Në asnjë mënyrë s’po shpëtoj dot nga shqetësimet… Vazhdimisht ndjej ngushtim, tmerr dhe kapitje… Veten e ndjej si një njeri që nuk ka aspak vlerë… Më duket se të gjithë më poshtërojnë dhe më urrejnë.
Këto janë ankesa që shumë prej nesh i dëgjojmë shpesh nga njerëzit që na rrethojnë. Madje, mund të jenë edhe ato që ndjejmë vetë. Edhe pse disa thonë të vërtetën, në shumicën e rasteve këto burojnë nga frika dhe shqetësime të pavend. A është shumë e vështirë për t’i kaluar këto ndjesi negative? Jo. Atëherë, nëse pyesni se cila është mënyra për të shpëtuar nga ato, përgjigja është:
-Së pari, dija mirë vlerën kësaj feje nga e cila ke arritur nderin. Mos iu bind epsheve të tua në çështjen e urdhrave dhe ndalesave të saj. Në këtë mënyrë, do të shohësh se lumturia dhe qetësia do të trokasin vetvetiu në derën e zemrës tënde dhe Allahu i Madhëruar do të të pëshpërisë këto ajete:
“Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.” (Lejl, 5-7.)
Në marrëdhëniet që ke me arsimimin, punën, familjen dhe shokët e tu, pra, në lidhjet me të gjitha çështjet, do të të hapet dera e lehtësive, të jesh i sigurt për këtë. Sa më shumë t’i afrohesh Allahut Teala me ibadet dhe bindje, aq më shumë do të të rregullohen marrëdhëniet me njerëzit. Në këtë mënyrë, do të fitosh këtë botë dhe botën tjetër.
Pastaj duhet të kesh sukses në harmoninë me veten. Duhet t’i besosh vetes. Dhuratën që ta ka paraqitur Allahu i Madhëruar, duhet ta pranosh ashtu siç është. Domethënë, duhet të jesh i kënaqur me formën, natyrën, përmasën dhe familjen tënde. Shkurtimisht, duhet të jesh i kënaqur me çdo gjë që të është dhuruar nga Zoti (xh.xh.), qoftë materiale apo qoftë shpirtërore. Veten duhet ta pranosh siç je.
Duhet të jesh i sinqertë në ndjenjat kundrejt të tjerëve. Sillu kundrejt tyre siç dëshiron të sillen ata kundrejt teje. Nuk duhet të harrosh se edhe ata janë njerëz. Mos poshtëro dhe mos nënvlerëso askënd. Përpiqu t’i shohësh të gjithë njerëzit me dashuri. Mos prit që njerëzit të të duan. Përkundrazi, shfaq sjellje që për ta të jenë përkthim i dashurisë tënde. Përpiqu të hedhësh hapa pozitivë kundrejt tyre, por mos luaj rol. Dashurinë që ke për njerëzit, tregojua që nuk është me kushte.
Buzëqeshu të gjithëve. Përpiqu të formosh dialogë të sinqertë me njerëzit. Mundohu të hysh me dashuri në zemrën e tyre. Ndiko te ata me mëshirë dhe mirësjellje. Fitojua zemrat, duke u bërë mirë dhe duke u sjellë modest ndaj tyre. Ja, shiko si Allahu i tregon të Dërguarit të Tij, salallahu alejhi ve selem, edhe neve indirekt, se çfarë rezultatesh pozitive jep afrimi me mëshirë ndaj njerëzve:
“Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj, falua atyre gabimin, kërkoji falje Allahut për ta dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Al ‘Imran, 159.)
Vizitoji njerëzit e sëmurë. Ndihmoji të varfrit. Ledhatojua kokën jetimëve. Interesohu për të gjithë një nga një. Përpiqu t’ua fitosh zemrën me dhurata, qofshin edhe të vogla pa vënë re nëse janë të moshuar apo të rinj.
Mos harro, të gjitha këto janë sjellje shumë të rëndësishme që njerëzve dhe ty të sjellin gëzimin, lumturinë dhe qetësinë.
La tahzen / mos u mërzit
Mos u mërzit, nëse nuk gjen dot drejtësi në gjykatat e kësaj bote. Gjykatësi Suprem në ahiret është Gjykatësi më i drejtë. Ndërsa engjëjt do të jenë dëshmitarët e tu.
La tahzen / mos u mërzit
Morali i lartë, sjellja fisnike dhe ndershmëria, janë më të mira se pamja e jashtme.
La tahzen / mos u mërzit
Lumturia nuk është e përkohshme dhe mërzia e fatkeqësia nuk janë të përhershme, siç pandehin shumë njerëz.
La tahzen / mos u mërzit
Nëse besimin e ke të fortë, mos u mërzit! Sepse lumturia është si një pemë. Uji, ushqimi, ajri dhe drita e saj, është besimi te Allahu dhe Dita e Gjykimit.
La tahzen / mos u mërzit
Mos harro, buzëqeshja është çelësi i lumturisë. Gëzimi është kopshti i saj, imani është drita dhe besimi është rrethimi i saj.
Përktheu: Fatmir SULAJ