Xhelaleddin Rumi, ka thënë:

“Ushqimi i vërtetë i njeriut, është drita e Allahut. Atij nuk duhet t’i jepet tepër ushqim për trupin. Ushqimi i vërtetë i njeriut, është dashuria dhe mendja hyjnore.

Njeriu nuk është i qetë, për shkak se e ka harruar ushqimin e tij të vërtetë, atë shpirtëror dhe është dhënë pas ushqimit trupor. Ai nuk di të ngopet… Dhe për shkak të ambicies, fytyra e tij është zverdhur, këmbët i dridhen dhe zemra i rreh fort nga paniku. Ku është ushqimi i botës, ku është ushqimi i pafundësisë?!.

Allahu i Madhëruar, në lidhje me shehidët/dëshmorët, thotë se ata «po furni­zohen». Për atë ushqim shpirtëror, nuk ka as gojë dhe as trup.”

Në ngrënien e pakët dhe veçanërisht në uri dhe agjërim ka dhjetë të mira:

1) Gjatë përjetimit të urisë shtohet kënaqësia e zemrës dhe forca e me­mories. Ndërsa, kur je gjithmonë i ngopur, shtohet trashësia e mendjes dhe harresa.

2) Gjatë urisë zbutet zemra dhe ndihet kënaqësi e frymëzim në lutje dhe adhurime. Ndërsa në ngopje ngurtësohet zemra dhe prej adhurimeve nuk ndihet kënaqësi.

3) Gjatë urisë shtohet shpirtbutësia dhe modestia, ndërsa në ngopje kryeneçësia, mburrja dhe mendjemadhësia.

4) Gjatë urisë mendohet për të varfrit dhe të uriturit, ndërsa në ngopje këta harrohen e nuk mendohen.

5) Gjatë urisë thyhen dëshirat dhe epshet e egos, ndërsa në ngopje fuqi­zohet egoja që urdhëron për të keq.

6) Gjatë urisë trupi është i gjallë dhe vigjilent, ndërsa në ngopje trupi është i plogësht dhe i përgjumur.

7) Gjatë urisë është e lehtë të vazhdosh adhurimet, ndërsa në ngopje mbizotëron dembelizmi dhe ngathtësia.

8) Gjatë urisë trupi është i shëndetshëm, ndërsa në ngopje trupi dobë­sohet dhe sëmuret.

9) Gjatë urisë trupi ndihet i lehtë dhe i rehatshëm, ndërsa në ngopje trupi ndihet i rëndë dhe i ngathët.

10) Gjatë urisë bamirësia dhe dhurimi bëhen të dashura, gjë e cila e ndih­mon robin të strehohet nën hijen e freskët të Allahut në Ditën e Kijametit, kur nxehtësia do të arrijë kulmin. Ndërsa në ngopje shtohet koprracia dhe shpërdorimi, të cilat e shkatërrojnë njeriun.

Pra, ndërkohë që ngopja nxit dëshirat e ulëta të egos, uria -pa e tepruar- forcon aftësinë e meditimit dhe ndjenjat.

Agjërimi i garanton njeriut të jetë i shëndetshëm në çdo aspekt. I Dërguari i Allahut a.s, ka thënë:

“Agjëroni, që të jeni të shëndetshëm!” (Hejthemi, III, 179)

Por argumenti më i mirë që dëshmon për shëndetin fiziko-shpirtëror dhe virtytet që fitohen në sajë të urisë, është fakti se Allahu i Madhëruar, me anë të agjërimit i ka përgatitur edhe Pejgamberët e Tij për të marrë mesazhin hyjnor. Kur ata arritën majën e përsosmërisë, janë larguar nga njerëzit për një farë kohe dhe tek ata janë shfaqur cilësi të larta. Në këtë mënyrë, zemrat dhe mendjet e tyre janë bërë të gatshme për shpalljet hyjnore. Për shembull:

Pejgamberi i çmuar i Malit Sina, Musai a.s, ka agjëruar dyzet ditë e dyzet net, derisa është shpallur Teurati/Tora.

Po ashtu edhe pejgamberi i bekuar i Malit Sair, Isai a.s, ka agjëruar dyzet ditë e dyzet net, sapo ka dëgjuar fjalën e parë të Inxhilit/Ungjillit.

Ndërsa Pejgamberi, Muhamedi a.s, para se të zbriste Kurani Fisnik, ka qëndruar për një kohë të gjatë i vetmuar në shpellën Hira në afërsi të Mekës, duke i kaluar ditët e tij me adhurime të ndryshme. Më në fund, ai mori përgëzimin nga zëri i Xhibrilit  dhe zemra e tij filloi të mbushej me dritën e frymëzimit hyjnor.

Gjithashtu edhe para se Pejgamberi a.s, të ngrihej në Miraxh dhe të bënte një takim të veçantë, detajet e të cilit janë të panjohura për ne, arriti majën e përsosmërisë, duke duruar ndaj urisë dhe vuajtjeve të shumta që i shkaktuan idhujtarët me anë të embargos për tre vjet rresht.

Këto fakte tregojnë se qëllimi dhe dobia e vërtetë e agjërimit është shpirt­ërore. Për rrjedhojë, agjërimi duhet të mbahet vetëm për shkak se është një adhurim. Nëse agjërimi mbahet vetëm duke pasur për qëllim dobitë e tij të jashtme, ai nuk quhet më agjërim. Pra, qëllimi i agjërimeve tona nuk duhet të jetë parandalimi i tejngopjes së stomakut dhe rënia në peshë. Në agjëri­me të tilla nuk mund të bëhet fjalë për kënaqësinë hyjnore. Megjithatë, në agjërimet që mbahen për hir të Allahut, këto dobi dalin në pah vetvetiu.

Për këto arsye, myslimani që agjëron, duhet ta ruajë jetën e tij shpirtërore nga dëshirat e ulëta të egos dhe prirjet e saj të këqija. Ai nuk duhet të mja­ftohet vetëm duke qëndruar larg prirjeve të jashtme, si ngrënia dhe pirja, por duhet të ruajë edhe botën e tij shpirtërore prej përgojimit, gënjeshtrës dhe çdo lloj mendimi të ulët të kësaj bote.

Allahu i Madhëruar i ka nxitur robërit e Tij të agjërojnë edhe për shumë të mira e dobi të tjera të agjërimit, të cilat nuk mundëm t’i përmendnim këtu. Dhe me qëllim që njerëzit ta praktikojnë sa më shumë agjërimin, Ai e ka shumëfishuar edhe shpërblimin e tij. Për çdo të mirë, jepet shpërblim nga dhjetë deri në shtatëqind fish. Mirëpo, agjërimi është i përveçëm. Shpërbli­min e tij, Allahu i Madhëruar do ta japë pa masë. Robërit e Tij që agjërojnë, Ai do t’i gëzojë, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër, duke i pritur në mënyrë të veçantë në xhenetin e Tij. Resulullahu r, ka thënë:

“Allahu i Madhëruar ka urdhëruar: «Përveç agjërimit, çdo vepër e njeriut është për veten e tij. Kurse agjërimi, është për Mua dhe shpërblimin e tij do ta jap Unë».

Agjërimi është mburojë. Kur njëri prej jush të agjërojë, të mos flasë fjalë të këqija dhe të mos grindet. Nëse dikush e shan ose i keqet, le të thotë:

«Jam agjërueshëm!»

Betohem në Allahun, i Cili ka në dorë shpirtin e Muhamedit, se era e gojës së agjëruesit, tek Allahu është më e këndshme se ajo e miskut (parfumit). Për agjëruesin ka dy momente gëzimi:

Njëri është iftari200 dhe tjetri është kur ai takohet me Allahun dhe sheh shpër­blimin e agjërimit.” (Buhari, Saum, 9; Muslim, Sijam, 163)

Shkurtimisht, agjërimi është një nga ushqimet më të mira për shpirtin. Ai e bën njeriun të jetojë në një disiplinë fizike dhe shpirtërore. Ai e zhvillon shpirtin duke e mësuar atë të minimizojë edhe përdorimin e hallalleve/të lejuarave. Besimtari, që edhe hallallet i përdor me masë të caktuar, ruhet më tepër prej gjërave të dyshimta dhe nuk u afrohet fare harameve/të nda­luarave.

 

Burimi: Islami feja e vërtetë

Share.

Comments are closed.