Kuptimi etimologjik i fjalës vahj është të njoftosh një të dhënë fshehurazi dhe në një kohë shumë të shkurtër. Kuptimi terminologjik i fjalës vahj është informacioni i sigurt që Profeti (a.s.), merr drejtpërdrejt nga Allahu ose nëpërmjet një meleku të ngarkuar nga Ai për këtë detyrë.
Informacioni që Allahu dëshiron t’i komunikojë një robi të Tij të përzgjedhur, bëhet me anë të njërës prej disa rrugëve specifike. Allahu ua ka bërë të ditur profetëve fjalën e tij me rrugët e vahjit.
LLOJET E VAHJIT
1– Ëndrrat e vërteta: Allahu ia ka komunikuar Profetit (a.s.), informacionin me anë të ëndrrave të vërteta. Kështu pati filluar fillimisht vahji edhe për Profetin Muhamed (a.s.), duke u realizuar gjatë ditës ato që ai kishte parë në ëndërr gjatë natës.
2– Vahji me rrugën e frymëzimit: Në këtë rast, Allahu vendos në zemrën e Profetit (a.s.), atë që Ai dëshiron, pa përdorur ndërmjetës.
3– Bashkëbisedimi pas perdes: Kur Profeti (a.s.), flet me Allahun pa pasur ndërmjetës, por nuk e sheh Atë, sepse i ndan një perde.
4– Vahji nëpërmjet melekut: Allahu ia ka komunikuar fjalën e Tij Profetit (a.s.), nëpërmjet një meleku.
Meleku që i komunikonte Profetit (a.s.), fjalën e Allahut, mund t’i shfaqej atij në pamjen e një njeriu dhe të pranishmit mund ta shihnin atë dhe t’ia dëgjonin zërin. Nganjëherë ashtu siç ishte në të vërtetë. Ndonjëherë meleku i komunikonte Profetit (a.s.), shpalljen, por ai nuk e shihte melekun, po i dëgjonte vetëm zërin.
Kurani i erdhi Profetit tonë Muhamed (a.s.), nëpërmjet llojit të katërt të vahjit, domethënë nëpërmjet një meleku. Meleku, i cili merrte ajetet ose suret nga Kurani dhe ia shpallte Profetit, është meleku më i rëndësishëm në të gjithë melekët, Xhebraili.