Ibrahimi (a.s.), u kthye në Mekë pas disa vitesh. U përqafuan me Ismailin (a.s.), e u çmallën.  Ibrahimi (a.s.), i tha Ismailit (a.s.):

“Kam urdhër nga Zoti im! Do të ndërtojmë një shtëpi dhe ti do të më ndihmosh!”

Ismaili (a.s.), dhe Xhebraili (a.s.), bartën gurë, kurse Ibrahimi (a.s.), ngriti muret. Mermeri i asaj pjese të Qabes që quhet “Vendi i Ibrahimit” (Makami Ibrahim), mbi të cilin duken gjurmët e këmbëve të  Ibrahimit, ka shërbyer si skelë gjatë ngritjes së mureve.

Allahu i Lartë urdhëron:

“Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (Bekare, 127)

Lidhur me ndërtimin e Qabes, sipas rrëfimeve, kur Ademi dhe Havaja u nxorën prej Xhenetit, u takuan në Arafat dhe ecën së bashku drejt perëndimit, e erdhën në vendin ku ndodhet Qabja. Ndërkohë, Ademi (a.s.), si falënderim për këtë bashkim, kërkon të kryejë një adhurim ndaj Zotit dhe lutet që edhe këtu t’i përsëritet ajo shtyllë drite që i krijohej në Xhenet dhe rreth së cilës bënte tavaf. Atëherë shfaqet ajo shtylla dhe Ademi rrotullohet rreth saj duke kryer atë lloj adhurimi që quhet tavaf.

Në kohën e  Shit’it (a.s.), shtylla e dritës humbet dhe në vend të saj mbetet një gur i zi. Pas kësaj,  Shiti (a.s.), ndërton në vend të shtyllës një ndërtesë katërkëndëshe, si shtylla e dritës dhe, gurin e zi, e vendos në njërën prej qosheve të ndërtesës. Ai është guri i zi që e shohim sot aty e që quhet Haxheri Esved. Pastaj, gjatë përmbytjes në kohën e Nuhut (a.s.), kjo shtëpi mbetet për një kohë e fshehur, e mbuluar nga rëra. Me leje të Zotit, Ibrahimi (a.s.), bashkë me të shoqen, Haxheren dhe të birin, Ismailin, shkojnë e vendosen atje. Më vonë, kur rritet Ismaili e bëhet burrë, të dy së bashku e rrëmojnë vendin dhe i zbulojnë themelet dhe muret e rrënuara të ndërtesës së bërë prej Shitit (a.s.). Më pas, mbi themelet ekzistuese ata ngrenë Qaben e sotme. Këtë kuptim ka edhe shprehja ngritën themelet e Qabes” që përmendet në ajetin e mësipërm.

Pas përfundimit të Qabes, Ibrahimi (a.s.) u lut kështu:

“Kur Ibrahimi u lut: «Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!» – Allahu tha: «Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e Zjarrit.» Eh, sa vendbanim i keq që është ai!” (Bekare, 126)

Allahu u jep mundësi edhe mohuesve që të furnizohen me të mirat e kësaj bote e të përfitojnë si të dëshirojnë. Pra, të mirat e kësaj bote nuk janë të kushtëzuara nga besimi. Ato u jepen edhe besimtarëve, edhe mohuesve. Por të mirat e kësaj bote janë pretekst sprove. Nëse ato janë të mira apo jo për një person të caktuar, varet nga përfundimi. Po qe se pasuria dhe pushteti çojnë në njohjen dhe adhurimin e Zotit, ato janë lumturi edhe në këtë botë, edhe në tjetrën. Nëse çojnë në devijim, rebelim e mendjemadhësi, do të thotë se e kanë shkatërruar jetën shpirtërore, dhe lumturinë e amshuar, duke sjellë fatkeqësi!

Ibrahimi (a.s.) e vazhdoi kështu lutjen e tij:

“O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!

O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (Bekare, 128-129)

Lidhur me këtë lutje, Profeti ynë, Muhamedi (a.s.), ka thënë:

“Unë jam lutja e tim eti, Ibrahimit dhe myzhdeja e Isait…” (Ahmed bin Hanbel, V, 262.)

Kështu, soji i pastër i Profetit tonë Muhamedit (s.a.v.), është si më poshtë:

  1. Muhamed (s.a.v.)
  2. Abdullah
  3. Abdulmuttalib (thirrej edhe Shejbetul Hamd)
  4. Hashim
  5. Abd-i Menaf (emri i vërtetë Mugire)
  6. Kusaj (Zejd)
  7. Hakim (Kilab)
  8. Murre
  9. Ka’b
  10. Kuvvej
  11. Galib
  12. Fihr (Kurejsh)
  13. Malik
  14. Nadr
  15. Kinane
  16. Huzejme
  17. Mudrike
  18. Iljaz
  19. Mudar
  20. Nizar
  21. Ma’ad
  22. Adnan

Gjenealogjia e pastër e të Dërguarit të Allahut (a.s.), dihet gjer këtu. Adnani është nga farefisi i Ismailit (a.s.). Megjithatë, intervali kohor mes tyre nuk dihet.

Shkurtimisht, fakti që nga brezi i Ibrahimit (a.s.), kanë ardhur shumë profetë dhe, veçanërisht Profeti Muhamed (s.a.v.), tregon për vendin e veçantë e të zgjedhur të Ibrahimit (a.s.), në historinë e profetëve. Edhe Qabja, edhe vendet e haxhit janë plot me kujtimet me karakter shpirtëror të Ibrahimit (a.s.), të cilat do të vazhdojnë gjer në Kiamet. Veçanërisht, besimtarët, në namazin e të pesë kohëve, duke u lutur për  Muhammedin, e përmendin dhe luten edhe për  Ibrahimin (a.s.):

اللَّهُمَّ صَلِّ عَلَى مُحَمَّدٍ وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ كَمَا صَلَّيْتَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ وَعَلَى آلِ إِبْرَاهِيم إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ

اللَّهُمَّ بَارِكَ عَلَى مُحَمَّدٍ وَعَلَى آلِ مُحَمَّدٍ كَمَا بَارَكْتَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ وَعَلَى آلِ إِبْرَاهِيم إِنَّكَ حَمِيدٌ مَجِيدٌ

“O Allah! Mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij!”

“O Allah! Begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, ashtu siç begatove Ibrahimin dhe familjen e tij! Padyshim se Ti je më i Denjë për falënderim dhe lavdërim!”

 

Share.

Leave A Reply