Sulejman Ibni Surad (r.a.), tregon:

Një ditë isha ulur pranë të Dërguarit të Allahut (a.s.), kur dy persona ishin duke ofenduar njëri-tjetrin. Fytyra e njërit prej tyre ishte skuqur nga zemërimi, aq sa i ishin fryrë damarët e qafës. I Dërguari i Allahut (a.s.), i cili e ndoqi këtë skenë, tha:

“Unë e di një fjalë, që nëse (ky person) e thotë, do t’i kalojë ajo (zemërimi) që e ka kapluar. Nëse ai thotë: «Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim/Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar», do t’i kalojë ajo që e ka kapluar.”

Të pranishmit i thanë atij: “Profeti (a.s.), ka thënë të strehohesh tek Allahu nga shejtani i mallkuar!”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Bed’ul-halk, 11, Edeb, 44, 76; Muslim, Birr, 109.)

Sulejman Ibni Sura (r.a.).

Transmetuesi i këtij Hadithi, Sulejman Ibni Surad el-Huzai (r.a.), në periudhën para-Islame njihej me emrin Jesar. Mirëpo, i Dërguari i Allahut (a.s.), ia ktheu këtë emër në Sulejman. Sulejman Ibni Surad (r.a.), ishte një person me moral të lartë, i dhënë pas adhurimeve dhe i respektuar në popullin e vet. Pas themelimit të Kufes, ai ishte prej të parëve që u vendosën atje. Në moshën 93 vjeçare, në vitin 65 Hixhri, ai u martirizua në luftën Ajnu’l-Uerde dhe koka e tij iu çua Meruan b. Abdulmelikut. Sulejman Ibni Surad (r.a.), ka transmetuar 15 hadithe nga i Dërguari i Allahut (a.s.).

Ai ka transmetuar edhe Hadithin: “Këtej e tutje do t’i sulmojmë ne idhujtarët, jo ata ne!.. Tani është radha jonë!..” , të cilin Profeti (a.s.), e tha menjëherë pas betejës së Hendekut, kur idhujtarët po iknin nga sytë këmbët, duke dhënë kështu lajmin e mirë se shumë shpejt tashmë radha e sulmit i përkiste myslimanëve.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

Në këtë Hadith fisnik, njeriut, të cilit i ka kërcyer nervi, është skuqur nga zemërimi dhe i janë fryrë damarët e qafës dhe të tëmthave, i jepet këshilla të shqiptojë, “Eudhu bil-lahin”, ende pa bërë ndonjë gabim të pafalshëm. Kjo këshillë e Profetit tonë (a.s.), në të njëjtën kohë është edhe përforcimi i këshillës Hyjnore, ku urdhërohet: “Nëse shejtani fillon të të joshë, kërko strehim te Allahu. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.” [Fussilet, 36.]

Shprehja, “Eudhu bil-lahi!” ka kuptimin e strehimit tek Allahu i Madhëruar prej dëmit të shejtanit të mallkuar e të dëbuar prej mëshirës Hyjnore. Ky Hadith, na mëson konkretisht se si duhet të zbatohet këshilla që jepet në ajetin fisnik për t’u strehuar tek Allahu kundër shejtanit. Nëse “Eudhu bil-lahi…”, kujtohet dhe bëhet me këtë vetëdije, ajo do ta ndihmojë njeriun të qetësohet gjatë zemërimit dhe do t’i mbledhë mendjen.

Si përfundim, personit që po grindej dhe ishte zemëruar jashtë mase, iu përcoll kjo këshillë e të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe ai u qetësua duke thënë, “Eudhu bil-lahi…”. Madje, sipas një transmetimi tjetër, ai erdhi në vete duke thënë: “A mos jam çmendur gjë, pse po veproj kështu?”. Urrejtjen dhe zemërimin e ndez shejtani. Prandaj, strehimi tek Allahu prej shejtanit të mallkuar, do ta eliminojë edhe shkakun e urrejtjes dhe të zemërimit.

Cili është shpërblimi i njeriut që bën durim dhe e mund zemërimin e tij? Përgjigjen e kësaj pyetje do ta mësojmë në Hadithin e mëposhtëm.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Profeti ynë (a.s.), ishte jashtëzakonisht i mëshirshëm ndaj sahabëve të tij.
  2. Shqiptimi i shprehjes “Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim”, të largon zemërimin.
Share.

Leave A Reply