Gjendja e mirësisë, e cila shpreh forcimin e ndërgjegjes në zemër dhe të konceptuarët se besimtari vazhdimisht gjendet nën mbikqyrjen hyjnore, pra është nën vëzhgimin e kamerave hyjnore, është miraxhi i shpirtrave të robërve që janë afër Allahut.

Në ajetet fisnike tregohet se Allahu vëzhgon çdo lëvizje të robit dhe se kur të vijë koha do ta marrë në llogari:

“Ne, duke e ditur mirë, do t’ua tregojmë atyre (atë që kanë bërë) sepse ne nuk mungonim.” (el-A’raf, 7)

“A nuk e dinë (hipokritët) se Allahu e di atë që fshehin (në zemra) dhe atë që bisedojnë, dhe se Ai i di të gjitha të fshehtat?” (et-Teube, 78)

“Biri im! Nëse vepra që ke bërë (e mirë apo e keqe) peshon edhe sa kokrra e lirit dhe të jetë e fshehur në shkëmb, në qiell apo në tokë, Allahu do ta sjellë atë (përpara teje). Allahu është i butë dhe di gjithçka.” (Llukman, 16)

Një njeri që e ndjen se e shikojnë dy sy në këtë jetë, shmanget nga shumë sjellje dhe fjalë të këqia. Mbi të gjitha kundrejt dy syve të paaftë për ta ndëshkuar… Po ashtu edhe njeriu besimtar që jeton në mirësi, e kupton se Allahu Teala e shikon dhe di gjithçka që ka folur dhe bërë.

Një kuptim tjetër i mirësisë është kryerja e çdo lloj pune në masat më të përsosura.

Një nga çështjet e rëndësishme në përgatitjen për vdekje, është përforcimi i ndjenjës së mirësisë në zemër. Domethënë, ta kesh zem­rën me Zotin në çdo çast dhe ta ndjesh veten gjithmonë nën vëzhgi­min hyjnor. Arritja e këtij bashkimi shpirtëror bëhet i mundur vetëm duke e përkujtuar Allahun shumë, shumë.

Ndërsa hapi i dytë për të arritur mirësinë dhe mbikqyrjen, është meditimi në këto ajete të Zotit:

“…Kudo që të jeni, Ai është me ju…” (el-Hadid, 4)

“…Ne jemi më afër njeriut se sa damari i qafës.” (Kaf, 16)

“…Dijeni mirë se Allahu hyn në mes njeriut dhe zemrës…” (el-Enfal, 24)

Në lidhje këtë çështje, i dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem ka thënë:

“Grada më e lartë e besimit është të dish se Allahu është me ty kudo që të jesh.” (Hejsemi, I, 60)

Nuk ka as dyshimin më të vogël se i Dërguari i Allahut ishte gjith­monë në gjendjen e ihsanit (mirësisë) natë-ditë, në vështirësi, në reha­ti, në luftë e në paqe. Mirësitë që ai kryente çdo çast, si dhikri, duatë dhe lutjet që bënte në çdo veprim, adhurimet e vazhdueshme nafile, falja e namazit natën derisa i enjteshin këmbët, përpikmëria në zbatimin e të drejtave, përhapja e drejtësisë dhe e të drejtave, janë argumentet më të forta të ndërgjegjes dhe mirësisë së thellë që kishte ai.

Omer bin Hattab radijallahu anhu tregon një ngjarje që na bën me dije se si u është transmetuar dhe mësuar atyre mirësia që njihet me emrin “Hadithi i Xhibrilit”:

-Një ditë, kur ishim pranë të Dërguarit të Allahut sallallahu alejhi ue sellem, erdhi një burrë me rroba shumë të bardha, me flokë shumë të zeza, i cili nuk kishte ndonjë shenjë që tregonte se ai ishte udhëtar, dhe të cilin nuk e njihte asnjëri prej nesh. Ai u ul përpara Pejgamberit tonë të Nderuar, gjunjët e tij i mbështeti te gjunjët e të Dërguarit të Allahut, duart i vendosi mbi gjunjët e tij dhe tha:

“O Muhammed! Çfarë është Islami?”

I Dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem tha:

“Islami është të dëshmosh se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh ramazanin dhe të vizitosh Qaben nëse ke mundësi.”. Burri tha: “The të vërtetën.”

Ne u habitëm që ai edhe pyeste, edhe e vërtetonte.

Këtë radhë burri pyeti:

“Çfarë është besimi?”

I Dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem tha:

“Është t’i besosh Allahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, pejgambe­rëve të Tij, ditës së ahiretit. T’i besosh kaderit, të besosh se e mira dhe e keqja vijnë nga Ai.”

Burri pohoi përsëri:

“The të vërtetën.”. Pastaj e pyeti:

“Çfarë është ihsani (mirësia)?”

I Dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem u përgjigj:

“Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur e shikon, sepse edhe pse Ti nuk e shikon Atë, Ai të shikon Ty.”. Burri përsëri tha:

“The të vërtetën.” Pastaj pyeti:

“Kur do të ndodhë kiameti?”

Pejgamberi alejhissalatu uesselam u përgjigj:

“Ai që pyetet nuk ka dijeni në këtë çështje më shumë se ai që po pyet.”

Burri tha:

“Atëherë më trego shenjat e tij.”

I Dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem tha:

“Kur nëna do të lindë fëmijë të cilët do ta trajtojnë atë si shërbëto­re, gara që bëjnë me njëri-tjetrin çobanët këmbëzbathur, kokë zbuluar dhe të varfër, për të bërë ndërtesa të larta dhe të përsosura.”

Burri iku pa zë. Unë një farë kohe mbeta i palëvizur. Pastaj Pejgamberi alejhissalatu uesselam tha:

“O Omer, a e di kush ishte ai që pyeste?” Unë thashë:

“E di Allahu dhe i Dërguari i Tij.”

I Dërguari i Allahut sallallahu alejhi ue sellem tha:

“Ai ishte Xhebraili. Erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.” (Muslim, Iman, 1, 5; Buhari, Iman, 37; Tirmidhi, Iman, 4; Ebu Davud, Sunnet, 16)

Dijetarët tonë thonë se ky hadith fisnik është themeli i sunnetit. Domethënë, arritja e përsosmërisë në Islam dhe në besim ka lidhje me ihsanin (mirësinë). Një besimtar që nuk ka arritur gjendjen e ihsanit, do të thotë që e ka fenë e mangët. Një besim i tillë i ngjan një peme pa fruta, e cila e ka të pamundur të jetojë. Pas një farë kohe ajo pemë patjetër thahet.

Edhe tasavvufi, i cili ka për qëllim të forcojë ndjenjën e ihsanit në zemrat e besimtarëve, është esenca e besimit dhe e Islamit, shfaqja më e qartë e së vërtetës që ata nuk mund ta pranojnë ndryshe.

Në të vërtetë, lumturia më e madhe e robit është bashkimi me Zotin e tij, sepse Krijuesi i Gjithësisë dëshiron të jetë çdo çast me robin e Tij, ndaj thotë:

“Ata që e përkujtojnë Allahun kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe meditojnë rreth krijimit të qiejve e të tokës (thonë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruajna prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran, 191)

Por një mendje që nuk është e lidhur me zemrën, një mendje e mposhtur nga dëshirat vetjake është e paaftë ta konceptojë ëmbëlsinë e të qenit bashkë me Zotin, pra nuk ka dijeni nga virtyti dhe lumturia më e madhe.

Të kënaqesh dhe të marrësh ëmbëlsi nga adhurimet dhe të mos lodhesh prej tyre, është e mundur vetëm me ndjenjën e ihsanit. Një person që nuk e ka në zemër ndjenjën e ihsanit, nëse fal namaz lodhet dhe namazi i vjen shumë rëndë. Nëse është i pasur, nuk jep zekat e lëmoshë dhe nuk i ndihmon të varfërit. Ai nuk ka arritur ta marrë ëmbëlsinë e besimit, për shkak se është larg mbikqyrjes hyjnore. Nga ky aspekt mund të thuhet se namazi i falur saktë, zekati dhe lëmosha që jepen nga zemra, haxhi dhe agjërimi i mbajtur me dashuri, zemra e shëndoshë që gjendet mes frikës dhe shpresës, morali i bukur dhe të gjitha stolitë e tjera, janë vetëm bereqeti i ihsanit.

Share.

Leave A Reply