Pa humbur kohë, Musai (a.s.), mori udhën drejt Medjenit. Në fakt, ai kurrë s’kishte dalë jashtë qytetit dhe as që e dinte se nga duhej të shkonte. Madje, me vete s’kishte marrë asgjë për të ngrënë. Mirëpo, Allahu i Madhëruar, i dërgoi Xhebrailin (a.s.), i cili i tregoi rrugën për në Medjen. Në kushtet e asaj kohe, Medjeni ishte tetë ditë larg Egjiptit.

“Teksa drejtohej nga Medjeni, ai tha: «Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!»” (Kasas, 22)

Mendohet se, mes popullit të Medjenit dhe Musait (a.s.), kishte lidhje farefisnore. Në fakt, edhe medjenasit, edhe  Musai (a.s.), ishin prej gjakut të Ibrahimit (a.s.). Madje, Medjen, ka qenë edhe emri i njërit prej djemve të Ibrahimit (a.s.). Gjithashtu, ky vend nuk ndodhej nën administrimin e faraonit.

Më në fund, Musai (a.s.), arriti në Medjen. Aty pa një pus uji, pranë të cilit u ul për të pushuar. Atë çast, banorët e Medjenit, po nxirrnin tufat e bagëtive jashtë qytetit. Sapo dolën nga muret e qytetit, tufat e bagëtive u drejtuan menjëherë për tek pusi i ujit. Pak më vonë, të gjithë çobanët u mblodhën rreth pusit për t’i dhënë ujë bagëtive të tyre. Ndërkohë, Musait (a.s.), i tërhoqën vëmendjen dy vajza, të cilat rrinin mënjanë bashkë me bagëtitë e tyre, duke mos u përzierë me të tjerët. Ai u afrua dhe i pyeti:

“Po ju çfarë prisni? Pse nuk u jepni ujë bagëtive tuaja?”

Vajzat iu përgjigjën:

“Nuk mund t’u japim ujë bagëtive pa u larguar barinjtë!..”

Musai (a.s.), i pyeti:

“A s’keni njeri?”

Ato i thanë:

“Kemi një baba të moshuar dhe të pafuqishëm. Prandaj, ne jemi të detyruara t’i kullosim e t’u japim ujë vetë bagëtive. Megjithatë, ne nuk duam të hyjmë mes burrave. Por presim të largohen ata, pastaj u japim ujë bagëtive. Mirëpo, për shkak se ata u japin ujë para nesh, ndodh që uji të mbarohet dhe ne nuk mund t’u japim ujë bagëtive tona!..”

Në Kuran urdhërohet:

“Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: «Si e keni hallin ju?» Ato thanë: «Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak».” (Kasas, 23)

Shumica e dijetarëve, janë të mendimit se, dy vajzat ishin bijat e profetit Shuajb (a.s.), Safura dhe Sufejra! Ndërsa disa të tjerë, mendojnë se babai i vajzave, ka qenë djali i vëllait të Shuajbit (a.s.). Megjithëse Musai (a.s.), kishte tetë ditë pa ngrënë, me shumë vështirësi nxori ujë nga pusi dhe u dha për të pirë bagëtive të Safuras dhe Sufejras. Ndërsa vajzat e falënderuan dhe u larguan.

“Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: «Zoti im, çfarëdo mirësie të më japësh, unë jam nevojtar!»” (Kasas, 24)

Prej fjalëve të Musait (a.s.); “«Zoti im, çfarëdo mirësie të më japësh, unë jam nevojtar!», në njëfarë mënyre, kuptohet se ai kishte rënë në një gjendje të mjerë. Kur jetonte pranë faraonit, ai kishte gjithçka që donte. Megjithatë, këto fjalë të Musait (a.s.), nuk janë aspak ankesë, por falënderim ndaj Allahut të Madhëruar, që e shpëtoi prej faraonit dhe lutje për t’i shuar urinë!

Kur babai pa se vajzat u kthyen shpejt, u habit shumë dhe i pyeti për shkakun. Vajzat, i treguan për ndihmën që u kishte dhënë një njeri i mirë, i cili nuk ishte nga ato anë.

Babai i vajzave fton Musain (a.s).

“Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha: «Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)». Kur Musai shkoi tek ai dhe i tregoi çfarë kishte ndodhur, ai tha: «Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!»” (Kasas, 25)

Nisur nga ajeti i mësipërm, komentuesit e Kuranit, theksojnë faktin se, vajza që shkoi për ta ftuar Musain (a.s.), ka qenë me virtyte të larta morale. Ajo i afrohet me ndrojtje Musait (a.s.) dhe e fton me fjalë të qarta dhe të prera duke thënë: Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)» Pra, pa e zgjatur fjalën dhe pa e përdredhur zërin. Madje, kur po ecnin drejt shtëpisë, Musai (a.s.), ecte para, ndërsa vajza e ndiqte nga mbrapa.

Kur Musai (a.s.), arriti në shtëpinë e vajzave, babai i tyre e pyeti se kush ishte. Ndërsa Musai (a.s.), iu përgjigj:

“Unë jam Musai, i biri i Imranit nga gjaku i Jakubit.” Pastaj i tregoi ato që i kishin ndodhur. Babai i vajzave, i tha:

“Mos ki frikë! Ligjet e faraonit s’kanë fuqi në këtë vend!”

Kur i nxorën ushqim për të ngrënë, Musai (a.s.), ngurroi të hante, megjithëse ishte tepër i uritur. Plaku, e pyeti për shkakun. Ndërsa Musai (a.s.), i tha:

“Ne jemi një familje e tillë, që edhe sikur të na i japin gjithë botën, nuk e ndërrojmë me asnjë mirësi të botës tjetër! Unë nuk ju ndihmova për ushqim, por vetëm për hir të Allahut.”

Babai i vajzave, mbeti shumë i kënaqur nga kjo përgjigje dhe tha:

“Ky ushqim nuk është si shpërblim për ndihmën, por sepse je mysafiri ynë. Ha tani!”

Atëherë, Musai (a.s.), i cili ishte shumë i lodhur dhe i uritur, hëngri dhe më pas u shtri të pushonte. Ndërkohë, Safura i propozoi të atit ta merrnin këtë njeri si shërbyes me pagesë:

“…«O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim».” (Kasas, 26) Më pas shtoi:

“Këto cilësi gjenden tek ky njeri. Ai është aq i fuqishëm, sa mund të ngrejë një shkëmb të madh dhe ta hedhë në mes të pusit. Madje, ai nuk na e hodhi fare shikimin dhe në rrugë ecte para nesh. Kjo, tregon se ai është një njeri shumë i besueshëm!”[1]

Në ajetin e mësipërm, janë radhitur shumë bukur cilësitë që duhet të ketë njeriu të cilit do t’i ngarkohet një detyrë:

  1. Aftësia: Të dijë si bëhet puna që do t’i jepet dhe të ketë fuqi për ta kryer atë punë.
  2. Besnikëria: Të jetë i drejtë dhe të ngjallë besim tek njerëzit.

*

Në librin “Araisi Mexhalis”, përmenden dy gra me intuitë të fortë, të cilat kanë dhënë mendim të saktë për Musain (a.s.):

Njëra është gruaja e faraonit, Asija, sepse kur Musai u soll në pallat brenda arkës, në zemrën e saj lindi një dashuri për të. Për këtë arsye, ajo e çoi tek faraoni, të cilit i tha: “Le të jetë ky fëmijë drita e syve tanë! Mos e vrit!”.

Ndërsa tjetra, është vajza e Shuajbit (a.s.), e cila i tha babait të saj: “Baba i dashur! Punësoje me pagesë atë, që të na kullotë bagëtitë! Ai është më i miri prej atyre që mund të punësosh me pagesë. Ai është i fuqishëm dhe besnik!”

Mençuria dhe intuita, është një ndjenjë shpirtërore që shfaqet tek besimtarët e sinqertë. Kjo ndjenjë që përfshin zgjuarsinë, mençurinë dhe intuitën, është një aftësi perceptimi shpirtëror që formohet në zemër. Si shembull për këtë, mund të përmendim një ngjarje shumë mbresëlënëse lidhur me Osmanin (r.a.).

Osmani (r.a.), kishte parë dikë që i kishte shkuar syri në haram (në diçka të ndaluar) dhe i tha:

“Ruaje syrin nga harami!”

Ndërsa personi e pyeti:

“O prijës i besimtarëve, nga e di që syri im po sheh në haram?”

Ndërsa Osmani (r.a.), i përgjigjet me hadithin profetik:

“Kini frikë nga intuita e besimtarit, sepse ai sheh me dritën e Allahut!” (Tirmidhi, Tefsir, 15.)[2]

Gjithashtu, edhe nënat tona, Hadixhja, Aishja dhe Fatma -Allahu qoftë i kënaqur me to për shkak të urtësisë së lartë që i karakterizonte, përbëjnë shembuj shumë të bukur për të gjithë ne.

Hadixheja (r.anha), e flijoi pasurinë dhe jetën e saj për të Dërguarin e Allahut (a.s.). Ajo ishte e para që meritoi gradën e lartë të njeriut që i besoi dhe e pranoi atë. Aishja (r.anha), zotëronte aftësinë për ta kuptuar Profetin (a.s.), në mënyrë të mrekullueshme dhe ndjeshmërinë e lartë që përfaqësonte moralin profetik. Ndërsa Fatma (r.anha), karakterizohej nga mëshira, dhembshuria dhe devocioni, që babai i saj (Profeti), reflektonte tek ajo. Edhe pse tek ato gjendeshin virtyte të përbashkëta, secilën prej tyre e karakterizonte një gjendje shpirtërore e veçantë.

[1] -shih. Hejthemi, Mexhmeu’z-Zeuaid, VII, 88.

[2] – Kushejri, Risale, 238.

Share.

Leave A Reply