Hallka e parë dhe e fundit e vargut të profetëve, Zotëria i Dy Botëve, Profeti i Njerëzve dhe Xhindve, Imami i Dy Faltoreve, Drita e Ekzistencës, Profeti i dërguar si mëshirë për botët, Hz. Muhammedi (mëshira dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!), pas Haxhit të Lamtumirës u sëmur nga një sëmundje ethesh. Kjo ishte sëmundja e vdekjes e cila do ta ndante atë nga bashkësia dhe do ta bashkonte me Zotin, me “Shokun e Lartë”, gjë që ai e kishte dëshiruar tërë jetën. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili, me zbulimin e sures “Nasr”, e kishte kuptuar se i ishte afruar vdekja, po përgatitej për udhëtimin e fundit. Ai po përshëndetej, tashmë, me shenja, edhe me të gjallët, edhe me të vdekurit. Një ditë më parë se të sëmurej, kishte shkuar në varrezën e Medinës, të quajtur “Xhenneti i Përjetshëm”, dhe ishte lutur kështu për të vdekurit:
“Allahu im i Madh! Mos e kurse faljen për ata që shtrihen këtu!” (Ahmed, III, 489)
Dhe në kthim, kishte hipur në minberin e xhamisë dhe kishte mbajtur para shokëve këtë hutbe që ishte si një lamtumirë e vërtetë:
“Unë do të jem i pari prej jush që do të arrij në Hauzin e Kevtherit dhe atje do t’ju pres! Atje është vendtakimi ynë! Unë tani atë po shoh! Unë do të dëshmoj për ju! Tani, në këtë çast, mua m’u dhanë thesaret e tokës dhe çelësat e tyre! Për Zotin, unë s’kam frikë se mos pas meje ktheheni në idhujtari! Unë kam frikë se mos, duke u shtënë pas dëshirave të kësaj bote, filloni dhe e kini zili njëri-tjetrin, e vrisni njëri-tjetrin dhe, ashtu siç janë asgjësuar ata që qenë para jush, edhe ju shkatërroheni e asgjësoheni…” (Buhari, Xhenaiz, 73; Muslim, Fedail, 31)
Pas zbritjes nga minberi, Profeti (s.a.s.) u tërhoq i lodhur e i rënduar në shtëpinë e vet. Me kalimin e ditëve, sëmundja i erdhi duke iu rënduar. Dhe, kur iu rëndua shumë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili ishte model i etikës dhe delikatesës, u kërkoi lejë bashkëshorteve të tjera për t’u tërhequr në dhomën e Hz. Aishesë. (Buhari, Tib, 22; Ahmed, VI, 34, 38; Belazuri, I, 545)
Profeti nuk pati kaluar gjer atëherë ndonjë sëmundje të tillë të rëndë. Në fakt, mënyra pastër dhe e thjeshtë e jetesës që pati bërë, qe një jetë e pashembullt që nuk u linte shteg sëmundjeve. Por pesha e detyrës profetike të lartë e të rëndë që i kalonte mundësitë e njeriut397 dhe që kishte vazhduar për njëzet e tre vjet me radhë, e pati lodhur shumë. Në këtë mes, edhe një mijë e një të këqijat e armiqve të ndryshëm ia patën dëmtuar trupin e bekuar. Të gjitha këto e kishin bërë të mundur që ta prekte sëmundja.
Nga ana tjetër, kjo sëmundje do të bëhej pretekst për ngjitjen e tij në pozita tejet të larta. Tek ai pati ushtruar ndikim të madh edhe ndodhia e helmimit në Hajber. Me të vërtetë, në një kohë kur sëmundja i qe rënduar mjaft, Profeti (s.a.s.) i pati thënë Hz. Aishesë:
“O Aishe! Kohë më kohë e kam ndjerë hidhësinë e mishit të helmuar që e pata shijuar në Hajber. Këtë çast më duket sikur po më këputen damarët e zemrës!” (Buhari, Megazi, 83)
Edhe Enes bin Malik ka thënë:
“Shihja vazhdimisht gjurmën dhe efektin e këtij helmi në gjuhën e vogël të të Dërguarit të Allahut!..” (Muslim, Selam, 45)
Për shkak të këtij helmi, Krenaria i Gjithësisë (s.a.s.) vdiq si dëshmor; Allahu i Lartë që e pati nderuar me profetësi, e nderoi edhe me dëshmorësi! (Ibni Hisham, III, Vakidi, II, 678-679; Hejsemi, VI, 153)
Nga nxehtësia e etheve që e kishin zënë, të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i pikonin djersët si të pikonte ujë nga një calik i varur. Ebu Said el-Hudriu që i kishte shkuar për vizitë, i tha:
“O i Dërguari i Allahut, sa ethe të rënda paske!”
Ebu Said (r.a.) vazhdon kështu:
“I vura dorën mbi trup dhe ia ndjeva temperaturën e lartë mbi mbulesë.
“O i Dërguari i Allahut, paske shumë nxehtësi!” – I thashë.
“Kështu jemi ne, (pejgamberët)! Belatë na vijnë shumëfish, por edhe shpërblimet na jepen shumëfish!” – M’u përgjigj.
“O i Dërguari i Allahut! Kush janë njerëzit që i zënë më shumë belatë?” – E pyeta unë.
“Pejgamberët!” – Më tha ai.
“Pastaj kush?” – E pyeta unë.
“Pastaj njerëzit e mirë!” – M’u përgjigj dhe bëri këtë shpjegim:
“Ndonjëri prej tyre bëhet aq i varfër sa të mos gjejë dot asgjë përveç një gune për t’u mbuluar! Por ata i gëzohen belasë siç i gëzoheni ju bollëkut!” (Ibni Maxhe, Fiten, 23)
Ditët e fundit, sëmundja nuk e lejoi të dilte në xhemaat, prandaj e caktoi Hz. Ebu Bekrin (r.a.) si imam për të drejtuar faljen. Ndërkaq, duke e ndjerë veten më mirë për një çast, doli në faltore. Aty u dha këshilla sahabeve dhe tha:
“Allahu Famëmadh e la të lirë një robin e vet të zgjidhte mes stolive të kësaj bote dhe të mirave pranë Tij. Dhe robi zgjodhi të mirat pranë Tij!..”
Në këto fjalë, Hz. Ebu Bekri (r.a.), me atë zemrën e tij të butë e të ndjeshme, ndjeu se Profeti (s.a.s.) u dha lamtumirën. Me sytë që nisën t’i rridhnin lot të hidhur, i tha:
“T’u bëfshin fli nënë e babë, o i Dërguari i Allahut! Ne për ty jemi gati të flijojmë gjithshka: prindër, fëmijë, jetën tonë, mall e pasuri…” (Ahmed, III, 91)
Askush përveç tij në atë xhemaat nuk kishte ndjerë atë që kishte ndjerë Hz. Ebu Bekri (r.a.). Sepse, “i dyti i të dyve” i shpellës së Thevrit, për të cilin bënte fjalë ajeti, ishte vetëm ai!
Sipas rivajetit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë kështu për Hz. Ebu Bekrin (r.a.):
“Çdo gjë që kam në zemër, Ebu Bekrit ia kam lënë!..”398
Kur sahabet panë këtë shok të shtrenjtë të të Dërguarit të Allahut (s.a.s) të qante, nisën t’i thonë me habi njëri-tjetrit:
“Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po na flet për një njeri të mirë që zgjedh bashkimin me Zotin e vet, ky plak ç’ka që qan?” (Buhari, Salat, 80)
Mirëpo zemra e butë dhe e ndjeshme e Hz. Ebu Bekrit (r.a.) e kishte parandjerë lamtumirën e madhe dhe kishte nisur të vajtonte si një fyell që ankohet për ndarjet. Por, kur sëmundja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) u bë serioze, atëherë edhe shokët e tjerë, të cilët nisën ta kuptojnë se për të kishte ardhur koha e bashkimit me Zotin, filluan të derdhin lot. Kuvendet e ensarëve dhe muhaxhirëve u veshën në zi. Dhe kur ata që i rrinin rreth e rrotull, i thanë t’i lutej Zotit për shërim, Profeti (s.a.s.), i cili gjithmonë lutej për shërim, këtë radhë nuk u lut.
Hz. Aisheja (r.anha) tregon:
“Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) sëmurej, këndonte suret Felak dhe Nas që quhen “Dy mbrojtësit”399, u frynte duarve dhe fërkonte trupin. Kur sëmundja iu rëndua, në të njëjtën mënyrë, edhe unë i këndova këto sure, u fryva duarve dhe nisa ta fërkoja trupin e tij të bekuar. Përveç kësaj, i këndova edhe lutjen e shërimit që ia kish pasë kënduar Profetit (s.a.s.) më parë, gjatë një sëmundjeje, Xhebraili: “O Zoti i njerëzve! Hiqja këtë sëmundje! Shërimi është vetëm në dorën Tënde! Nuk ka shërues tjetër veç Teje! Dhe jepi një shërim të tillë që të mos i mbetet më asnjë sëmundje!”
Mirëpo, atë radhë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke e kthyer kokën nga unë, më tha:
“Hiqe dorën prej meje! Kjo e kënduara jote tani më nuk vlen! Unë po pres afatin tim!..” (Ahmed, VI, 260-261; Ibni Sa’d, II, 210)
Hz. Aisheja vazhdon: “I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thirri, pastaj, vajzën e tij të dashur, Fatimen, me zemër të ndjeshme e delikate, dhe, kur erdhi, i tha: “Merhaba, ime bijë!” Pastaj i kërkoi t’i afrohej edhe më dhe i pëshpëriti fshehtas diçka. Fatimja qau. Pastaj i tha diçka tjetër dhe Fatimja qeshi.
Unë s’kisha parë gjer atë ditë hidhërimin dhe gëzimin kaq pranë njëri-tjetrit dhe, kur e pyeta Fatimen për shkakun e kësaj, më tregoi:
“Më lajmëroi se, si rezultat i kësaj sëmundjeje, do të vdiste. Dhe unë qava. Pastaj më tha se i pari njeri nga familja që do të takohej me të, do të isha unë. Dhe unë u gëzova!” (Buhari, Megazi, 83)
Gjatë sëmundjes, në momentet që ndihej më lehtë, Profeti dilte në xhami për të falur ndonjë kohë namaz bashkë me xhemaatin. Në një rast të tillë, ai u foli kështu shokëve me zemrat e mbushura me hidhërimin për ndarjen prej profetit të tyre:
“O njerëz!
Dëgjova se ju frikësoheni se mos ju vdes pejgamberi! A mos njihni para meje ndonjë pejgamber që të jetë dërguar te populli i vet e të ketë mbetur përgjithmonë i gjallë mes tyre? Dijeni mirë se unë do të bashkohem me Zotin tim! Edhe ju do të bashkoheni! Pa diskutim që të gjitha punët marrin udhë me lejën e Allahut të Lartë!
Dijeni mirë se unë do të iki para jush dhe do t’ju pres! Mos harroni, vendi ku do të takohemi, është Hauzi Kevther! Ai që dëshiron të takohet nesër me mua, ta largojë gjuhën dhe dorën prej mëkatit! O njerëz! Mëkati bëhet shkak për ndërrimin e të mirave! Kur populli është i mirë, edhe qeveritarët dhe drejtuesit janë të mirë. Kur populli është i keq, edhe drejtuesit bëhen të këqinj! Betohem në Allahun që ka ekzistencën time në dorë, se unë në këtë çast po qëndroj pranë Hauzit dhe po e shoh atë prej këtu ku jam!..”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ndërpreu fjalën kur pa se Hz. Ebu Bekri (r.a.) po qante dhe i tha:
“Mos qaj, ej Ebu Bekir!..”
Dhe vazhdoi:
“O njerëz! Nuk ka njeri si Ebu Bekri që të jetë sjellur me mua më bujarisht e të ketë sakrifikuar me jetën, pasurinë dhe miqësinë e tij! Po qe se do të bëja mik tjetër veç Zotit tim, ai do të ishte, pa dyshim, Ebu Bekri…
Mbyllini dyert e hapura në këtë faltore! Vetëm dera e Ebu Bekrit të mbetet e hapur! Unë shoh një dritë mbi derën e tij!..” (Buhari, Salat, 80; Ibni Sa’d, II, 227)
“Shokë të mi!
Më në fund, edhe unë njeri jam. Ndoshta më ka shpëtuar nga vëmendja haku i ndonjërit prej jush. Kë të kem prekur në trup, të vijë, ta kërkojë hakun e vet e të më prekë edhe ai! Kë të kem qëlluar në shpinë, të vijë edhe ai të më qëllojë e ta marrë hakun e vet! Nga malli i të cilit të kem marrë gabimisht, ja ku është malli im, le të vijë ta marrë!
Allahu im! Unë jam vetëm një njeri! Cilit nga muslimanët që t’i kem thënë një fjalë të rëndë ose ta kem goditur ose ta kem mallkuar, ktheje atë në të mirë për të, në mëshirë dhe shpërblim për të!” (Ahmed, III, 400)
“Allahu im! Po qe se për një besimtar kam thënë një fjalë të rëndë, bëje atë fjalë në ditën e kiametit pretekst për afrim të atij robi me Ty!” (Buhari, Deavat, 34; Darimi, Mukaddime, 14; Ibni Sa’d, II, 155; Taberi, Tarih, III, 191; Halebi, 463-464)
Kështu, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) bënte, pothuaj, një larje llogarish të robit. Pastaj u kthye përsëri, i lodhur, në mjediset e veta. Dhe nuk doli më në namaz, me përjashtim të një here të vetme, kur e ndjeu veten disi më lehtë; edhe atëherë, nuk e drejtoi vetë namazin si zakonisht, por u fal pas Hz. Ebu Bekrit.
Më në fund, më 12 Rebiulevvel, ditën e hënë në mëngjes, Profeti ndjeu një lehtësim. Vetëm se fuqia e trupit nuk i mjaftoi për të dalë në namaz me xhemaat. Atëherë, e ngriti perden e derës së dhomës që komunikonte me sallën e xhamisë, prej nga hynte e dilte, dhe i pa edhe një herë të fundit shokët e tij të dashur tek po faleshin nën drejtimin e Hz. Ebu Bekrit! Duke mbetur i kënaqur që i pa në namaz me xhemaat të vendosur radhë-radhë, Profeti ndjeu gëzim dhe buzëqeshi. Ndërsa nga njëra anë hiqte hidhërimin e sëmundjes së rëndë, nga ana tjetër përjetonte gëzimin që kishte lënë pas një xhemaat të përbërë prej njerëzish të mirë dhe që e kishte kryer detyrën e dhënë nga Allahu! (Buhari, Megazi, 83, Ezan, 46, 94; Muslim, Salat, 98; Nesai, Xhenaiz, 7)
Hz. Aisheja që e tregon këtë ngjarje, thotë:
“I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e sodiste me buzëqeshje faljen e namazit nga sahabet. Kurrë nuk e kisha parë të Dërguarin e Allahut kaq të gëzuar!” (Ibni Hisham, IV, 331)
Allahu i Lartë i dha të Dërguarit të Allahut një dhunti që nuk ia pati dhënë asnjërit prej pejgamberëve të mëparshëm. I Dërguari i Allahut e pa suksesin e detyrës së kumtimit para se të vdiste. E pastroi Gadishullin Arabik prej politeizmit dhe herezisë. Idhujt u thyen dhe u asgjësuan personalisht nga ata që i adhuronin. Njerëzit që më parë i groposnin vajzat e vogla përsëgjalli, u bënë kulme të mëshirës. Sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte edukatori më i madh që e ngriti në kulm edukimin e njeriut duke e shndërruar njeriun në një mrekulli krijimi.
Atë mëngjes, i Dërguari i Allahut (s.a.s) i dha urdhër për nisje ushtrisë që e kishte përgatitur qysh më parë, por që nisjen e së cilës e pati shtyrë për shkak të sëmundjes. Ai i tha kështu të riut Usame bin Zejdit, që e kishte caktuar komandant:
“Me begati të Allahut, dilni në rrugë afër drekës!..” (Vakidi, III, 1120)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) urdhëroi që t’u ndaheshin të varfërve 6-7 dinarë që ndodheshin te Hz. Aisheja (r.anha). Pas një farë kohe, e pyeti përsëri Hz. Aishenë se ç’kishte bërë me ato dinarët dhe, kur e mori vesh se ajo, në telash e sipër, nuk i kishte shpërndarë ende, i kërkoi, i mori në grusht dhe tha:
“Muhammedi, pejgamberi i Allahut, nuk mund të presë të takohet me Zotin e vet përsa kohë këto i ndodhen me vete, pa ua shpërndarë të varfërve!..”
Pas këtyre fjalëve, paratë ua ndau pesë familjeve ensare të varfra dhe, pasi tha, “ja, tani u qetësova”, Profeti ra në një gjumë të lehtë.400 (Ahmed, VI, 104; Ibni Sa’d, II, 237-238)
Ja një shuarje me ndodhí që pasojnë njëra-tjetrën pa shkëputje…
Atë ditë Profeti u bëri zë kështu njerëzve të shtëpisë:
“O njerëz! Zjarri mori flakë! Intriga si net të errta po vijnë!.. Unë e quajta hallall vetëm atë që e quante hallall Kur’ani, libri i Allahut dhe haram, atë që e quante ai haram!
Ej, Fatime, vajza e Muhammedit, të Dërguarit të Allahut! Ej, Safije! Bëni punë të pranueshme te Allahu! Sepse unë nuk mund t’ju shpëtoj ju nga ndëshkimi i Allahut!” (Ibni Sa’d, II, 256; Buhari, Menakib, 13-14; Muslim, Iman, 348-353)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) porositi:
“Namazin! Kujdes namazin! Vazhdojeni namazin! Namazin! Silluni mirë me njerëzit që keni nën urdhër dhe kini frikë Allahun në lidhje me të drejtat e tyre! (Mos i lini pa veshur e pa ushqyer! Dhe thojuni fjalë të buta!)” (Ebu Davud, Edeb, 123-124 / 5156; Ibni Maxhe, Vesaja, 1)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e përdori me dëshirë misvakun (për pastrimin dhëmbëve). Hz. Aisheja thotë:
“Kur i Dërguari i Allahut po pastronte dhëmbët, më dukej sikur s’e kisha parë ndonjëherë se sa bukur që e përdorte misvakun!” (Buhari, Megazi, 83; Ibni Sa’d, II, 261)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) mbante pranë një enë të vogël me ujë. Herë pas here fuste duart në atë enë, fërkonte fytyrën dhe thoshte:
“La ilahe il’lallah, Nuk ka zot tjetër veç Allahut! Pa dyshim, vdekja ka mundimet e veta që ia humbin mendjen njeriut!” (Buhari, Megazi, 83)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu lut kështu Zotit:
“Allahu im! Rrethomë me mëshirën Tënde! Bashkomë me Shokun e Lartë! Allahu im, falmë mëshirën tënde! Bashkomë me Shokun e Lartë!” (Buhari, Megazi, 83; Ahmed, VI, 126)
Atë ditë Profeti e qetësoi kështu të bijën Fatime:
“Bija ime, mos qaj! Kur unë të vdes, thuaj:
“Inna lil’lahi ve inna ilejhi raxhiun!”, “Pa dyshim, ne, të Allahut jemi dhe, pa dyshim, te Ai do të kthehemi!” (Ibni Sa’d, II, 312)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u këndoi, si tërheqje vëmendjeje, shokëve të tij ajetin e mëposhtëm që e pati kënduar në çastet e vështira të Uhudit, kur qenë ngritur zërat e shqetësuar për vdekjen e tij dhe kur ushtria qe gati për t’u shpartalluar:
“Muhammedi është vetëm një i dërguar. Shumë të dërguar kanë ardhur e shkuar para tij. E, tani, nëse ai vdes apo vritet, mos vallë ju do të ktheheni në fenë tuaj të vjetër? E kush kthehet pas, nuk i bën dëm aspak Allahut. Allahu do t’i shpërblejë falenderuesit dhe të vendosurit!” (Al-i Imran, 144)
Atë ditë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i erdhi engjëlli i zbulesës, Xhebraili (a.s.) dhe i tha:
“Paqe ty, o i Dërguari i Allahut! Ky është rasti i fundit që unë shkel në tokë për ty!” (Ibni Sa’d, II, 259)
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) përjetoi ngushëllimin e fjalëve që kishte pasë thënë më parë:
“Shpirti i asnjë pejgamberi nuk merret pa e parë ai që më parë vendqëndrimin e tij në xhennet! Pastaj, shkuarja atje i lihet atij në dorë!” (Buhari, Megazi, 83, 84; Ahmed, VI, 89)
Atë ditë, te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) erdhi Azraili (a.s.) dhe kërkoi leje për të hyrë. Pasi mori leje, qëndroi para Profetit dhe tha:
“O i Dërguari i Allahut! O Ahmed! Allahu i Lartë më dërgoi tek ti. Dhe më urdhëroi t’i bindem çdo fjale tënde. Po qe se dëshiron, do të ta marr shpirtin! Po qe s’dëshiron do të ta lë shpirtin tek ti!”
Xhebraili (a.s.) që ndodhej aty, i tha:
“O i Dërguari i Allahut! Allahun e Lartë e ka marrë malli për ty!”
Atë ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha kështu engjëllit që i kërkoi leje:
“(O Azrail!) Kush ndodhet në lartësinë e Allahut, është i përhershëm e më i dobishëm! O engjëlli i vdekjes! Eja, zbatoje atë për të cilën je urdhëruar, merrma shpirtin!” (Ibni Sad, II, 259; Hejsemi, IX, 34-35; Belazuri, I, 565)
Pastaj njomi duart në enën me ujë që kishte pranë, e fërkoi fytyrën dhe, i mbushur plot me mallin hyjnor, kaloi nëpër portën e jetës duke kënduar Fjalën e Njësisë dhe e dorëzoi shpirtin e nderuar duke e kërkuar Zotin e vet:
“Allahu im! Zoti im i Lartë! Zoti im i Lartë!..”
Dhe dora e bekuar i ra në enën me ujë… (Buhari, Megazi, 83)
I erdhi koha vërtetimit të ajetit të shenjtë të zbuluar vite më parë:
“… (O i Dërguar!) Edhe ti do të vdesësh, edhe ata do të vdesin…” (ez-Zummer, 30)
Pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e dorëzoi shpirtin e tij të nderuar, njerëzit e shtëpisë u mbytën me lot. Në këtë mes u dëgjua një zë ngushëllues, por pa u kuptuar se nga vinte e kush e thoshte:
“Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju!”
Pasi njerëzit e shtëpisë iu përgjigjën zërit po ashtu, ai zë u dëgjua prapë të thoshte:
“Çdo jetë do ta shijojë vdekjen. Në ditën e kiametit, shpërblimi do t’ju jepet pa mangësi. Kush të ketë shpëtuar nga zjarri e të ketë hyrë në xhennet, do të thotë se, pa dyshim, ia ka arritur qëllimit. Jeta e kësaj bote s’është gjë tjetër veçse një përjetim mashtrues!..” (Al-i Imran, 185)
“Dijeni mirë se çdo fatkeqësi ka, tek Allahu, ngushëllimin e vet, çdo i vdekur ka zëvendësuesin e vet, gjithashtu, çdo i vdekur ka shpërblimin e vet! Mbahuni pas Allahut dhe shpresoni prej Tij! Fatkeqi i vërtetë është ai që privohet nga fitimi i mirësisë! Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju!” (Ibni Sa’d, II, 259)
Ibni Omeri (r.anhuma) ka thënë:
“Këto fjalë i dëgjuan të gjithë, ata që ndodheshin në Faltoren Profetike, si dhe në rrugë!” (Belazuri, I, 564)
Hz. Aliu (r.a.) ka njoftuar se ai zë kishte qenë i Hizrit (a.s.). (Ibni Sa’d, II, 260)
Kryezonja e xhennetit, nëna jonë Fatime, u dëshpërua aq shumë nga ndarja e përkohshme e babait të saj të bekuar, Profetit të Mëshirës, saqë tha:
“Me nderimin e botës së amshuar nga Krenaria i Gjithësisë, mbi mua ranë fatkeqësi të tilla, që, po të binin mbi ditët, ato do të bëheshin sterrë si netët!” (Dijarbekri, II, 173)
Gjatë gjashtë muajve jetë të nënës sonë Fatime pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), nuk u pa qoftë edhe një herë të vetme që ajo të buzëqeshte! (Kâmil Mîras, Tecrid Tercemesi, XI, 25-26)
Në përfundim të një sëmundjeje të vështirë me ethe që filloi pas kthimit të tij në Medinë dhe zgjati trembëdhjetë ditë, të hënën më 12 Rebiulevvel të vitit të 11 hixhri (8 qershor 632 e.r.), të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), iu hapën horizontet e bukurisë hyjnore dhe ai i Dashuri i Lartë u bashkua me Shokun e tij të Lartë, me mikun më të madh, Allahun e Lartë!
Sahabet e ndjenin se në dritën e pandryshueshme të diellit që lindte e perëndonte, merrte frymë diçka, ashtu që, pas asaj dite, muezini profetik Bilal Abisinasi (r.a.) nuk këndoi dot edhe një herë tjetër më ezan me atë zërin e tij të bukur që përfshinte qiejt! Sa herë që sahabet i luteshin me këmbëngulje të këndonte ezan, Hz. Bilali, me ta parë se i Dërguari i Allahut nuk ndodhej në mihrab, e mbysnin ngashërimet, zëri i mekej dhe nuk këndonte dot. Dhe, kështu, për të mund ta shuar zjarrin e dashurisë për Profetin që ia përvëlonte shpirtin, u largua nga Medina dhe shkoi në Damask. Ndërkaq, atje, një natë pa në ëndërr të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) që e qortoi:
“Ç’është kjo ndarje, o Bilal? A nuk të erdhi ende koha për të më bërë vizitë mua?”
Dhe Bilali (r.a.) u zgjua i hidhëruar dhe menjëherë u nis për udhë. Ai arriti në Medinë për ta vizituar Varrin e Nderuar të Zotërisë së botëve. Kur po qante para të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe po e fërkonte fytyrën në varrin e tij, i erdhën Hz. Hasani me Hz. Hysenin. Bilali (r.a.) i përqafoi dhe filloi t’i puthte. Dhe, pasi ata i thanë me këmbëngulje se “dëshironin shumë të dëgjonin ezan”, filloi të këndonte ezan. Në atë çast, Medina u trondit! Kur tha “esh’hedu enne Muhammede’r-Resulullah”, të gjithë njerëzit, burra e gra, duke pandehur se i Dërguari i Allahut ishte ringjallur u derdhën rrugëve. Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) nuk kishte ndodhur ndonjë ditë që në Medinë njerëzit të qanin aq shumë! (Ibni Ethir, Usdu’l-Gabe, I, 244-245; Zehebi, Sijer, I, 357-358)
Enes bin Maliku (r.a.) thotë kështu:
“Kurrë s’kam parë ditë më të hijshme e më të bukur se ditën kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) me Ebu Bekrin arritën në Medinë! E pashë edhe ditën kur vdiq i Dërguari i Allahut (s.a.s.)! Gjithashtu, nuk kam parë ditë më të errët, më të keqe e më të papëlqyeshme se atë ditë! Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) hyri në Medinë, çdo gjë e Medinës u ndriçua, kurse ditën kur vdiq, çdo gjë e Medinës u bë sterrë e zezë! Trupin e tij të shtrenjtë e varrosëm dashje pa dashje, pa i besuar vdekjes së tij!” (Ahmed, III, 221, 268, 287; Tirmidhi, Menakib, 1/3618; Darimi, Mukaddime, 14)
Fatkeqësitë dhe ngatërresat pas asaj dite qenë, për muslimanët, një hiç gjë. Se ashtu pati thënë i Dërguari i Allahut (s.a.s.):
“Muslimanët që pësojnë ndonjë fatkeqësi, duke menduar fatkeqësinë që u pati rënë nga vdekja ime, të gjejnë ngushëllim e të durojnë!” (Muvatta, Xhenaiz, 41; Darimi, Mukaddime, 14)
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka porositur kështu:
“Jeta ime është e dobishme për ju: ju bisedoni me mua dhe unë bisedoj me ju! Edhe vdekja ime është e dobishme për ju: punët tuaja më paraqiten mua; kur shoh punët tuaja të mira, e falenderoj Allahun, kurse kur shoh punët tuaja të këqija, i kërkoj falje Allahut për ju!” (Hejsemi, IX, 24)
Siç rrëfen Hz. Aisheja (r.anha), çastet e fundit të të Dërguarit të Allahut qenë vetëm madhërim i Allahut (tesbih, tenzih), pendesë (tevbe) dhe falenderim (hamd). Ai përsëriste herë pas here:
“Subhanallahi ve bi-hamdihi, estagfirullahe ve etubu ilejh: E madhëroj Allahun duke e veçuar prej atributeve që nuk i përshtaten pozitës hyjnore, e lavdëroj dhe e falenderoj! Bëj pendesë për mëkatet dhe i lutem Allahut të më falë!” (Buhari, Ezan, 123, 139; Muslim, Salat, 218-220; Ahmed, I, 392; Ibni Sad, II, 192)
Profeti kishte mes dy shpatullave një shenjë hyjnore të profetësisë së tij. Shumë sahabe, shokë të tij, jetonin me ashkun dhe mallin për ta puthur atë shenjë. Kur i Dërguari i Madh (s.a.s.) emigroi në botën e përjetësisë, në fytyrën e tij të bekuar nuk u duk asnjë ndryshim, kështu që sahabet dyshuan për vdekjen e tij. Atëherë, Esma binti Umejs (r.anha) kërkoi t’ia shihte të bekuarën Vulën Profetike në shpinë. Vula ishte zhdukur! Dhe u kuptua se me të vërtetë ai e kishte nderuar botën e përjetësisë!401
Pas vdekjes, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk la as ndonjë para, as ndonjë skllav a shërbëtor. Prej tij mbeteshin pas vetëm një mushkë e bardhë shale, një armë lufte si dhe parcelat Fedek dhe ajo në Hajber që i dhuroi për udhëtarët.402
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) vdiq ditën e hënë dhe u varros të martën. Njerëzit ia falën namazin e të vdekurit individualisht, ashkush nuk bëri detyrën e imamit. Disa thanë që të varrosej pranë minberit në faltore, kurse disa të tjerë, në varrezën e Medinës. Erdhi Hz. Ebu Bekri (r.a.) dhe tha:
“Ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) të thotë se “çdo pejgamber varroset aty ku vdes”!
Atëherë, varri i hap aty ku vdiq, në dhomë.403
Kur deshën ta lanin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), deshën t’ia hiqnin këmishën. Atëherë dëgjuan një zë që u tha: “Mos ia hiqni këmishën!” Kështu që, e lanë me këmishë.404
Abdullah bin Mes’ud (r.a.) thotë kështu:
“Pejgamberi dhe i dashuri ynë na lajmëroi një muaj përpara se do të vdiste. Ne e pyetëm:
“O i Dërguari i Allahut, kush ta falë namazin tënd?”
Dhe qamë. Edhe ai qau dhe na porositi:
“Mos u ngutni! Allahu ju mëshiroftë! Dhe jua shpërbleftë me të mirë për profetin tuaj! Pasi të më lani dhe qefinosni, më vendosni mbi këtë shtrat dërrase ose në anë të varrit të hapur brenda kësaj dhome! Pastaj dilni dhe lërmëni vetëm për një farë kohe, sepse mbi mua në fillim do të falen dy miqtë e mi, Xhebraili dhe Mikaili, pastaj Israfili, pastaj engjëlli i vdekjes me ushtrinë e engjëjve! Pas kësaj, hyni ju pjesë-pjesë, faluni dhe lutuni për mua për paqe e mëshirë! Vetëm mos më shqetësoni duke më lavdëruar e duke thirrur e bërtitur!
Në fillim të fillojnë të falen meshkujt e shtëpisë sime dhe, pas tyre, gratë e tyre! Pas tyre faluni ju!
Përshëndetini sahabet që nuk ndodhen këtu! Përshëndetini edhe ata që, gjer ditën e kiametit ndjekin fenë time!” (Hejsemi, IX, 25; Ibni Sa’d, II, 256-257)
U vepruar ashtu siç porositi i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Hz. Aliu (r.a.) tha:
“Askush të mos formojë dyshim se a mund të falet namazi i të vdekurit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) pa imam! Ai ka qenë imami ynë në të gjallë, ai do të vazhdojë të jetë imami ynë edhe pas vdekjes!”
Dhe, duke qëndruar në këmbë në nivelin e trupit të Profetit, lutej:
“O i Dërguari i Allahut! Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ty!
Allahu im! Dëshmojmë se Ai i ka kumtuar ato që i janë zbritur dhe se e ka këshilluar ummetin, bashkësinë, dëshmojmë se ka luftuar në udhën e Allahut gjersa Allahu e bëri sunduese fenë e vet dhe e plotësoi fjalën e vet!
Allahu im! Bëna ne ndjekës të gjërave që i zbrite atij! Dhe jepna qëndresë pas tij në këtë rrugë! Dhe bashkona me të!”
Kurse xhemaati e miratonte: Amin! Amin! Ashtu qoftë!” (Ibni Sa’d, II, 291)
Ç’lumturi për atë dhé që e ruan Zotërinë e Botëve në gjirin e vet! Sa bukur e shpreh poeti këtë:
Ai Resuli i zgjedhur është dhe për botët mëshirë,
Toka u krenohet qiejve: “Tek unë ndodhet shtrirë!..”
Ia vizitoi varrin dhe tha kështu Xhebraili i mirë:
“Këtu, xhenneti i Adnit; hyni për të mbetur përherë!..”
Edhe M. Raif Bej e shpreh me këtë dyvargsh të bukur zilinë e qiellit ndaj dheut:
O fytyrëdiell, me ta parë dheun të stolisur me ty, qielli
Thënka, “eh, sikur të kisha qenë dhé”(en-Nebe, 40) me zili…
Feja u përsos, sahabet e vërtetuan personalisht se Profeti e kishte kumtuar fenë dhe dëshmia e tyre iu paraqit Zotit. Pastaj, Drita e Ekzistencës (s.a.s.) u thirr në botën e përjetësisë. Tani e pret ummetin, bashkësinë e tij, në ringjallje, në sirat dhe në hauzin Keuther.
Të përgjërohemi, o i Dërguari i Allahut!
Na eja në ndihmë, o i Dërguari i Allahut!
Ndërmjetëso për shpëtimin tonë, o i Dërguari i Allahut!
Profeti lindi dhe e nderoi botën më 12 Rebiulevvel, ditën e hënë. Pastaj, më 12 Rebiulevvel, ditën e hënë, iu dha nga Allahu detyra profetike. Ebu Katade rrëfen kështu:
“Profetin e pyetën për agjërimin e ditës së hënë dhe ai iu përgjigj:
“Kjo është dita kur kam lindur unë dhe dita kur jam dërguar si profet…” (Muslim, Sijam, 197-198)
Ishte përsëri mëngjesi i të hënës së datës 12 Rebiulevvel kur ai hyri në Medinë ku themeloi shtetin islam që do të vazhdojë gjer në kiamet. Dhe, më në fund, përsëri të hënën më 12 Rebiulevvel, ndërroi jetë duke kaluar në botën e përjetësisë. Tani ai e pret atje me dhembshuri ummetin, bashkësinë e vet, për të ndërmjetësuar për falje.
Pabesinë e kësaj bote të mbetur pa të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) pasi ndërroi jetë, Hz. Aziz Mahmud Hydaji e përshkruan me këto vargje:
Kush e pret prej teje besën,
Botë e rreme, a s’je ti?
Muhammed Mustafanë
Profet, a s’e more ti?
Hidhërimi që përfshiu gjithësinë
Kur vdiq i Dërguari i Allahut (s.a.s.), Hz. Fatime (r.anha) e qau me këto vargje:
Ti që s’ke tjetër më të afërt se veten, o im atë!
Ti që iu përgjigje ftesës së Zotit tënd, o im atë!
Ti që e ke vendin në xhennetin Firdes, o im atë!
Ti, që vdekjen tënde ia thamë Xhebrailit, o im atë!
Dhe pas varrimit të Profetit, i tha kështu Enesit (r.a.):
“O Enes, si ju bëri zemra të hidhni dhé mbi trupin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)?” (Buhari, Megazi, 83; Darimi, Mukaddime, 14)
Enesi (r.a.) nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje për respekt, por, me qëndrimin e tij, tha: “Jo, Fatime, zemra s’na e deshi aspak, por ne e bëmë këtë punë të detyruar, sipas urdhrit të të Dërguarit të Allahut!” (Kâmil Mîras, Tecrid Tercemesi, XI, 25)
Për shkak të vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), muslimanët në faltore filluan të qajnë. Në këtë mes, ndërhyri Hz. Omeri (r.a.) që filloi dhe vazhdoi të flasë si më poshtë, i nervozuar, aq sa filloi t’i dilte shkumë goje:
“Të mos dëgjoj askën të thotë se Muhammedi vdiq, përndryshe, ia këpus qafën me këtë shpatë! I Dërguari i Allahut është mpakur ashtu siç qe mpakur Musai!..”
Me ta marrë lajmin e hidhur, Hz. Ebu Bekri (r.a.) i hipi kalit dhe arriti në Medinë. Ia hapi fytyrën Profetit, ra mbi të, e puthi në ballë duke qarë dhe tha:
“Vallahi, i Dërguari i Allahut paska vdekur! Inna lil’lahi ve inna ilejhi raxhiun, pa dyshim, ne, të Allahut jemi dhe, pa dyshim, te Ai do të kthehemi! Babë e nënë t’u bëfshin fli! Betohem në Allahun se Allahu kurrë s’do të të bëjë të shijosh hidhësirë vdekjeje dy herë! Ti ke vdekur një herë dhe e ke kapërcyer kalimin e pashmangshëm të vdekjes! Pas kësaj, për ty nuk ka më vdekje! Mjerë unë për ty, o profeti im!”
Dhe, duke u përkulur, e puthi në ballë. Pastaj, duke e ngritur kokën, tha sërish: “Mjerë për mua, o miku im!” Dhe sërish e puthi në ballë Zotërinë e Botëve!
Pastaj tha: “Mjerë për mua, o i zgjedhuri im!” Dhe e puthi në ballë!
Pastaj ia mbuloi fytyrën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) duke thënë: “Edhe i gjallë ishe i bukur, edhe pas vdekjes je i bukur! Edhe jeta, edhe vdekja jote qenë të bukura!” Dhe doli jashtë.
Omeri (r.a.) vazhdonte të thoshte se Profeti nuk ka vdekur! Kurse Hz. Ebu Bekri i tha:
“Mjaft, ulu tani, Omer!”
Hz. Omeri nuk deshi të ulej. Hz. Ebu Bekri e përsëriti fjalën tri herë dhe filloi të flasë:
“Allahu i Lartë pati njoftuar për vdekjen e Profetit kur ai ndodhej ende mes jush. Ai pati njoftuar se edhe ju keni për të vdekur (kur t’ju vijë vdekja). I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka vdekur! Edhe nga ju, askush s’ka për të mbetur gjallë! Kush e adhuron Muhammedin, ta dijë se Muhammedi ka vdekur! Dhe kush t’i falet Allahut, ta dijë se, pa asnjë dyshim, Allahu është i gjallë e i pavdekshëm! Allahu i Lartë ka urdhëruar:
“Muhammedi është vetëm një i dërguar. Shumë të dërguar kanë ardhur e shkuar para tij. E, tani, nëse ai vdes apo vritet, mos vallë ju do të ktheheni në fenë tuaj të vjetër? E kush kthehet pas, nuk i bën dëm aspak Allahut. Allahu do t’i shpërblejë falenderuesit dhe të vendosurit!” (Al-i Imran, 144)
Pasi e dëgjuan këtë ajet, njerëzit e kuptuan mirë, më në fund, se Profeti (s.a.s.) kishte vdekur. Aq ishin turbulluar, saqë dukej sikur s’e dinin se ky ajet kishte zbritur, gjersa Hz. Ebu Bekri (r.a.) e këndoi gjer në fund!
Hz. Omeri (r.a.) thotë:
“Vallahi, isha sikur të mos e kisha dëgjuar kurrë më parë këtë ajet gjer atë ditë! Kur e dëgjova nga Ebu Bekri, më zuri tmerri! Nuk po më mbanin këmbët! M’u prenë gjunjët dhe u shemba përtokë aty për aty!” (Ibni Sa’d, II, 266-272; Buhari, Megazi, 83; Hejsemi, IX, 32; Abdurrezzak, V, 436)
Pas fjalëve të Hz. Ebu Bekrit, Hz. Omeri u përkul dhe e puthi të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) në ballë. Dhe, duke qarë, i thoshte kështu:
“Babë e nënë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Trungu i hurmës ku mbështeteshe pati nisur të qante kur pate bërë minber për t’u ngjitur dhe pate qenë larguar prej tij, pastaj, pati pushuar së qari kur i pate vënë dorën mbi të! Kurse ummeti yt është më i denjë për të qarë për ndarjen prej teje!
Babë e nënë të qofshin fli, o i Dërguari i Allahut! Duke urdhëruar:
“Kush i bindet të Dërguarit të Allahut, i është bindur Allahut…” (en-Nisa, 80),
Zoti yt e ka quajtur bindjen ndaj teje si bindjen ndaj atij vetë, duke ta ngjitur gjer në gradën më të lartë epërsinë teje pranë Tij!
Babë e nënë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Megjithëse të dërgoi të fundit, Allahu, duke marrë premtim nga pejgamberët e mëparshëm se do të të besonin dhe do të të ndihmonin,405 ta ka ngjitur gjer në gradën më të lartë vlerën tënde pranë Tij!
Babë e nënë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Malli për bindjen ndaj teje nga njerëzit e xhehennemit duke thënë:
“… Mjerë ne! Eh, sikur t’i ishim bindur Allahut, t’i ishim bindur të Dërguarit!” (el-Ahzab, 66),
e ka ngjitur në gradën më të lartë virtytin tënd në lartësinë e Allahut!” (Kastallani, el-Bidaje, V, 256)
Nëna jonë, Ummu Seleme (r.anha) tregon kështu:
Atë ditë kur vdiq i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ishim mbledhur rreth tij e po qanim. Atë natë s’kishim fjetur. Të Dërguarin e Allahut e kishim në shtëpi. E shihnim dhe ngushëlloheshim. Por kur në të zbardhur dëgjuam goditjet e kazmave, nisëm të klithnim. Edhe xhemaati në faltore nisën të bërtasin e të klithin. Medina u trondit me një klithje të vetme! Sidomos qarja me ngashërime e Bilalit duke e përmendur emrin e të Dërguarit të Allahut duke thënë “eshhedu enne Muhammede’r-Resulullah”, na e shtoi edhe më shumë dëshpërimin. Kur njerëzit sulmuan nga jashtë për të hyrë brenda ku ndodhej varri, ata që ndodheshin brenda e mbyllën derën. Ç’fatkeqësi e vështirë qe ajo! Më vonë, çfarëdo e keqe të na ngjiste, nuk i jepnim rëndësi tek kujtonim vdekjen e të Dërguarit të Allahut!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, V, 256)
Ndarja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) u erdhi shumë e rëndë sahabeve. Sepse e donin atë më shumë se çdo gjë dhe më shumë se çdokush. Prandaj, mes sahabeve kishte nga ata që nuk e donin syrin që nuk e shihte Atë, veshin që nuk e dëgjonte Atë, jetën që nuk e jetonte Ai! Këtë gjendje shpirtërore të tyre, Profeti e pati bërë të ditur qysh më parë:
“Betohem në Allahun që ka në dorë frymën e Muhammedit, se do të vijë një ditë që s’keni për të më parë më mua dhe, atëherë, për dikë nga ju do të jetë më e pranueshme dhe më e kënaqshme se familja dhe pasuria e vet, ta shohë veten bashkë me mua!” (Muslim, Fedail, 142; Buhari, Menakib, 25)
Dhe ata e mbyllën jetën duke pritur ditët kur do të bashkoheshin me të Dërguarin e Allahut dhe do ta shihnin përsëri Zotërinë e Botëve!
Hz. Osmani (r.a.) tregon kështu:
“Pas vdekjes së Profetit (s.a.s.), nëse ishte dikush nga sahabet që ishte hidhëruar më shumë për vdekjen e tij, ai isha unë. Edhe të tjerët ishin hidhëruar, madje, pati të tillë që, nga dëshpërimi, ranë në lëkundje e dyshim. Ndërsa po rrija nën hijen e një kalaje, pranë më kishte kaluar Omeri (r.a.) dhe më kishte dhënë selam, kurse unë, nga hidhërimi, s’e kisha vënë re as kalimin e tij, as selamin, përshëndetjen e tij! Omeri kishte shkuar te Ebu Bekri dhe i kishte thënë:
“Isha te Osmani dhe i dhashë selam, por nuk ma pranoi! A ka gjë më të çuditshme se kjo?”
Atëherë, më erdhën së bashku dhe më dhanë selam. Ebu Bekri më tha:
“Vëllai Omer më erdhi e më tha se të kishte dhënë selam, por ti s’ia kishe pranuar. Cili është shkaku i kësaj?”
“Unë s’kam bërë një gjë të tillë!” – U thashë.
“Vallahi, kështu bëre!” – U hodh e tha menjëherë Omeri.
Edhe unë iu përgjigja:
“Vallahi, unë as që e di se ke kaluar këtej dhe më ke dhënë selam!”
Fjalën e mori Ebu Bekri që tha:
“Osmani thotë të drejtën!” (Ahmed, I, 6)
Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Hz. Ebu Bekri i tha Omerit (r.a.):
“Ngrihu të shkojmë te Ummu Ejmeni, njeriu më i afërm i Profetit, dhe ta vizitojmë!”
Kur shkuan te Ummu Ejmeni (r.anha), ajo filloi të qajë. Ata i thanë:
“Pse qan? A nuk e di se, për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), dhuntitë pranë Allahut janë, sigurisht, më të dobishme?”
Ummu Ejmeni u tha:
“Unë nuk qaj për këtë. Unë e di se, dhuntitë pranë Allahut janë, sigurisht, më të dobishme për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.)! Unë qaj për ndërprerjen e vahjit!”
Ky mendim i hollë i saj i preku Ebu Bekrin dhe Omerin (r.anhuma). Edhe ata filluan të qajnë bashkë me Ummu Ejmenin! (Muslim, Fedailu’s-Sahabe, 103)
Një natë, kur Omeri (r.a.) përsillej nëpër sokakët e qytetit për të bërë kontroll, pa se në një shtëpi digjej kandili. Kur iu afrua shtëpisë, dëgjoi që një plakë edhe tirrte lesh, edhe recitonte një vjershë me këtë kuptim:
“Paqja dhe lutja e njerëzve të mirë qofshin për Muhammedin (s.a.s.)! O i Dërguari i Allahut! Ta paçin zili gjithë njerëzit e zgjedhur! Ti gjatë natës faleshe, kurse në të zbardhur qaje. Mirëpo vdekje i afrohet secilit hap pas hapi. Eh, sikur ta dija: a do të më bashkojë mua me të dashurin (Pejgamber) jeta e pasme, ahireti?”
Omeri (r.a.) ndenji pak e qau. Pastaj trokiti në derë. Plaka pyeti se kush ishte.
“Omer bin Hattabi!” – Iu përgjigj ai.
“Ç’punë ka Omeri me mua, ç’kërkon në këtë orë?” – Pyeti plaka me dyshim.
“Për hir të Allahut, hape derën, mos ki frikë!” – I bëri zë Omeri. Dhe, pasi plaka ia hapi derën, Hz. Omeri i tha:
“Thuaje edhe një herë vjershën që e the pak më parë!”
Plaka e tha vjershën sërish. Kur arriti te vargu i fundit, Omeri (r.a.) i tha:
“Të lutem të më merrni edhe mua mes jush!”
Dhe plaka e ndryshoi vjershën kështu:
“Eh, sikur ta dija: a do të na bashkojë ahireti mua, të dashurin tonë dhe Omerin? Allahu im që je falës i madh, fale Omerin!”
Dhe Omeri (r.a.) u kthye i kënaqur! (Ali el-Muttaki, XII, 562/35762)
Enesi (r.a.) thoshte dhe qante:
“Nuk ka natë që të mos e shoh në ëndërr të dashurin (Profetin) tim!” (Ibni Sa’d, VII, 20)
Ashtu siç vërehet në shprehjet gjer këtu, kur flisnin për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), sahabet përdornin shprehje të posaçme emocionante dhe entuziaste, si habibi, i dashuri, halili, miku, përmes së cilave shprehnin dashurinë e tyre të thellë.406
Duke u lutur për paqe e mëshirë për të, ata tregonin dashurinë, afërsinë dhe besnikërinë e tyre ndaj atij Profeti të lartë. Por ata nuk e kujtonin vetëm me lutje për paqe e mëshirë, pra, ashtu siç thuhet, me salat dhe selam. Ata e kujtonin vazhdimish të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) duke ndjekur rrugën e tij, duke bërë sipas sunnetit të tij dhe duke diskutuar hadithet, porositë e tij.
Ebu Dheri (r.a.) thotë:
“Vallahi, duke shtegtuar për në ahiret, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) na pati lënë në një gjendje të tillë që, po të përplaste një zog krahët në qiell, kjo lëvizje e zogut do të na sillte ndërmend një hadith të tij! Sepse Zotëria i Botëve na pati thënë: “Juve ju janë shpjeguar të gjitha gjërat që afrojnë në xhennet dhe largojnë prej xhehennemit!” (Ahmed, V, 153, 162; Hejsemi, VIII, 263)
Gjithashtu, të gjithë muslimanët e kanë për detyrë fetare ta duan të Dërguarin e Madh (s.a.s.) më shumë se çdo gjë tjetër dhe më shumë se çdokënd tjetër në botë, të parapëlqejnë urdhrat dhe ndalimet e Tij ndaj dëshirave të veta dhe të ndjekin të gjitha fjalët dhe veprimet e Tij!