Zonja Sevde ishte bashkëshortja me kurorë e Sekran bin Amrit. Kur muslimanët iu nënshtruan torturave dhe persekutimeve, ata emigruan në Abisini. Sekrani vdiq atje pas një farë kohe. Duke shpalosur një qëndrim besnik dhe vetëmohues ndaj Islamit, Hz. Sevde fitoi vlerësimin e të Dërguarit të Allahut. Ai u martua me të për ta shpëtuar nga kushtet e rënda ku ndodhej.
Për martesën e të Dërguarit të Allahut me Hz. Sevden u bë pretekst bashkëshortja e Osman bin Mazit, zonja Havle.
Kur zonja Havle ia përmendi çështjen e martesës të atit të Hz. Sevdes, ai dha pëlqimin për martesën e tyre duke thënë:
“Ç’është e drejta, Muhammedi bëhet një bashkëshort shumë i nderuar!”
Por zonja Sevde, meqë kishte pesë ose gjashtë fëmijë të vegjël nga i shoqi i vdekur, nuk kishte guxim të martohej me Profetin.
Kur Profeti (s.a.s.) e pa se ajo lëkundej, e pyeti:
“Ç’të pengon të martohesh me mua?”
Hz. Sevde i tha:
“Vallahi, o i Dërguari i Allahut, ç’pengesë mund të kem kur s’kam njeri më të dashur se ti? Vetëm kam frikë se mos këta fëmijë të vegjël të shqetësojnë duke të thirrur e bërtitur mëngjes e mbrëmje mu mbi kokë! Ndryshe, për të të bërë ty të kënaqur e të gëzuar, unë e pranoj këtë punë me plot dëshirë!” (Ibni Sa’d, VIII, 53-57; Ahmed, I, 318-319; VI, 211; Hejsemi, IV, 270)
Kjo martesë ngjau në muajin ramazan të vitit të dhjetë të profetësisë.
Nëna jonë Sevde tregonte një nderim të madh për Profetin dhe nuk ia linte mangët shërbimin. Ajo i qe bërë shoqe jete Profetit kur pati mbetur i vetëm, qe kujdesur me dashuri dhe dhembshuri të madhe për vajzat e vogla të tij nevojtare për kujdes dhe dhembshuri nëne, dhe i pati rritur ato me dashuri!