përballë vdekjes së të dashurve. Për rrjedhojë, ajo na ofron neve një shembull shumë të bukur në lidhje me durimin.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Vendosja e diçkaje të ëmbël në gojën e të porsalindurit, është Sunet.
  2. Vendosja e emrit të fëmijës nga një person i devotshëm, është e pëlqyeshme.
  3. Vendosja e emrave të bukur myslimanë, si Abdullah, Abdurrahman, Ibrahim, etj., është detyrë e çdo prindi mysliman.
  4. Ky Hadith, është vërtetues i qartë i virtyteve të larta të Ummu Sulejmes (r.a.)
Share.

Leave A Reply