Ebu Musa Abdullah Ibn Kajs el-Esh’ari (r.a.), ka thënë:
I Dërguari i Allahut (a.s.), është pyetur:
“Cili prej luftëtarëve është në rrugën e Allahut: Ai që lufton për të treguar guximin, ai që lufton për të mbrojtur popullin, apo ai që lufton për sy e faqe (që njerëzit t’i thonë trim)?” I Dërguari i Allahut (a.s.), u përgjigj:
“Kush lufton që Fjala e Allahut të jetë më e larta, ai është në rrugën e Allahut!”
-Muttefekun alejhi-
(Buhari, Ilm 45, Xhihad 15, Fardu’l-humus 10, Teuhid 28; Muslim, Imare 150, 151. Shih. Tirmidhi, Fedailu’l-Xhihad 16; Nesai, Xhihad 21; Ibni Maxhe, Xhihad 13.)
Ebu Musa el-Esh’ari (r.a.).
Ka jetuar në zonën Zebid të Jemenit dhe ishte prej Esh’arive që me sjelljet e tyre të bukura kanë fituar respektin e Profetit tonë (a.s.). Kur dëgjuan se Profeti (a.s.), ftonte në Islam, ai hipi në anije dhe doli për udhë bashkë me dy vëllezërit e tij dhe 52 persona të tjerë, me qëllim që të takoheshin me të. Mirëpo, një furtunë i hodhi ata në brigjet e Etiopisë. Kur dolën në tokë, mësuan se djali i xhaxhait të Profetit (a.s.), Xhafer Tajari (r.a.) dhe shumë myslimanë të tjerë gjendeshin aty, dhe për këtë u gëzuan jashtë mase. Në vitin e shtatë hHixhri (628), ata shkuan në Medinë, ku u gëzuan shumë kur dëgjuan prej Profetit (a.s.), se kishin fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar për shkak se kishin bërë dy emigrime, duke shkuar në fillim në Etiopi, e më pas në Medinë. Pas asaj kohe, Ebu Musa el-Esh’ari (r.a.), nuk u nda më prej të Dërguarit të Allahut (a.s.). Po ashtu, ai mori pjesë në të gjitha betejat e Profetit (a.s.).
Në periudhën e Omerit dhe Osmanit (r.anhuma), kreu detyrën e valiut të Basrës dhe Kufes për vite me radhë. Ai kontribuoi në çlirimin e shumë qyteteve. Po ashtu, ai konsiderohej si një nga gjashtë dijetarët e mëdhenj të sahabëve të nderuar. Kuranin Fisnik e mësoi drejtpërdrejt nga i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe më pas ua mësoi atë për vite me radhë banorëve të Basrës dhe të Kufes. Ai kishte një zë aq të bukur, sa kur fillonte të këndonte Kuran, të gjithë e dëgjonin me një ndjesi të lartë shpirtërore.
Një natë, pasi i Dërguari i Allahut (a.s.), bashkë me Aishan (r.anha), dëgjoi këndimin e Kuranit nga Ebu Musa el-Esh’ari (r.a.), tha se atij i është dhënë një zë i ngjashëm me atë të Daudit (a.s.). Gjithashtu, kur Omeri (r.a.), dëshironte të dëgjonte këndimin e tij, thoshte:
“O Ebu Musa! Na kujto Zotin tonë!”
Edhe pse Ebu Musa (r.a.), kreu detyra administrative për vite të tëra, ai nuk anoi fare nga pasuria e kësaj bote. Madje, duke u dhënë të gjithëve shembuj nga jeta modeste që bënin në kohën e Profetit (a.s.), ai tregonte bukurinë e jetës së thjeshtë. Ai ishte njeri shumë i turpshëm. Me mendimin se gjatë natës mund t’i zbulohej ndonjë pjesë e trupit ndërkohë që flinte, ai shtrihej i veshur me një lloj pizhame. Madje, për shkak të ndjenjës së turpit që kishte karshi Allahut, ai lahej në errësirë i mbledhur si një grusht. Duke i këshilluar nxënësit e tij të ishin zemërbutë dhe të qanin nga frika e Allahut, thoshte:
“Nëse nuk mund të qani, përpiquni të qani, sepse banorët e Xhehenemit do të qajnë derisa t’u thahen sytë. Më pas, do të derdhin aq shumë lot gjaku, sa mbi të do të notojnë anijet.”
Ebu Musa el-Esh’ari (r.a.), ka transmetuar 360 hadithe. Ky sahab i nderuar, që pjesën më të madhe të jetës së tij 63 vjeçare e ka kaluar duke i shërbyer Islamit dhe njerëzve, ndërroi jetë në Kufe, në vitin 42 Hixhri (662). Sipas një transmetimi, ka ndërruar jetë në Mekë.
Allahu qoftë i kënaqur me të!
Shpjegime
Siç vërehet edhe nga transmetime të ndryshme të këtij Hadithi, përveç qëllimeve për të treguar guximin, për të mbrojtur popullin dhe për t’i bërë të tjerët të thonë se je trim, Profeti (a.s.), është pyetur edhe për ata që luftojnë vetëm për të fituar plaçkë lufte dhe për të nxjerrë dufin. Profeti ynë (a.s.), e ka shpjeguar në mënyrë të prerë se asnjë që lufton me këto mendime, nuk mund të konsiderohet se ka luftuar për hir të Allahut dhe se njerëz të tillë, do të konsiderohen vetëm ata që luftojnë për të ngritur Islamin dhe Fjalën e Allahut. Kjo do të trajtohet edhe në Hadithin 1346.
Me shprehjen “Fjala e Allahut”, që përdoret në tekstin e Hadithit, nënkuptohet Kelime-i Teuhid, pra, “La ilahe il-lallah Muhamedun Resulullah”. Kjo shprehje që e përkufizon më mirë dhe më shkurt Islamin, është si një slogan për myslimanët. Detyra më e rëndësishme e myslimanit, është bartja përtej horizonteve të kësaj fjale të shenjtë që nuk e harron kurrë, duke bërë të mundur që edhe të tjerët ta njohin Allahun. Ky është xhihadi! Prandaj, padyshim se është e gabuar të luftosh për ndjenja egoiste dhe interesa të cekëta, ndërkohë që mund të luftosh për një qëllim kaq të lartë.
Nëse qëllimi për të fituar kënaqësinë e Allahut është në plan të parë, disa nga qëllimet e tjera që u përmendën nuk e dëmtojnë qëllimin kryesor. Për shembull, nëse dikush që lufton për të mbrojtur popullin e tij, duke pasur për qëllim të fitojë kënaqësinë e Allahut dhe të mos e lërë armikun të shkelë tokat Islame, ndjenja e mbrojtjes së popullit nuk bie ndesh me qëllimin kryesor.
Ky Hadith tregon edhe njëherë se, në çdo vepër që bën biri i njeriut, në fillim shihet qëllimi i tij. Pra, për t’u konsideruar si dëshmor kur vdes në fushëbetejë, ose si veteran kur kthehesh gjallë, duhet të jetë në plan të parë dashuria për shërbimin në rrugë të Allahut. Këtë e tregon më qartë ky Hadith fisnik që transmetohet nga Ebu Umame el-Bahili (r.a.):
Një person erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe e pyeti:
“A fiton sevape ai që lufton për para dhe famë?”. Profeti (a.s.), tha:
“Nuk fiton asgjë!”
Ky person pyeti tre herë për të njëjtën gjë dhe për çdo herë mori të njëjtën përgjigje. Më pas, i Dërguari i Allahut (a.s.), e plotësoi fjalën e tij duke thënë:
“Allahu i Madhëruar pranon vetëm adhurimet që bëhen për të arritur kënaqësinë e Tij, asgjë tjetër!” (Nesai, Xhihad, 24.)
Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:
- Gjatë vlerësimit të veprave, shihet se me çfarë qëllimi janë bërë. Nëse janë bërë me qëllim të mirë, ato pranohen tek Allahu.
- Nuk është aspak e drejtë të luftosh për interesa personale dhe kënaqësinë e egos, në vend që të luftosh për të fituar kënaqësinë e Allahut.
- Dhënia pas kësaj bote, është diçka e thjeshtë dhe pa vlerë, që e pengon njeriun të arrijë qëllime të larta.
- Edhe një detyrë e rëndësishme si xhihadi, ka vlerë vetëm nëse bëhet me sinqeritet dhe vetëm për hir të Allahut.