Idris Arpat

Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin Fisnik: “Me të vërtetë, Ne i dhamë Daudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): ‘O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Daudin’. Ne ia zbutëm atij hekurin (dhe i thamë): ‘Puno parzmore të gjera! Thuri ato me maja të barazpeshuara dhe bëj vepra të mira! Pa dyshim, Unë shoh çfarë punoni ju.” (Sebe, 10-11.)

Muhjiddin ibnu’l-Arabiu ka thënë: “Hz. Pejgamberi (s.a.s.), ka lënë dy trashëgimi të mëdha: fisnikërimin e personalitetit dhe dashurinë ndaj së bukurës.” (Revista Letërsia turke, 426, fq. 39.)

E para është edukimi dhe e dyta pothuajse shpreh rezultatin e së parës. E para është zbukurimi i njeriut dhe e dyta është zbukurimi i mjedisit në të cilin ai jeton.

Kur shtjellojmë natyrshmërinë e njeriut, ajetet dhe hadithet fisnike në lidhje me të dhe shpjegimet e shkencëtarëve, shihet qartë se njeriu duhet të jetojë duke i pakësuar gabimet dhe duke i shtuar virtytet. Unë mendoj se baza e të gjitha mirësive në jetë është që njeriu, i cili është krijuar në formën më të bukur, të rritet shpirtërisht, mendërisht dhe fizikisht. Është e qartë se një njeri që ka dituri, ndjenjë dhe vizion nuk kënaqet me një jetë boshe dhe të zakonshme, vrapon pas idealeve të larta dhe përpiqet jashtëzakonisht që dynjanë ta kthejë në xhenet. Ja, pikërisht në këtë pikë do të ishte e drejtë të themi se lartësohet personaliteti i njeriut dhe mirësitë bëhen bazat e tij. Është e qartë se një njeri me vlera dhe me shpirt të ndjeshëm mahnitet ndaj çdo lloj bukurie. Nga kjo mahnitje lindin shumë gjëra të bukura. Kjo është një çështje që dihet. Këto dy parime janë dy themele të pandashme. Ndoshta është më e drejtë të themi që secili prej tyre është ndërmjetësues për tek tjetri.

Çdo gjë që ka krijuar Allahu Teala, e ka krijuar në formën më të bukur. Gjithësia pothuajse është krijuar duke përdorur matematikën dhe gjeometrinë e shkallës më të lartë. Në çdo gjë ku nuk ka ndërhyrje të njeriut, sado që të shikoni, do të përballeni me një masë dhe harmoni.

Ibnu’l-Arabiu ka thënë: “Njeriu ka ardhur në këtë botë për arritjen e përsosmërisë dhe për vështrimin e bukurisë.” Njeriu e arrin përsosmërinë duke vëzhguar bukurinë në mënyrë të vazhdueshme. Mund të thuhet edhe e kundërta: Sa më shumë të përparojë në rrugën e përsosmërisë, do t’i shtohet edhe më shumë kureshtja për harmoninë. Ai që shikon bukur, mendon bukur. Ai që mendon bukur, e shijon jetën dhe arrin kënaqësitë shpirtërore.

Universi është i mbushur me bukuri. Disa njerëz kanë një bukuri që lapsi dhe fjalët nuk mjaftojnë për ta përshkruar. A është e mundur të përshkruhet bukuria e një fëmije të pafajshëm?

Si ta përshkruajmë bukurinë e një mali dhe të një përroi? Siç nuk është e mjaftueshme ta lexosh dhe ta ndjesh bukurinë e malit, nuk është e mjaftueshme ta shohësh edhe me syrin e lirë. Atë duhet ta shikojmë me syrin e zemrës. Për ta bërë këtë, duhet të ndikohemi shpirtërisht, të mahnitemi dhe të ndjejmë admirim. Ky është një virtyt i posaçëm për njerëzit e mëdhenj. Ai nuk arrihet lehtë. Përballë madhështisë së malit mund të ndikohen shkallë-shkallë me mijëra njerëz, por numri i njerëzve që mahniten dhe ndjejnë admirim, nuk i kalon gishtat e dorës. Kjo është një shkallë sublime, që nuk arrihet lehtë.

Bukuria e mijëra maleve dhe e mijëra përrenjve. Gjithë ato bukuri të një përroi apo një mali në mijëra persona të ndryshëm.

Bukuria e pemëve, e krimbave, e zogjve, e shirave që bien, e dëborës dhe e grumbujve të reve. Miliarda bukuri të veçanta të miliarda pemëve, miliarda krimbave dhe miliarda zogjve.

Shirat që bien në errësira të frikshme, rrufetë që shpërthejnë dhe bubullimat që tronditin qiellin e tokën…

Çfarë dëshiron të thotë Krijuesi i Lartësuar me këto shfaqje bukurie? Cili është synimi hyjnor? Kujt i flasin këto mijëra bukuri nëpër majat e maleve, që këmba e njeriut s’ka arritur t’i shkelë?

Këto pyetje na shpien te mendimet dhe kërkimet.

Ka shumë gjëra të bukura që kalojnë pranë njeriut dhe ikin prej tij, por ai nuk i percepton, ngaqë është i zhytur në neglizhencë. Sa të paktë janë ata që i kuptojnë këto mirësi të papërshkrueshme!

Çdo gjë që e ka krijuar Allahu i Madhëruar, e ka krijuar në formën më të bukur. Ngado që të shikoni, do vini re harmoni, ekuilibër dhe përputhje.

Edhe pse nuk është e prerë se rregulli “përsoseni moralin tuaj me moralin hyjnor” është hadith, specialistët thonë se shpreh një kuptim të vërtetë. Ky rregull lind mendimin për t’i dhënë hakun punës që bën. Allahu Teala, i Cili çdo gjë e ka krijuar në mënyrë të përsosur, ka robër që përpiqen t’ia japin hakun punës. Një njeri që e percepton se jeton nën mbikëqyrjen hyjnore, sigurisht se përpiqet të jetojë, flasë dhe veprojë sipas kënaqësisë së Zotit (xh.xh.). Një vepër që do të paraqitet në audiencën e madhe, duhet të jetë një vepër së cilës i është dhënë haku. Mendimi për ta bërë diçka sipas kënaqësisë së Allahut të Madhëruar, në të njëjtën kohë është ibadet.

Kur i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, po varroste birin e Tij, Ibrahimin, i tha varrmihësit ta bënte varrin të sheshtë. Kur e pyetën për arsyen e kësaj, u shpreh se syrit  nuk i dukej mirë dhe jo se mund t’i bëjë ndonjë dëm të vdekurit. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), kërkoi që edhe fundi i varrit, që do të mbulohej pas dhjetë minutash, të dukej mirë për syrin, imagjinojeni se sa rëndësi i jepte harmonisë së një ndërtese, lagjeje apo qyteti që do të formohej. Përsëri është ky i Dërguar (s.a.s.), që ka thënë: “Me të vërtetë Allahu urdhëron që çdo gjë ta bëni bukur.”

Përshkrimet e Xhenetit, që nga fillimi e deri në fund, janë të një natyre që zgjojnë mallin për harmoni. Njëri prej synimeve hyjnore prej këtyre përshkrimeve mund të jetë ky: Kur të formoni botën tuaj, merrni parasysh xhenetin! Xheneti është “daru’s-selam” / vendi i paqes. Allahu Teala thotë në Kuran:

“Ai ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë. Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” (el-Mulk, 2.)

Çështja për të cilën po sprovohemi është: “Cili prej nesh do të jetë më vepërmirë.”

Sigurisht se me veprën kuptohet qartë që është ajo e mira. Vepër do të thotë punë dhe sjellje. Rezultati i sjelljes është vepër. Kjo vepër, siç mund të jetë ibadet dhe moral, mund të përmbajë edhe ndjenja e mendime. Por mund të jetë plotësisht edhe materiale.

Çdo lloj vepre që mund të bëjmë, duhet të synojmë ta kryejmë në formën më të bukur. Siç nuk ka fund e mira dhe mirësia, gjithmonë nuk do të ketë fund edhe bukuria. Pamjaftueshmëria me gradën e arritur është ajo ndjenjë që e shpie njeriun në kërkimin e bukurive të reja, e cilësive të larta dhe e mallit për gjërat sublime. Kjo realizon zhvillimin e botës njerëzore drejt përsosjes materiale dhe shpirtërore.

Xheneti është vendi në të cilin çdo lloj bukurie është në kulmin e saj. Më mirë se Xheneti nuk ka. Prandaj le të themi: Esmau’l-Husna do të shfaqen atje përgjithmonë në mënyrë të përsosur. Në shfaqjen e secilit prej emrave, nuk bëhet fjalë për përjetim vështirësie nga ana e Fuqisë së Lartë. Nisur nga kjo, Xheneti do të jetë një vend tërësisht tjetër në të cilin do të ketë mirësi e bukuri, që fjalët nuk mund t’i shprehin. Krijuesi i Lartë do ta vazhdojë krijimin e Tij. Deri ku do të arrijë kjo?

Ja, këtu është vendi ku mbarojnë fjalët.

Allahu Teala, i Cili i do bukuritë dhe krijon bukuri të pafundme, ka robër që vazhdimisht bëjnë vepra të bukura. Mendja dhe logjika e bën të domosdoshme këtë.

Atëherë, si do ta shpjegojmë gjendjen e mjerueshme që aktualisht ka bota Islame?

Kjo është histori e gjatë, kështu që po e kalojmë.

 

Share.

Leave A Reply