Kur ishte tetë vjeç, Zejd bin Harithe u rrëmbye gjatë një bastisjeje të kryer nga kalorësit Beni Kajn dhe u dërgua në panairin Ukaz për t’u shitur si skllav. Hakim bin Hizam e bleu atë për hallën e vet, Hz. Hatixhenë, me çmimin katërqind dërhem. Kur Profeti e pa Zejdin, tha:

“Po ta kisha unë këtë skllav, patjetër do t’i kisha dhënë lirinë!”

“Atëherë, le të jetë yti!” – I tha Hz. Hatixheja.

Dhe Profeti e liroi menjëherë. (Ibni Hisham, I, 266; Ibni Sa’d, III, 40)

I ati i Zejdit ishte dëshpëruar shumë për humbjen e të birit dhe kishte dalë për ta kërkuar. Kur e mësoi nga haxhinjtë se Zejdi ndodhej në Mekë, u nis menjëherë së bashku me të vëllezëri, arri tën në Mekë dhe e takuan Profetin. Ata i propozuan Profetit një çmim për Zejdin dhe iu lutën që në këtë drejtim të sillej i matur. Profeti u tha:

“A nuk ka ndonjë rrugëzgjidhje tjetër për këtë?”

“Ç’është ajo rrugëzgjidhje?” – E pyetën ata.

“Thirreni atë dhe lëreni të lirë të zgjedhë. Po ju zgjodhi ju, s’është nevoja të paguani asnjë dëmshpërblim! Por po më zgjodhi mua, vallahi, unë nuk e lëshoj askënd që dëshiron të rrijë me mua!” – U tha Profeti.

I ati dhe i ungji i Zejdit i thanë kështu Profetit duke i shfaqur kënaqësinë e tyre për qëndrimin e tij:

“Ti po sillesh me shumë maturi ndaj nesh, po na bën një të mirë dhe favor të madh!”

Kurse Zejdi tha:

“Vallahi, o Emin, unë nuk vë asnjeri para teje! Ti më je bërë baba dhe nënë! Unë do të rri me ty!”

Pasi i ati dhe i ungji e qortuan për këtë, Zejdi u tha:

“Unë kam parë aq të mira nga ky njeri, sa nuk vë asnjeri para tij! Unë kurrë s’kam për t’u ndarë prej tij!”

Kur pa këtë besnikëri të Zejdit, Profeti e kapi për dore, e çoi në Qabe dhe tha me zë të lartë që ta dëgjonin të gjithë:

“O njerëz! Jini dëshmitarë se Zejdi është biri im, unë jam trashëgimtari i tij dhe ai do të bëhet trashëgimtari im!”104

Kështu, Profeti e birësoi Zejdin.

Kur e panë këtë skenë, i ati dhe i ungji i Zejdit (r.a.) u kthyen me zemër të qetë në vendin e tyre. (Ibni Hisham, I, 267; Ibni Sa’d, III, 42)

Vëllai i Zejdit (r.a.), Xhebele bin Harithe (r.a.), tregon:

Shkova te Profeti (s.a.s.) dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Ma jep me vete tim vëlla Zejdin!”

“Ja ku e ke!” – Ma priti ai. “Po të vijë me ty, unë s’e pengoj!”

Por Zejdi tha:

“O i Dërguari i Allahut, unë nuk vë askënd para teje!”

Më vonë e pashë dhe e kuptova se mendimi i tim vëllai Zejd kishte qenë më me vend se mendimi im!” (Tirmidhi, Menakib, 39/3815)

Share.

Comments are closed.