Prof. Dr. Sulejman Derin

Njerëzit që përpiqen për t’i shërbyer Islamit dhe për t’u bërë myslimanë të devotshëm, gjithmonë e kanë tërhequr dashurinë dhe respektin e shoqërisë. Pas një kohe të shkurtër, të dashuruarit pas përshpirtjes i rrethojnë ata. Por sidoqoftë, një xhemat apo një lëvizje fetare, sado e madhe që të jetë, nuk është e pagabueshme. Për këtë arsye, çdo lëvizje apo xhemat fetar që del në pah, duhet të bëjë kujdes në çështjen e rishikimit të metodave që përdor në ushtrimin e aktivitetit të vet.

Siç shprehet edhe imam Gazaliu, nganjëherë fillohet puna me nijet të mirë, por më vonë nijeti mund të prishet, ose në fillim mund të ketë nijet të keq, por më vonë nijeti mund të rregullohet. Një punë e filluar me nijet të pastër, nuk ka garanci se do shkojë mirë. Përgjatë gjithë historisë mistikët kanë shfaqur kujdes maksimal në lidhje me këtë çështje. Personat që largoheshin nga Kurani dhe Suneti, së pari janë kundërshtuar nga miqtë e tyre. Ndërmjet këtyre, Imam Rabbani zë një vend të veçantë, sepse ai nuk ka hezituar qoftë edhe një çast për t’i nxjerrë në pah gabimet e mistikëve dhe metodat e gabuara që ata kanë përdorur.

Njëri prej gabimeve që bëhet fjalë është shndërrimi në profesion i qasjes në “shikimin e bukurisë së Zotit në bukurinë e krijesave”. Disa mistikë, kalimin e njeriut nga metafora te e vërteta e kanë quajtur si “të arrish nga dashuria e Lejlës te dashuria e Zotit”. Shprehja: “Metafora është ura e së vërtetës”, është bërë mbështetja e mistikëve në këtë çështje. Imami e shpjegon kështu këtë çështje në letrën e gjashtëdhjetë e gjashtë të vëllimit të tretë të Mektubatit të tij:

“Ti duhet ta dish se metafora është hija e së vërtetës. Në hije gjendet një rrugë e madhe që shkon te e vërteta. Disa të mëdhenj e kanë thënë në këtë kuptim fjalën: “Ai që njeh veten, njeh edhe Zotin.” Sepse njohja e hijes e shpie njeriun te njohja e objektit që e formon hijen. Sepse hija ekziston në sajë të atij objekti. Andaj, e nxjerr në pah edhe objektin nga i cili formohet vetë.”

Sipas Imamit, rreziku këtu mund të jetë te fakti se mistikët nganjëherë qëndrojnë vetëm te metafora, domethënë, e lënë synimin dhe kapen pas mjetit. Kjo arrin deri në atë gradë saqë pasuesit të ndonjë lëvizjeje fetare i merren mendtë kundrejt bukurisë së metaforikes. Si rezultat, metaforikja ia pret rrugën që e çon te Zoti, në vend që ta shpinte tek Ai. Nisur nga frymëzimi që ka marrë prej hadithit, imami thotë se njeriu mund ta shohë diçka vetëm një herë. Nëse e shikon dy herë, kjo e çon atë në gabim metodologjik:

“Edhe kjo nuk duhet të harrohet se, ura e së vërtetës është shikimi i parë, siç shprehet edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.): “Shikimi i parë është shikimi yt.” Ndërsa rreziku më i madh në këtë çështje –Allahu na ruajtë- është se, nëse besimtari kaplohet nga metaforikja, ndërkohë që shkon drejt së vërtetës dhe hedh shikimin e dytë, atëherë metaforikja, lëreni që s’bëhet urë për tek e vërteta, por bëhet një shejtan që e pengon në rrugën që e shpie tek ajo. Madje, kjo e thërret atë si një idhull për ta adhuruar dhe i kurdis kurthe për ta larguar nga rruga e vërtetë. Për këtë arsye, Lajmëtari më i Vërtetë, i cili është i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë për ta shpjeguar dëmin e shikimit të dytë: “Shikimi i dytë është kundër teje.” Çfarë gjëje mund të jetë më e dëmshme se ajo që e largon besimtarin nga Allahu i Lartësuar dhe e preokupon atë me gjëra të humbura?

Në komentimin e ajetit fisnik: “Thuaju besimtarëve që t’i ulin shikimet!”, i cili ka ardhur veçanërisht për besimtarët që janë të huaj për njëri-tjetrin, shprehet se çdo lloj shikimi apo lidhjeje që e pengon njeriun ndaj Allahut Teala është e ndaluar me këtë ajet. Për fat të keq, ana më interesante e kësaj pune është se disa mistikë injorantë e kanë kuptuar plotësisht ters këtë ajet dhe janë kapluar nga dëshira për ta vështruar bukurinë e Zotit te fytyrat e njerëzve. Por kjo, siç shprehet edhe në hadithin fisnik, është imoralitet i syrit dhe një vepër e ndaluar. Disa mistikë të papjekur dhe të pamend, nuk kanë arritur dot ta kuptojnë thelbin e kësaj shprehjeje. Për këtë arsye, kanë gabuar dhe e kanë ngatërruar çështjen. Ndërkohë që dëshironin që kjo gjë të ishte mjet apo qëllim për të arritur te Zoti, u lidhën pas pamjeve të bukura dhe u mashtruan nga bukuritë e tyre. Këta injorantë pandehin se bukuria e formave është bukuria e Allahut Teala. Në këtë mënyrë, mendojnë se preokupimi me këto forma është i njëjtë me preokupimin ndaj Zotit dhe pandehin se shikimi i atyre formave është i njëjtë me shikimin e Zotit. Sipas Imamit, këto lloje mendimesh janë plotësisht të gabuara dhe jashtë kufijve të Ehli Sunetit. Të pandehurit se bukuria e Allahut Teala është e njëjtë me bukurinë e krijesave të Tij, është mëkat i madh, sepse bukuria e Tij është mbi çdo lloj përfytyrimi. Imami përpiqet ta shpjegojë me gjendjen e Hz. Musait këtë çështje: “Djegia dhe copëtimi i malit Tur dhe të fikëtit që i ra Hazreti Musait (a.s.), edhe pse ishte në pozitë të lartë, për shkak të një shfaqje të Allahut të Madhëruar, është e vërtetuar me Kuran. Ndërsa mistikët për të cilët po flasim, me mendjet e tyre shterpa, pohojnë se Allahun e Lartësuar mund ta shikojnë gjithmonë dhe pa ndonjë pengesë te krijesat e Tij. Allahu i Madhëruar është shumë larg shpifjeve që thonë këta të pacipë. Çfarë e pandeh Allahun Teala ky grup njerëzish të mangët? Si mund ta përfytyrojnë bukurinë e Zotit (xh.sh.)? A nuk e kanë dëgjuar ata se sikur të binte në këtë botë një fije floku e hyrive të xhenetit, të cilat janë prej krijesave të Allahut Teala, bota nuk do errësohej asnjëherë dhe nuk do kishte natë për shkak të rrezatimit dhe ndriçimit të asaj fijeje floku? Në këtë letër të tij, Imam Rabbani e ka hetuar deri në detaje njërin prej gabimeve në të cilat kanë rënë mistikët. Ai, në Mektubatin e tij, i ka kritikuar mistikët edhe për shumë gabime të tjera si ky dhe ka treguar të vërtetën e çështjes. Madje, ka kritikuar edhe mistikët që kanë marrë edukim mistik për vite të tëra. Si përfundim, nga çdo lloj lëvizjeje apo grupi fetar mund të dalin njerëz që i kuptojnë gabim hadithet dhe si rezultat përpiqen t’i arrijnë qëllimet e tyre me metoda të gabuara. Në një mjedis ku nëpërkëmben dispozitat e qarta të Kuranit dhe Sunetit, nuk është e lejuar që robi t’i bindet robit. Nisur nga kjo, çdo grup duhet t’i analizojë mendimet dhe veprimet e tij nën dritën e Kuranit, Sunetit dhe ixhmasë (konsensusit të dijetarëve). Veçanërisht në këto ditë të vështira që po përjetojmë, të gjithë individët, lëvizjet apo grupet islame duhet ta rishikojnë veten e tyre dhe të pendohen për metodat dhe veprat që janë larg shpirtit të Islamit, por që bëhen në emër të fesë, sigurisht nëse kanë bërë prej këtyre. Të mos harrojmë se, përveç të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), asnjë mistik, dijetar apo njeri i devotshëm nuk është i mbrojtur nga gabimi. Përgjatë historisë islame ka pasur shumë lëvizje me qëllime sublime, por që kanë devijuar më vonë. Sepse, për shejtanin është e rëndësishme të devijojë jo injorantët, të shkujdesurit dhe të devijuarit, por dijetarët dhe njerëzit e devotshëm. Metoda që shejtani përdor më shumë në këtë çështje është se ai i përzien qëllimet me mjetet dhe u prin grupeve ekstreme që të veprojnë me fanatizëm. Allahu Teala na mbajttë larg nga çdo lloj ekstremizmi dhe mos na ndaftë nga dijetarët e mëdhenj. Shkrimin tonë le ta përfundojmë me lutjen e imamit: Paqja e Zotit qoftë mbi ata që ndjekin udhëzimin dhe që i mbahen fort rrugës së Hazreti Muhamed Mustafasë (s.a.s.).

Share.

Leave A Reply