Në periudhën afër ngarkimit të Hz. Muhammedit me detyrën profetike, besimi monoteist (tevhid) ishte shuar, Qabja ishte mbushur me idhuj që u përkisnin fiseve të ndryshme, po kështu, edhe burimi Zemzem ishte mbyllur.

Një ditë, kur gjyshi i Profetit, Abdylmuttalibi po flinte në Hixhr, në ëndërr iu tha që të rrëmonte në vendin ku ndodhej burimi Zemzem dhe ta zbulonte sërish. Më pas, atij iu dha edhe shenja se ku duhej të gërmonte.

Kur Abdylmuttalibi filloi gërmimin, Kurejshët iu bënë pengesë duke i thënë:

“Nuk lejojmë të bëhen gërmime pranë faltores!”

Abdylmuttalibi ende s’kishte fuqi t’i kundërshtonte ata. Por ai bëri gjë tjetër. Ai i premtoi Zotit se, po t’i jepte djem dhe ata të arrinin moshën që ta mbronin, njërin prej tyre do ta flijonte pranë Qabes. Pas njëfarë kohe, Kurejshët, për shkak se panë disa shenja mrekullore te Abdylmuttalibi, u zbutën dhe e lejuan të riniste gërmimet. Abdylmuttalibi e gërmoi vendin dhe e zbuloi burimin. Pastaj, me kohë, atij iu bënë fëmijë të cilët iu rritën dhe arritën moshën për t’i dalë në mbrojtje. Atëherë, në ëndërr ia kujtuan kushtimin dhe premtimin që i pati bërë dikur Allahut:

“Çoje në vend premtimin!”

Dhe Abdylmuttalibi, për ta çuar në vend premtimin, nisi të therte me radhë të imta e të trasha, por çdo radhë iu kërkua një fli më e madhe. Atëherë, ai pyeti:

“Ç’është më e madhe se këto?”

“Pate premtuar se do ta bëje kurban njërin nga djemtë!” – Iu tha.

Dhe Abdylmuttalibi i mblodhi djemtë dhe i ftoi t’i bindeshin në mënyrë që të mund ta çonte në vend kushtimin dhe premtimin që kishte bërë për hir të Allahut. Pa i kundërshtuar fare, djemtë i thanë:

“Vepro si të duash dhe çoje në vend premtimin!”

Duke hedhur short mes tyre, Abdylmuttalibi u lut:

“Allahu im! Unë pata premtuar ta flijoja njërin nga djemtë për Ty! Tani do të hedh short mes tyre dhe Ti zgjidhe atë që dëshiron!”

Shorti i ra Abdullait, atij që do të bëhej në të ardhmen i ati i Profetit. Kur Abdylmuttalibi e çoi të birin në Qabe për ta bërë kurban, mekasit e penguan nga frika se mos flijimi i djemve kthehej në zakon. Ata e bindën Abdylmuttalibin për ta dërguar te një plak i ditur. Plaku i ditur i pyeti:

“Sa është tek ju dëmshpërblimi për njeriun e vrarë?”

“Dhjetë deve!” – Iu përgjigjën mekasit. Atëherë, dijetari u dha këtë këshillë:

“Atëherë, hidhni short mes Abdullait dhe dhjetë deveve. Po u ra deveve, therini, por po i ra shorti Abdullait, shtoni edhe dhjetë deve dhe hidhni short përsëri e kështu me radhë, duke shtuar çdo herë nga dhjetë deve, gjersa shorti t’u bjerë deveve!”

Shorti i parë mes Abdullait dhe dhjetë deveve i ra Abdullait. Pastaj shtuan edhe dhjetë deve dhe shorti i ra përsëri Abdullait. Dhe kështu vazhdoi të binte shorti gjersa numri i deveve u bë njëqind. Atëherë, shorti u ra deveve. Për të qenë krejtësisht i sigurt, Abdylmuttalibi e përsëriti shortin tri herë dhe të tri herët u ra deveve. Dhe Abdylmuttalibi u ngrit në këmbë dhe e falenderoi Allahun që ia shpëtoi djalin. Edhe të pranishmit, nga gëzimi, thirrën: Allahu Ekber! Allahu është më i Madhi! Pastaj Abdylmuttalibi bëri kurban njëqind deve dhe mishin e tyre e shpërndau si lëmoshë dhe dhuratë.

Fakti që sot, në të Drejtën Islame, dëmshpërblimi për njeriun e vrarë përcaktohet njëqind deve ose kundërvlefta e tyre, mbështetet në këtë ngjarje historike.

Duke aluduar mbi faktin që i pari i tij, Ismaili (a.s.) dhe i ati, Abdullai, qenë zgjedhur për flijim, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë:

“Unë jam i biri i dy njerëzve të caktuar për kurban!” (Hakim, II, 609/4048)

Gjithashtu për këtë shkak, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thirrej edhe Ibni Dhebihajn, i biri i flijantëve.

Për sa i përket pamjes së jashtme dhe moralit, Hz. Abdullah ishte i riu më i bukur edhe ndër vëllezërit e vet, edhe ndër të rinjtë e tjerë të Kurejshve. Ai qëndronte mbi ta edhe në zgjuarsi, mençuri dhe pjekuri. Prandaj të gjitha vajzat e reja kërkonin të martoheshin me të. Madje, motra e Varaka bin Nevfelit, Rukija, e cila kishte dalluar në ballin e Abdullait dritën profetike, me dëshirën për t’u bërë nëna e profetit të fundit që pritej, i pati propozuar Hz. Abdullait njëqind deve si pajë martese me të.

Abdylmuttalibi kërkoi për Abdullain Aminenë, vajzën e Vehb bin Abdi Menafit, të parit të fisit Beni Zuhre. Dhe kur vajza më e shquar e Kurejshve në prejardhje dhe nder, Amineja, dha pëlqimin e saj, u lidh kurora.

Prejardhja e Hz. Aminesë, nënës së Profetit (s.a.s.), është Vehb bin Abdi Menaf bin Zuhre bin Kilab bin Murre. Ngaqë Zuhre është vëllai i Kusaj bin Kilabit, atit të të bijve Hashim, prejardhja e Hz. Aminesë bashkohet me prejardhjen e Hz. Abdullait te Kilabi.

Vdekja e të atit të Profetit, Abdullah

Pak kohë pas martesës, i ati i Profetit, Hz. Abdullai, pati shkuar në Damask me një karvan tregtar të Kurejshve. Në kthim ai u sëmur në rrugë. Kur arritën në Medinë, u tha shokëve:

“Unë po rri pak këtu, te dajat e mi, Nexharët!”

Dhe qëndroi aty rreth një muaj.

Me gjithë përpjekjet e shumta të dajave, Abdullai nuk u shërua dhe vdiq aty, në Medinë ku edhe u varros. Hz. Abdullai ishte vetëm 25 vjeç kur vdiq.

Kur mori lajmin e vdekjes së të shoqit, Hz. Abdullait, Hz. Amine vajtoi për ditë me radhë nga hidhërimi dhe e vajtoi duke thënë se nuk do të gjente dot burrë si ai, se ai duhej nga të gjithë dhe se kishte qenë shumë bujar dhe i mëshirshëm

Share.

Comments are closed.