Midis Egjiptit dhe Medinës, në bregun e Detit të Kuq, jetonte një popull, që është quajtur “As’habi sebt”, që do të thotë “Populli i të shtunës”. Kjo, sepse ditën e shtunë, këta nuk bënin gjë tjetër veç adhurimit për shkak se punët e tjera veç adhurimit atë ditë ishin të ndaluara. Përveç kësaj, ata i kishin dhënë fjalën edhe Daudit (a.s.), se nuk do të gjuanin peshk.

Mirëpo, shejtani ua prishi mendjen dhe duke u thënë:

“Juve nuk ju është ndaluar gjuetia, por të ngrënët!”

Në fakt, ditët e shtuna peshku shtohej, kurse ditët e tjera pakësohej. Prandaj, pëshpëritja e shejtanit, e joshi një grup prej tyre. Për rrjedhojë, populli u nda në tre grupe:

Grupi i parë, nuk iu bind urdhrit të Allahut dhe vazhduan të gjuajnë peshk. Më pas, ata edhe hëngrën vetë, edhe shitën. Këta e hidhnin rrjetën të shtunën dhe e nxirrnin të dielën.

Grupi i dytë, megjithëse nuk u treguan të pabindur dhe nuk peshkuan ditën e shtunë, ata vetëm heshtën përballë atyre që e thyen urdhrin hyjnor, duke mos i këshilluar e qortuar.

Grupi i tretë, e zbatuan urdhrin hyjnor që u erdhi dhe i këshilluan e qortuan ata që nuk u treguan të bindur. Ndërsa atyre që heshtnin, u thanë se nuk po vepronin drejtë. Pra, ata u përpoqën të urdhëronin në të mirë.

Ata që heshtnin, këtyre që urdhëronin për mirë, u thoshin:

“Përse e këshilloni popullin që Allahu do ta zhdukë ose do ta ndëshkojë ashpër?!”

Kurse ata që urdhëronin për të mirë, u përgjigjeshin:

“Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe për t’i ruajtur ata nga mëkatet!”

Më vonë, këta që heshtën ndaj gjynaheve të tyre, ngritën një mur ndarës ndërmjet pjesës së pabindur, me qëllim që të mos i prekte fatkeqësia e cila do t’u binte atyre. Pas një farë kohe, në anën tjetër të murit zërat e njerëzve u prenë. Kur ç’të shohin, pjesa e pabindur qenë kthyer të gjithë në majmunë brenda një nate!

Ata filluan të vijnë vërdallë me pamje majmuni, të zymtë e të pashpresë dhe, pas tri ditësh vdiqën të gjithë.

Kjo ngjarje, në Kuranin Fisnik, tregohet në këtë mënyrë:

“Pyeti ata për qytetin që gjendej në bregdet dhe për çfarë i gjeti banorët e tij kur thyen urdhëresën e Sabatit (së shtunës)! Atë ditë u vinin peshqit me shumicë, ndërsa ditëve tjera që nuk i kremtonin, nuk u vinin. Kështu, Ne i vumë në provë, sepse bënin punë të mbrapshta.

Kur disa prej tyre thanë: «Përse e këshilloni popullin që Allahu do ta zhdukë ose do ta ndëshkojë ashpër?!» Këshilltarët u përgjigjën: «Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe që ju të mund të ruheni nga gjynahet!».

Por, kur e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre. Kur ata ngulmuan me mendjemadhësi të bënin atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë: «Bëhuni majmunë të përbuzur!».” (A’raf, 163-166)

Allahu i Madhëruar, thotë se kjo ndodhi, është një mësim për njerëzit:

“Këtë dënim e bëmë paralajmërim për bashkëkohësit dhe për brezat e tyre pasardhës, si dhe këshillë për ata që i frikësohen Allahut.” (Bekare, 66)

Ashtu siç shprehet edhe në ajet, Allahu i Madhëruar, ata që me këmbëngulje u treguan të pabindur, në fillim i ktheu në majmunë, pastaj i shkatërroi.

 

Share.

Leave A Reply