Salihu (a.s.), u hidhërua shumë nga injoranca dhe indiferenca e popullit të tij. Për këtë arsye, për një farë kohe ai u largua duke i braktisur ata. Më pas, kur u kthye përsëri, Allahu i Madhëruar, ua tregoi popullit madhështinë profetike të Salihut (a.s.). Dhe, populli u trondit prej madhështisë së Salihut (a.s.).

Salihu shkoi tek prijësi i popullit, Xhenda, i cili i tha:

“Nëse thua të vërtetën, kemi për të të provuar

Ishte një shkëmb që i thoshin el-Katibe. Duke e pasur fjalën për këtë shkëmb, Xhenda i tha kështu Salihut:

“Do të shkojmë atje së bashku. Zoti yt le të bëjë prej atij shkëmbi një deve femër qimekuqe, e cila të jetë duke lindur. Madje edhe ngjyra e qimes së të voglit të jetë si e të ëmës!..”

Ndërsa njerëzit që ndodheshin aty, shtuan me të tallur:

“Dhe qumështin ta ketë të freskët verës e të ngrohtë dimrit. Çdo i sëmurë që të pijë nga ky qumësht, të gjejë shërim, kurse i varfëri të shpëtojë nga varfëria!”

Ato kohë, gjëja më e çmuar për atë popull ishte deveja e kuqe. Prandaj ata i kërkuan Salihut (a.s.), një deve të tillë.

Në kohën kur i gjithë populli i Themudit u mblodh, Salihu (a.s.), filloi të falej e t’i lutej Zotit. Ndërkohë, shkëmbi nisi të rritej duke rënkuar. Dhe prej tij doli një deve qimekuqe duke thënë:

“La ilahe il’lallah, Salihun nebijullah; Nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe Salihu është i Dërguari i Allahut!”

Përballë kësaj mrekullie, Xhenda e puthi Salihun (a.s.), në ballë dhe i foli popullit:

“O populli im! Mjafton me këtë verbëri që kemi treguar gjer më sot! Unë i besova Allahut, veç të Cilit nuk ka ndonjë zot tjetër, i cili nuk ka të ngjarë, si dhe Salihut, i cili është i Dërguari i Tij!..” Në këtë mënyrë, Xhenda së bashku me njëqind vetë prej popullit, pranoi besimin e një Zoti të vetëm.

Mirëpo, kryetari i tempullit të idhujve tha:

“Sa shpejt jepeni pas një magjie! Unë kam për t’ju treguar juve një magji akoma më të madhe!”

Në këtë mënyrë, ai ua ndryshoi zemrat atyre që sapo do të besonin, përfshi edhe të vëllain e Xhendës. Më pas, kryetari i tempullit, e mori kurorën e prijësit nga koka e Xhendës dhe ia vuri në kokë të vëllait duke thënë:

“Këtej e tutje prijësi ynë je ti!”

Kurse Xhenda, shkoi në shtëpi dhe i theu të gjithë idhujt që kishte aty. Ndërsa mallrat e veta dhe sendet me vlerë ua ndau besimtarëve të rinj. Pastaj veshi një rrobë të vjetër dhe filloi edhe vetë të kumtonte besimin monoteist dhe u bë një ndër ndihmësit e profetit Salih (a.s.).

Idhujtarët i thanë Xhendës:

“Sa keq për ty që i besove magjisë së Salihut!”

Kurse Xhenda s’ua varte thënieve të tyre e s’ndahej prej Salihut.

Allahu e urdhëroi Salihun:

“Ne po u dërgojmë devenë për t’i sprovuar, andaj ti (o Salih) priti ata dhe bëhu i durueshëm!” (Kamer, 27)

*

Me anë të shpalljes hyjnore, Salihu (a.s.), vendosi disa kritere në lidhje me devenë:

“O populli im! Kjo është deveja e Allahut, shenjë e qartë për ju, prandaj lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe, se ju godet ndëshkimi menjëherë!” (Hud, 64)

“Ai tha: «Ja, kjo është një deve. Ajo do të ketë radhën e saj për të pirë, ashtu si edhe ju, në ditë të caktuara. Mos i bëni kurrfarë të keqeje asaj, se do t’ju godasë dënimi i një Dite të Madhe!»” (Shuara, 155-156)

Deveja ishte me trup të madh, e zgjuar dhe e bukur. Bashkë me të voglin e saj, kullosnin dhe e përmendnin Zotin. Kurse kafshët e tjera frikësoheshin prej madhështisë së saj dhe iknin. Ata që e shihnin, mahniteshin me të. Madje edhe ushqyerja e saj ishte ndryshe nga ajo e kafshëve të tjera. Ajo pinte në një ditë të gjithë ujin e puseve të qytetit. Aq, sa kafshët e tjera nuk gjenin ujë për të pirë. Në fakt, Salihu (a.s.), e kishte përcaktuar radhën e ujit. Për rrjedhojë, një ditë pinte deveja, një ditë pinin kafshët e tjera. Deveja thoshte:

“Kush të dojë qumësht, le të vijë të marrë!..”

Ndërsa themudasit, shkonin e mbushnin enët me qumësht. Pasi pinte ujë, deveja vazhdonte të përmendte emrin e Zotit. Besimtarët që pinin qumështin e saj, gjenin shërim.

Të mërzitur prej dobësisë së tyre përballë kësaj mrekullie, mohuesit donin ta vrisnin devenë, por kishin frikë se mos pas këtij krimi vinte ndëshkimi. Megjithatë, dy gra, duke treguar si shkak se tufat e bagëtive të themudasve po pësonin dëm, nisën t’i nxisnin mosbesimtarët për ta vrarë devenë. Njëra prej tyre quhej Unejze binti Ganem. Ajo ishte një grua e moshuar, por kishte vajza të bukura. E dyta, që quhej Muhejja, ishte edhe e pasur, edhe e bukur.  Këto dy gra kishin edhe tufat e tyre të bagëtive dhe, kur pinte ujë deveja e Salihut, tufat e tyre s’mund të pinin. Bagëtitë pinin ujë me radhë: një ditë deveja me të voglin e saj, një ditë kafshët e tjera…

Muhejjaja thirri djalin e xhaxhait, Mistain:

“Pa shih”,- i tha ajo,- po ta vrasësh këtë deve, do të martohem me ty! Çdo gjë e imja ka për t’u bërë e jotja!..”

Mistai pranoi. Por i duhej njëri si ndihmës. Gjeti një idhujtar me emrin Kitar. Atij iu propozua njëra prej vajzave të Unejzes. Pasi gjetën edhe ca fatzinj të tjerë, u bënë nëntë vetë. Pastaj nisën të bënin propagandë mes idhujtarëve për ta vrarë devenë. Allahu i Lartë urdhëron:

“Në qytet kishin qenë nëntë vetë që bënin ngatërresa e nuk vinin rregull.!” (Neml, 48)

Nëntë vetët zunë pusi për të vrarë devenë. Mista gjuajti me shigjetë dhe e plagosi devenë. Ndërsa Kitari me të tjerët, u hodhën mbi devenë.

“Kështu, ata e therën devenë pa e përfillur urdhrin e Zotit të tyre!..” (A’raf, 77)

I vogli i devesë, u frikësua dhe iku në mal. Sipas disa transmetimeve, edhe atë e vranë dhe e hëngrën. Kur Salihu (a.s.), mori vesh për këtë, u hidhërua shumë. Ai u afrua pranë devesë dhe qau për një kohë të gjatë. Pastaj u lut për udhëzimin e popullit të tij. Më vonë, shkoi tek populli dhe u tha:

“O populli im, përse ju e dëshironi të keqen para së mirës?! Përse nuk kërkoni nga Allahu falje (të gjynaheve) që të mund të mëshiroheni?!” (Neml, 46)

Mirëpo, ata thanë:

“O Salih, sillna atë që na ke premtuar, nëse je vërtet i dërguar!” (A’raf, 77)

“Ai u largua prej tyre dhe tha: «O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë.»” (A’raf, 79)

“Ata thanë: «Ne kemi ogur të keq prej teje dhe atyre që janë me ty.» Ai u tha: «E mira dhe e keqja është prej Allahut. Në të vërtetë, ju jeni popull i vënë në sprovë.»” (Neml, 47)

Zëri i frikshëm dhe tërmeti

“Por ata e therën dhe ai tha: «Jetoni në shtëpitë tuaja edhe tri ditë! Ky është premtimi i vërtetë.»” (Hud, 65)

Këto tri ditë ishin e mërkura, e enjtja dhe e premtja. Ditën e parë do t’u zverdheshin fytyrat, ditën e dytë do t’u skuqeshin, ditën e tretë do t’u nxiheshin dhe ditën e katërt do të shkatërroheshin përfundimisht!

Mëngjesin në të gdhirë të asaj nate ndodhën gjëra të çuditshme. Atje ku kishte shkelur këmba e devesë, shpërthente gjak. Gjethet e pemëve u skuqën. Uji i burimit u bë i kuq si gjaku. Fytyrat e fatzinjve u bënë si limon. Ndërsa ata nëntë vetët thanë:

“Salihu po na bën magji! Ta vrasim atë bashkë me familjen!”

“Ata i thanë (njëri-tjetrit): «Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij. Pastaj do t’u themi të afërmve të tij se ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën.»” (Neml, 49)

Kur ra nata, këta nëntë vetë shkuan në faltoren e Salihut (a.s.). Mirëpo, me urdhër të Allahut, Xhebraili i vrau duke i gurëzuar.

Allahu i Madhëruar, urdhëron:

“Dhe kurdisën një kurth, por Ne u ngritëm një grackë, pa e ndier ata.” (Neml, 50)

Pas kësaj ngjarjeje, Salihu (a.s.) dhe rreth katër mijë vetë që i kishin besuar, e braktisën vendbanimin.

“E, kur erdhi urdhri Ynë, Ne me mëshirën Tonë, e shpëtuam Salihun bashkë me besimtarët e tij nga poshtërimi i asaj dite. Me të vërtetë, Zoti yt është i Forti dhe i Plotfuqishmi.” (Hud, 66)

Pasi besimtarët u larguan nga qyteti, ditën e dytë, fytyrat e mëkatarëve u bënë të kuqe flakë. Kurse ditën e tretë, u nxinë. Atëherë, filluan të shihnin se nga do t’u vinte ndëshkimi.

Allahu i Madhëruar, urdhëroi Xhebrailin (a.s.) dhe ato shtëpitë e forta me të cilat mburreshin ata, u kthyen përmbys.

“Ja shtëpitë e tyre të rrënuara, për shkak të këqijave që bënin. Sigurisht që këtu ka këshillë për njerëzit që dinë.” (Neml, 52)

“E, me të drejtë i kaploi ata një zë i tmerrshëm dhe Ne i bëmë si gjethe të fishkura. Larg qoftë (nga mëshira e Allahut) populli keqbërës!” (Mu’minun, 41)

“Kurse ata që bënë të këqija, i kaploi një zë i tmerrshëm dhe në shtëpitë e tyre u gdhinë të vdekur e të palëvizshëm.” (Hud, 67)

 “Dhe (ata) nuk patën aspak dobi nga ajo që patën ndërtuar.” (Hixhr, 84)

“Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia! Ne dërguam mbi ta një ulërimë të vetme e ata u bënë si sana e copëtuar në pleme.” (Kamer, 30-31)

“Dhe kështu, ata i goditi dënimi. Njëmend, në këtë ka këshillë, por shumica e njerëzve nuk janë besimtarë. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.” (Shuara, 158-159)

 

Share.

Leave A Reply