Popullsia e Ninovës adhuronte idhujt dhe statujat. Ishin shumë mizorë. Kur Junusi (a.s.), nisi t’i ftonte në besimin monoteist në një Zot të vetëm, i besuan vetëm dy vetë. Njëri ishte një i ditur, tjetri, një asket. Të tjerët i thanë kështu Junusit (a.s.):

“Ndërsa mes nesh kemi kaq shumë orakuj, dijetarë dhe artistë, ti del në shesh i vetëm dhe thua se rruga e etërve tanë është e gabuar dhe i mohon zotat tanë! A mos vallë kërkon të na lidhësh këmbët me urdhra me të cilat askush s’është i mësuar?”

Duke mos u mjaftuar me këto fjalë, nisën t’i shkaktojnë edhe lloj-lloj mundimesh. Kurse Junusi (a.s.), bënte durim dhe përsëri, duke treguar mëshirë ndaj tyre, vazhdonte t’i ftonte për në besimin e drejtë dhe t’ua kujtonte se ndëshkimi i Zotit kishte për të qenë i vështirë. Ndërkaq, ata, duke u qeshur e tallur me këtë paralajmërim, i thanë:

“Po qe se do të na vijë ndëshkimi për hatër të një njeriu e do të na shkatërrojë, urdhëro, le të na vijë!”

Junusi (a.s.), u hidhërua shumë për këtë kokëfortësi të popullit të tij në mohim. Pasi nuk duroi dot më gjatë, u nda prej tyre pa pritur lejen hyjnore. Ndërsa po ecte në rrugë, i erdhi urdhri nga Zoti:

“O Junus! Kthehu pas menjëherë dhe ftoji ata në besim edhe për dyzet ditë të tjera!”

Pas këtij urdhri Junusi (a.s.) u kthye përsëri te populli i vet dhe vazhdoi t’u fliste njerëzve për urdhrat dhe ndëshkimin e Zotit. Por ata përsëri nuk ndryshuan. Kur kaluan tridhjetë e shtatë ditë nga dyzet të premtuarat, populli ende nuk kishte besuar. Junusi u tha njerëzve:

“Atëherë prisni gjer më tri ditë ndëshkimin që ka për t’ju rënë mbi krye! Si shenjë të parë të kësaj, do të shihni fytyrat t’ju zverdhen!”

Kështu tha dhe iku tepër i hidhëruar pa pritur lejen hyjnore. Por kjo nuk qe as ikje prej detyrës hyjnore, as dhe ngritje krye kundër dhënësit të kësaj detyre. Ishte vetëm largim prej një fisi të ulët që nuk i qe përgjigjur ftesës hyjnore!

Besim, pendim dhe falje.

Ndërkaq, u mbush afati për të cilin pati njoftuar Junusi. Si shenjë e parë e ndëshkimit të pritshëm, fytyrat e ninovasve u zverdhën. Atëherë kuptuan çdo gjë. Të rrokur prej një frike të madhe, i thanë njëri-tjetrit:

“Ja dhe shenja e ndëshkimit të madh për të cilin na pati folur Junusi! Gjer më sot nuk dimë që ai të ketë gënjyer ndonjëherë!”

Qielli nisi të nxihej. Njerëzit po kërkonin më kot një shpëtim.

Dhe thanë:

“Po qe se Junusin e kemi ende mes nesh, mos kini frikë! Por, po të ketë ikur, ndëshkimi ka për të na shkatërruar!”

Njerëzit ishin penduar tepër. Për shkak të bëmave të veta, zemrat iu gufonin nga pendimi sepse ndëshkimi hyjnor qe afruar shumë. Të hutuar, pa ditur se ç’të bënin, me një dëshirë të madhe për pendesë, vrapuan te një person i mirë. Ai u tha:

“Ka ende dy ditë që të vijë ndëshkimi. Tani ngjituni në kodrën e pendesës, kthejuni të zotëve pasuritë dhe të drejtat që u keni rrëmbyer dhe kërkoni hallallëk prej njeri-tjetrit! Pastaj preni kurban kushtuar Zotit të Junusit dhe nga mishi i këtyre kurbaneve të hanë të gjithë pa përjashtim: të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër! E pas kësaj, zbuloni kokat dhe lutuni kështu:

“O Zoti i Junusit! Ne u penduam dhe të besuam! Edhe profecinë e Junusit e pranuam! Prej tani e tutje, do të mësojmë prej tij urdhrat dhe ndalimet e Tua dhe do t’i zbatojmë ato!”

Me lot në sy, ninovasit i çuan në vend të gjitha ç’premtuan. Atëherë edhe Zoti, me mëshirën e Tij, ua pranoi pendesën dhe e anuloi ndëshkimin. Atë ditë që ishte e premte, i takonte Dita e Ashuras. Kjo çështje tregohet kështu në Kuran:

“Përse nuk pati ndonjë qytet, banorët e të cilit të besonin e t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin e poshtërimit në jetën e kësaj bote dhe i lamë të kënaqeshin edhe njëfarë kohe.” (Junus, 98)

I vetmi popull që ka shpëtuar pasi është penduar, megjithëse e ka pasur hak ndëshkimin për shkak të mosbesimit, është populli i Junusit (a.s.). Kjo është një shfaqje e veçantë e favorit hyjnor dhe shumë ajete të sures “Junus” pohojnë se Mëshira Hyjnore është më e shumtë se Ndëshkimi Hyjnor.

 

Share.

Leave A Reply