Para se të lindte Profeti, patën ndodhur shumë shfaqje hyjnore. Tërë gjithësia pothuaj vuante nga malli për të, sepse ai ishte shkaku i krijimit.

Para së gjithash, Allahu i Lartë pati marrë fjalë nga profetët e mëparshëm se do ta besonin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe do ta ndihmonin atë. Ky është një nga paralajmërimet e gëzueshme më të mëdha të ardhjes së tij. Në ajetin kur’anor thuhet kështu:

 “Allahu i Lartë pati marrë fjalë prej pejgamberëve duke u thënë: “Vërtet, juve ju dhashë libër dhe urtësi dhe do të vijë një lajmëtar që t’i vërtetojë ato që keni ju dhe ju duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë. A pranuat dhe e vërtetuat këtë fjalë?” “E vërtetuam!” – Thanë ata. Dhe ai u tha: “Dëshmoni dhe unë jam dëshmitar bashkë me ju!” (Al-i Imran, 81)

Hz. Ibrahimi me të birin, Hz. Ismailin, pas përfundimit të ndërtimit të Qabes, patën ngritur duart drejt qiellit e qenë lutur kështu:

 “Zoti ynë! Dërgoju atyre nga mesi i tyre një të dërguar që t’ua këndojë ajetet e tua, t’ua mësojë Librin dhe urtësinë dhe t’ua pastrojë nefset (nga të këqijat)! Sepse vetëm Ti je i shenjtë dhe që e bën siç duhet çdo gjë!” (el-Bakara, 129)

Edhe Hz. Isai, duke ua bërë të ditur profetësinë e vet të bijve të Izraelit, Dritën e Ekzistencës paralajmëronte:

 “I biri i Merjemes, Isai, pati thënë: “O të bijtë e Izraelit! Unë jam një i dërguar i Allahut te ju, vërtetues i Teuratit para meje dhe myzhdedhënës për një të dërguar pas meje, emri i të cilit është Ahmed…” (es-Saff, 6)

Nëna Emine, në ditët e para të shtatëzanisë në Dritën e Ekzistencës, pa një ëndërr. Asaj iu tha:

“O Amine! Ti je shtatzënë në zotërinë e kësaj bashkësie! Kur të lindë ai, lutu kështu: “Mbështetem te Allahu nga sherri i çdo të keqi!” Dhe quaje Muhammed!”50

Prandaj Profeti (s.a.s.) ka thënë:

“Unë jam lutja e gjyshit tim, Ibrahimit, myzhdeja e vëllait tim, Isait, dhe ëndrra e nënës sime…” (Hakim, II, 453; Ahmed, IV, 127-128)

Krahas kësaj, emrat dhe atributet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) qenë të shkruara në Teurat dhe në Ungjill dhe dijetarët hebrenj dhe krishterë kishin dijeni të plotë mbi këtë çështje. Me të vërtetë, për dijetarët hebrenj dhe krishterë që ishin të matur e të drejtë, Kur’ani shprehet kështu:

 “Ata që e ndjekin atë Resul, atë lajmëtar të paarsimuar që e gjejnë (emrin dhe atributet e të cilit i gjejnë) të shkruar në Teurat dhe Ungjillin që kanë pranë…” (el-A’raf, 157)

Për më tepër, dijetarët e Librit (dijetarët hebrenj dhe krishterë) e njihnin Profetin siç njihnin bijtë e vet:

 “Personat që u kemi dhënë libër e njohin atë siç njohin bijtë e vet. Megjithëkëtë, një grup prej tyre e fshehin me vetëdije këtë gjë.” (el-Bakara, 146)

Kështu, Abdullah bin Selam (r.a.)51 i cili u bë musliman kur ishte njëri prej dijetarëve më të mëdhenj të hebrenjve, pati thënë:

“Unë e njoh të Dërguarin e Allahut më mirë se ç’njoh birin tim!”

Atëherë, Hz. Omeri (r.a.) e pati pyetur: “O Ibni Selam, si është e mundur kjo?”

Dhe ai i qe përgjigjur: “Unë dëshmoj me njohje të drejtpërdrejtë se Muhammedi është me të vërtetë i Dërguari i Allahut! Unë nuk dyshoj aspak se ai është pejgamber, lajmëtar! Sepse në librin tonë ndodhen karakteristikat dhe cilësitë e tij si pejgamber i dërguar nga ana e Allahut!..”

Atëherë, Hz. Omeri (r.a.) e puthi në ballë duke i thënë:

“O Ibni Selam! Allahu të ka dhënë ty sukses në njohjen e të vërtetës!” (Vahidi, f. 47; Razi, Tefsir, IV, 116)

Në ajetin kur’anor bëhet e ditur se si njoftohen në Tevrat dhe Ungjill cilësitë dhe karakteristikat e shquara të Profetit dhe sahabeve, shokëve të tij:

 “Muhammedi është Resuli (i Dërguari) i Allahut. Ata që ndodhen së bashku me të, janë të ashpër ndaj mohuesve dhe të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit. I sheh ata duke u përkulur në ruku dhe duke rënë në sexhde. Ata kërkojnë nga Allahu pëlqim dhe favor. Shenja njohëse e tyre është gjurma e sexhdes, ndriçimi i sexhdes në fytyrën e tyre. Ja, këto janë karakteristikat e tyre që tregohen në Teurat. Kurse në Ungjill janë karakterizuar kështu: Ata janë si bima që ka nxjerrë filiz, pastaj është forcuar, është trashur, është rritur mbi trupin e vet dhe, kështu, i jep kënaqësi bujkut. Ja, kështu i shton dhe i fuqizon Allahu këta dhe i zemëron mohuesit. Allahu u ka premtuar falje dhe shpërblim të madh atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira!” (el-Feth, 29)

Një ditë, kur Abdullah bin Abbas (r.a.) e pyeti Ka’b el-Ahbarin52 se si përshkruheshin në Teurat cilësitë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ai i dha këtë përgjigje:

“Mbi cilësitë e tij, në Teurat shkruhen këto Muhammed bin Abdullah do të lindë në Mekë, do të emgrojë në Tabe (Medinë) dhe do të sundojë në Damask. Ai as nuk do të thotë fjalë të këqija, as nuk do të flasë me zë të lartë në treg. Nuk do t’i përgjigjet të keqes me të keqe, përkundrazi, do të falë. Ummeti, bashkësia e tij, do ta falenderojnë e do ta lartësojnë Allahun në çdo vend, në begati e në ngushticë. Ata do të lidhin brez në mes dhe do t’i lajnë krahët (do të marrin abdest). Siç do të vihen në radhë në luftë, do të vihen në radhë edhe në namaz. Nga faltoret e tyre do të vijë uturima e zërave të tyre (e këndimit të Kur’anit dhe e dhikrit). Zërat e ezanit të tyre do të mbushin horizontet.” (Darimi, Mukaddime, 2)

Atá bin Jesar (rahimetullah) tregon:

“E takova Abdullah bin Amrin dhe e pyeta:

“A po m’i tregon cilësitë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) që përmenden në Teurat?”

Dhe ai m’u përgjigj: “Shumë mirë! Betohem në Allahun se ai cilësohet edhe në Teurat me disa cilësi që përmenden në Kur’an. Në Teurat thuhet: “O Pejgamber! Ne të dërguam ty te njerëzit si dëshmitar, përgëzues, paralajmërues dhe mbrojtës për të pamësuarit. Ti je robi dhe resuli, i dërguari im. Unë të emërtova ty Mutevekkil (përfaqësues)… Allahu nuk do t’ia marrë shpirtin atij pa e rregulluar fenë e prishur me anë të thënies nga njerëzit “La ilahe il’lallah” (Nuk ka zot tjetër veç Allahut) dhe pa i ha pur me anë të asaj feje sytë e verbër, veshët e shurdhër, zemrat e ndryshkura!” (Buhari, Buju, 50; Tefsir, 48/3)

Hebrenjtë të cilët e njihnin të Dërguarin e Allahut me të gjitha cilësitë dhe karakteristikat, ishin në pritje të kohës kur do të vinte ai. Kështu, sa herë që fiset pagane medinase Evs dhe Hazrexh të hynin në grindje me hebrenjtë, këta të fundit thoshin:

“Tani së afërmi do të dërgohet një profet. Ai do të vijë së shpejti. Kur të vijë ai profet, ne do të lidhemi pas tij dhe, siç pati ndodhur me popujt e Iremit e të Adit, do t’ju vrasim e do t’ju shkulim me rrënjë!” (Ibni Ethir, el-Kamil, II, 95-96)

Siç përcjell bashkëshortja e Profetit, Safije binti Hujej (r.anha), kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), gjatë emigrimit, kishte arritur në fshatin Kuba, i ati hebre Hujej bin Ahtab me të ungjin Ebu Jasir kishin shkuar atje dhe, në perëndim të diellit, ishin kthyer në shtëpi shumë të lodhur e të dëshpëruar. Ebu Jasir e kishte pyetur të vëllanë:

“A pejgamberi që pritej të vinte është ky person?”

Hujej i ishte përgjigjur: “Po, vallahi, ai është!”

Ebu Jasiri e kishte pyetur: “A je i sigurt se ky është ai pejgamberi? A e dallove mirë?”

Hujej i ishte përgjigjur: “Po!”

Ebu Jasiri e kishte pyetur prapë: “Atëherë, ç’ke në zemër për të?”

Dhe Hujej i ishte përgjigjur: “Vallahi, sa të jem gjallë kam për të ushqyer armiqësi për të!” (Ebu Nuajm, Delail, I, 77-78)

Hebrenjtë dëshironin që profeti i fundit që prisnin, të ishte nga raca e tyre, domethënë, nga të bijtë e Izraelit. Kështu, meqë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte nga arabët e ardhur prej brezit të Ismailit (a.s.), nga zilia, hebrenjtë nuk i deklaruan besimin dhe nuk e ndoqën Këtë të vërtetë e vë në shesh edhe ky rivajet (rrëfim) i Ibni Abbasit (r.anhuma):

Mes hebrenjve të Hajberit dhe fisit Gatafan kishte luftë dhe, në çdo ndeshje, hebrenjtë mundeshin. Më në fund, ata vendosën t’i luteshin Zotit kështu:

“Zoti ynë! Për hir të atij pejgamberi të pamësuar që ke premtuar se ka për të ardhur në kohën e fundit, të lutemi të na japësh fitoren!”

Dhe e bënë këtë lutje duke e bërë pretekst Profetin sapo nisën një betejë të re me ta. Në përfundim të betejës, gatafanët pësuan disfatë. Por kur Allahu i Lartë e dërgoi si profet që e përdorën si pretekst hebrenjtë në lutjen e tyre, Hz. Muhammedin (s.a.s.), e mohuan profetësinë e tij. Atëherë, Allahu i Lartë zbriti këtë ajet:

 “…dhe kur u erdhi pejgamberi për të cilin patën kërkuar fitore kundër mohuesve, e mohuan megjithëse e njihnin dhe e prisnin. Ja, pra, mallkimi55 i Allahut është mbi këta lloj qafirësh!” (el-Bakara, 89) (Kurtubi, II, 27; Vahidi, f. 31)

Të tërheq shumë vëmendjen edhe kjo ngjarje që paralajmëronte shfaqjen e Profetit:

Kur Sejf bin Zi Jezen u emërua nga Kisra si sundimtar në Jemen, delegacione arabe nga të katër anët shkuan dhe e uruan. Në krye të delegacionit prej dhjetë vetësh të Mekës ndodhej gjyshi i Profetit, Abdylmuttalibi. Ai i tha sundimtarit:

“O sundimtar! Ne jemi përfaqësues të popullsisë së qytetit që Allahu e ka bërë të paprekshëm dhe shërbëtorë të Bejtullahut, Shtëpisë së Allahut! Erdhëm me qëllim për të ta uruar sundimin!”

Sundimtari i Jemenit i priti mirë dhe i mbajti si miq për shumë ditë. Një ditë, e thirri pranë Abdylmuttalibin dhe i tha kështu:

“O Abdylmuttalib! Unë do të të lë ty si amanet një të fshehtë që nuk do t’ia hapja dikujt tjetër. Por unë e pashë thelbin e saj tek ti, prandaj do të ta shtjelloj. Gjersa Allahu të japë leje, kjo të mbetet në ruajtje tek ti. Pa dyshim, Allahu e çon në vend urdhrin e tij. Në Librin që e kemi mbajtur të mbyllur për të tjerët duke ia rezervuar vetëm vetes sonë, ka një lajm të tillë me rëndësi, te i cili ndodhet nderi i jetës dhe virtyti i vdekjes. Ky lajm u intereson të gjithë njerëzve, u intereson shokëve të tu që ke me vete dhe të intereson veçanërisht ty!”

Abdylmuttalibi e pyeti:

“O sundimtar! T’u bëfshin fli të gjithë beduinët! Ç’është ky lajm i madh dhe i famshëm?”

Sundimtari iu përgjigj:

“Në zonën Tihame do të lindë një fëmijë. Si shenjë njohjeje, do të ketë një lyth mes shpatullave. Gjer në ditën e kiametit, imamllëku (prijësia) do të jetë tek ai, kurse zotnillëku, tek ju!”

Sejf bin Zi Jezen vazhdoi kështu:

“Kjo kohë është koha kur do të lindë ai. Mbase edhe ka lindur. Emri i tij është Muhammed. I ati dhe e ëma do të vdesin. Kujdesin për të do ta marrin përsipër i gjyshi dhe i ungji. Allahu do ta dërgojë atë si pejgamber me kumtesë krejt të hapur. Një pjesë nga ne do të jenë ndihmës (ensarë) të tij. Me ta, ai do t’i shquajë miqtë dhe do t’i turpërojë armiqtë. Ai do t’i pushtojë zonat më të çmuara të tokës. Me lindjen e tij, zjarri që adhurojnë mexhusitët (adhuruesit e zjarrit) do të shuhet. Adhurimi do t’i bëhet Mëshiruesit që është një. Fyerjet dhe teprimet do të ndalohen, idhujt do të thyhen, shejtani do të gjuhet me gurë. Fjala e tij do t’i ndajë nga njëra-tjetra të vërtetën me të shtrembrën dhe sundimi i tij do të përbëhet nga drejtësia. Ai vazhdimisht do të urdhërojë dhe zbatojë të mirën, do ta ndalojë dhe do ta zhdukë të keqen!”

Abdylmuttalibi i tha:

“Paç jetë të gjatë, qofsh i nderuar dhe sundimi yt qoftë i përhershëm! Ky për të cilin fole, është brezi im. A do të ketë mirësinë sundimtari të më japë më shumë shpjegime dhe të më gëzojë mua?”

Sejfi i tha:

“Betohem në Bejtullahin e mbuluar me mbulesa, në mrekullitë dhe në librat qiellorë, o Abdylmuttalib, se, pa asnjë dyshim, ti je ati i tij!”

Atëherë, nga gëzimi i jashtëzakonshëm, Abdylmuttalibi ra me ballin përtokë!

Sundimtari i tha:

“Ngrije kokën lart! Zemra të qoftë e gëzuar, jeta, e gjatë dhe nderi, i lartë! A di ti ndonjë shenjë nga ato që të tregova unë?”

Abdylmuttalibi iu përgjigj:

“Po, o sundimtar! Unë kisha një djalë shumë të dashur mbi të cilin dridhesha nga kujdesi. E pata martuar me Aminenë, vajzë e një njeriu të nderuar të fisit. Amineja lindi një djalë të cilit ia vura emrin Muhammed. Edhe ai ka një lyth mes shpatullave. Ai i ka edhe të gjitha shenjat e tjera që tregove ti. Atij i vdiq edhe e ëma. Kujdesin për të e kemi marrë unë dhe i ungji!”

Atëherë, sundimtari Sejf i tha kështu:

“Mbroje mirë atë djalë dhe tregohu i vëmendshëm ndaj hebrenjve! Sepse hebrenjtë janë armiq të tij. Por Allahu nuk do t’u japë rast atyre në këtë armiqësi. Në asnjë mënyrë të mos ua thuash shokëve këto që të tregova! Dyshoj se mos, duke ju patur zili për epërsinë tuaj, mund t’i shkaktojnë kokëçarje nipit! Po ta dija se s’do të vdisja para se t’i vinte profetësia atij, do të shkoja me gjithë kalorësit dhe këmbësorët e mi dhe do ta bëja Jethribin (Medinën) atdhe të emigrimit dhe kryeqendër të shtetit tim. Dhe do ta mbroja atë nga kokëçarjet dhe fatkeqësitë! Të lutem, pas një viti, më sill lajm për të!”

Por sa keq që Sejf bin Zi Jezenin e vranë pa u mbushur viti!56 (Ibni Kethir, el-Bidaje, III, 26-28; Dijarbekri, I, 239-241)

Një lajm tjetër i gëzueshëm që i qe dhënë Abdylmuttalibit mbi të ardhmen e të nipit, është kështu:

Një ditë, duke luajtur me fëmijët e tjerë, Muhammedi i vogël pati shkuar gjer në mëhallën Redm. Atje, një grup njerëzish nga të bijtë Mudlixh e patën thirur, ia patën parë këmbët dhe ia paten shqyrtuar gjurmët. Në ato çaste pati ardhur aty Abdylmuttalibi. Pasi qenë përshëndoshur me të, ata e patën pyetur:

“I juaji është ky fëmijë?”

“Eshtë im bir!” – U pati thënë Abdylmuttalibi.

Atëherë, të bijtë Mudlixh i patën thënë:

“Mbroje mirë këtë, sepse ne s’kemi parë gjer tani gjurmë këmbe që t’i përngjajë gjurmës te Pozita e Ibrahimit, sa ç’i përngjan gjurma e këmbës së këtij fëmije!”

Abdylmuttalibi i tha të birit Ebu Talib:

“Shih e dëgjo se ç’thonë këta!”

Prandaj, Ebu Talibi e mbrojti me rreptësi të nipin, profetin tonë, Hz. Muhammed.57

Para se të lindte Profeti (s.a.s.), gjithësia ndodhej në një errësirë moralo-shpirtërore të tmerrshme. Njerëzit qenë zhytur gjer në fyt në një baltovinë të thellë injorance. Njerëzimi e kishte humbur nderin dhe dinjitetin. Edhe kafshët, madje, ishin turbulluar nga egërsia dhe dhuna e njerëzve. Jeta ishte bërë që të mos mund të jetohej.

 “Për shkak të bëmave të njerëzve, nga toka dhe deti kishte shpërthyer e keqja!..” (er-Rum, 41)

Me afrimin e kohës së ardhjes së Tij në botë, çdo njeri dhe çdo gjë, me një mall dhe dëshirë gjithnjë e më të madhe, prisnin atë dritë të lartë që t’u vinte në ndihmë e t’i shpëtonte prej errësirës duke e dëshiruar për vete atë eliksir. Gjithë njerëzimi ishte në pritje të tij. Njerëzit i kishin marrë shenjat dhe paralajmërimet e ardhjes së tij dhe, kohë pas kohe, vazhdonin t’i merrnin.

Share.

Comments are closed.