Muadh ibn Xhebeli (RadijAll-llahu anhu) ka thënë se i Dërguari i Allahut (Sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e ka porositur me dhjetë porosi:

 “Mos i shoqëro Allahut askënd në adhurim (mos i bëj shirk Atij), edhe nëse vritesh dhe digjesh;

Kurrsesi mos u bëj i padëgjueshëm ndaj prindërve të tu, edhe nëse të urdhërojnë të dalësh dhe të ndahesh nga familja e pasuria jote;

Assesi mos e lër pa falur namazin farz qëllimisht, sepse mbrojtja e Allahut largohet prej atij që qëllimisht nuk e fal namazin farz;

Kurrsesi mos e pi alkoolin, ngase ai është kreu i çdo të keqeje;

Të kesh kujdes nga gjynahet, sepse në saje të gjynaheve lëshohet hidhërimi i Allahut;

Mos ik prej frontit të luftës edhe nëse shkatërrohen të gjithë njerëzit;

Nëse i godet njerëzit mortja, murtaja, e ti je në mesin e tyre, qëndro me ta;

Shpenzo për familjen tënde nga mundësitë e tua;

Mos e ngre prej (ndaj) tyre thuprën, si mjet të edukimit;

Frikësoji ata me dënimin e Allahut!

(Ahmed, Et-Taberi; Hadith Hasen)

Dobitë e hadithit

  • Allahu është i vetmi i denjë për adhurim, hyjnizimi dhe pushteti absolut i takojnë vetëm Atij. Nisur nga kjo bindje islame, shirku konsiderohet gjynahu më i madh; konsiderohet padrejtësi në raport me Allahun. Kush bie në shirk dhe nuk pendohet e ka haram Xhenetin. Sot, në shumë raste, nuk është vetëm statuja zot, as nuk është vetëm ikona idhull, por sot kemi shumë zota, idhuj, të cilët konsiderohen se janë qëllimi i ekzistencës njerëzore: materializmi, fama, arti, karriera, sporti, epshi etj.
  • Mirësjellja ndaj prindit konsiderohet “derë Xheneti”. Xheneti është nën këmbët e nënës.
  • Namazi është shtylla e fesë. Namazi dallon besimtarin praktikant nga muslimani diletant.
  • Alkooli dhe çdo gjë tjetër që sjell turbullim a humbje të mendjes janë të ndaluara në islam. Alkooli është nënë e të zezave, dëmton ekonominë, shëndetin, familjen, shoqërinë. Njeriu në kohën tonë është i goditur nga stresi, i ngërthyer nga ankthi, i kapluar nga mjerimi, shqetësimi dhe konfuzioni. Pikërisht “për të shpëtuar” nga ky realitet ai “strehohet” tek alkooli dhe substancat narkotike, për të gjetur “qetësi afatshkurtër”. Kurrsesi!
  • Gjynahet janë si pranga, të cilat e robërojnë shpirtin. Nuk ka njeri pa gjynahe, por këmbëngulja dhe mos pendimi nga gjynahet shkaktojnë zemërimin hyjnor.
  • Dezertimi nga fronti i luftës është gjynah i madh. Braktisja e shokëve shkakton rënien e moralit luftarak, disfatë shpirtërore në front.
  • E kemi të ndaluar të ikim prej vendeve ku ka rënë epidemi, që të mos e mbartim atë edhe në vende të tjera. Po ashtu na është ndaluar të udhëtojmë drejt një vendi ku ka rënë epidemi, që të mos rrezikojmë jetën.
  • Shpenzimi për familjen është sadakaja më e vlefshme.
  • Në shërbim të edukimin jemi të urdhëruar “ta varim thuprën lart, ku e shohin anëtarët e familjes”. Megjithatë thupra është “ilaçi” i fundit që shërben për edukimin. Dialogu dhe këshilla janë më parësore. Goditja, nëse bëhet e nevojshme, duhet të jetë e lehtë, disiplinuese, jo dëmtuese, as lënduese; nuk goditet në fytyrë, në kokë apo në pjesë delikate të trupit; nuk duhet të jetë për gjëra jothelbësore, të rëndomta; nuk duhet të ndodhë para moshës dhjetëvjeçare. Profeti ynë (Sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kurrë nuk i ka goditur fëmijët, as gratë. Profeti Muhamed (Sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i ka lavdëruar ata bashkëshortë që nuk i godasin gratë e tyre. Kur burri kthehet në xhelat në emër të fesë, ose kur gruaja merr pozicionin mashkullor në emër të modernizmit, këto situata nuk i pranon Islami. Islami nuk e pranon dhunën që ushtrohet anembanë botës mbi gratë dhe fëmijët. Shpesh vërshojnë kritika ndaj Islamit, duke harruar dhunën që ushtrohet në shoqëritë perëndimore. Në Amerikë, çdo 18 sekonda një burrë godet gruan e tij. Në Gjermani, 100 gra rrihen nga burrat, çdo vit. Në Rusi, të paktën 36 mijë gra në ditë goditen nga partnerët e tyre. (Familja muslimane në epokën e globalizmit, fq: 84)
  • Edukimi i fëmijëve është prioritet për familjen islame. Edukimi i tyre me ndjenjën e besimit në Allah, ndjenjën e frikës dhe të dashurisë për Allahun është kulmi i edukimit. Jo rallëherë prindërit gabojnë në këtë drejtim, saqë fëmijët trishtohen dhe ngelin peng të fobive a frikësimeve nga individë pozitivë (polici) apo dukurive jo të vërteta (gogol, shtriga, kuçedër etj.)

Përgatiti: Gilman Kazazi

Share.

Comments are closed.