Xhafer Durmush

Po. Ky shembull është për të gjithë, sepse ky është tregimi i një mashtrimi. Ky është lajmi në lidhje me Bel’am bin Bauran… Sipas transmetimeve që jepen në literaturën e tefsirit, Bel’ami kishte jetuar në kohën e Musait, alejhi’s-selam dhe ishte prej dijetarëve të Beni Israilëve. Ai kishte dije të gjerë rreth shpalljes së Allahut Teala dhe ishte njeri i hakikatit, por i besonte dijes më shumë se çdo gjëje dhe pandehte se ajo e mbronte nga gabimet. Ndërkohë që ishte njeri i dashur te Allahu dhe i pranohej lutja, në një çështje e kundërshtoi pejgamberin e Tij. U mashtrua prej disa dredhive dhe u lut keq për të. Ai këmbënguli në këtë gabim dhe e teproi. Allahu Teala thotë:

“…Shembuj të tillë Ne ua japim njerëzve, që ata të meditojnë.” (Hashr, 21.) Ndërsa në surel el-A’raf, Mëshiruesi flet për shembullin e Bel’amit, duke e shfaqur me një përngjasim spikatës:

“Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun, të cilit Ne i mësuam shpalljet Tona, por u largua prej tyre. Kështu, djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit.” (A’raf, 175.)

“Sikur të donim, do ta ngrinim atë (me shpalljet Tona), por ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pas dëshirave të veta. Shembulli i tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjek, ai të nxjerr gjuhën, nëse largohesh, ai përsëri të nxjerr gjuhën. Ky është shembull i njerëzve, që mohojnë shpalljet Tona. Tregojua atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.” (A’raf, 176.)

Kur lexojmë këto ajete, tabloja që përshkruan pikat kryesore të mësipërme, pothuajse vjen para syve tanë: Mendojmë një njeri që i besoi Allahut Teala. Si rezultat, i Plotfuqishmi ia lehtësoi atij pasimin e Pejgamberit. Të gjitha veprat që bëhen për hir të fesë, janë nga një nder më vete. Këtij personi iu dha mundësia të bënte veprat më të mira. Atij iu dha dija dhe urtësia. Iu dha mundësia për të qenë pranë profetit të kohës së tij. Por ai nuk ua diti vlerën gjithë këtyre. Gjërat që ia dha Allahu Teala, filloi t’i shndërronte në gjëra të pavlefshme. Ai iu bind shejtanit, edhe pse e dinte të vërtetën dhe të gabuarën. U dha pas pasioneve dhe u bë prej të devijuarve…

I ndjeri Hamdi Jazëri, e komenton kështu fjalinë në krye të historisë: “Njoftoi ata për historinë e këtij njeriu të poshtër. Atij i patëm dhënë argumentet tona. Ai pati dije dhe ndershmëri, por i la të gjitha këto. Shejtani e bëri t’i nënshtrohej dhe ai devijoi nga rruga e drejtë…”

Kur mendojmë: “Si mund ta bëjë këtë ai që i beson Allahut dhe ahiretit? Si mund të mashtrohet pas dëshirave të përkohshme, edhe pse e di të vërtetën?” Përsëri në ndihmë na vjen shpjegimi i të ndjerit Elmallëllë: “Domethënë, vullneti hyjnor nuk deshi që ai të qëndronte i fortë në të vërtetën, kështu që u la në gjendjen e tij dhe u bë prej atyre që i binden shejtanit.”

Ja, pikërisht atëherë i luteni Allahut përsëri dhe i thoni: “O Zot! Mos na lër të mbështetemi te vetja jonë, qoftë edhe sa hap e mbyll sytë!”

Dashuria ndaj Kuranit rritet përsëri në zemrat tuaja dhe thoni: “Ja, kjo ishte.” Kjo duhet të jetë mënyra koncize e Librit të Lartë që qetëson zemrat e besimtarëve… Atyre nuk u jep detajet e ngjarjes, por esencën e saj. I trondit me shembullin më spikatës, i inkurajon që të pyesin veten dhe i mëson të kuptojnë gjërat që ndodhin rreth e rrotull tyre.

Mendoni: Gjendja e atij që i ndërron virtytet fetare me interesat e kësaj bote, përngjasohet me gjendjen më të keqe të qenit…

Nga shpjegimi i mësipërm mësojmë se synimi i kësaj historie nuk është përkufizimi i personit, i cili përbën temën e saj, por përshkrimi i gjendjes së tij dhe informimi i të gjithë njerëzve, në mënyrë që të marrin mësim nga ai shembull. Themi shembull për të gjithë njerëzit, sepse Kurani Fisnik, e shëmbëllen gjendjen e këtij njeriu të tillë me një gjendje të pështirë, e cila nuk gjendet te asnjë kafshë tjetër në tokë përveçse te qeni…

“Shembulli i tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjek, ai të nxjerr gjuhën, nëse largohesh, ai përsëri të nxjerr gjuhën.”

Grada e atij njeriu, që u jep përparësi dëshirave të tij ndaj vlerave të larta të fesë së Allahut, është grada më e ulët e poshtërimit, sepse nuk ka gjë më të keqe sesa të shkëmbesh me këtë botë dijet e vërteta fetare pasi i ke mësuar ato. Ja pra, gjendja e atij apo e atyre që i përgënjeshtrojnë argumentet e Zotit, i ngjan asaj që thamë më sipër. Fundi i tyre është i keq, po ashtu edhe çdo aspekt i jetës së tyre, që i ka mbartur ata te ai fund… Sepse ata përpëliten në detin e një pasioni që ua merr frymën…

Mistikët e kanë shfaqur gjendjen e Bel’am bin Bauras, që jepet si shembull në ajet, si modelin më të qartë të atyre që devijojnë për shkak të mendjemadhësisë dhe dëshirave të kësaj bote. Për sa i përket përngjasimit me “qenin”, kanë thënë se ai përfaqëson nefsu’l-emmaren. Sepse qeni këtu përfaqëson dhënien pas pasioneve dhe epsheve, për të cilat bëhet fjalë. Po ashtu, përfaqëson edhe pasionet e shpresat që nuk kanë fund.

Lajkatimi i qenit, pandershmëria e tij dhe shkuarja pas një cope kocke të pavlerë, tregojnë poshtërsinë, apo me fjalë të tjera, gradën më të fundit të poshtërsisë…

Shpjegimi i ajeteve të mësipërme në Ruhu’l-Bejan është kështu: “Besimtari i vërtetë, edhe nëse arrin gradat më të larta, përsëri nuk mund të jetë i sigurt nga kurthi i Allahut. Asnjëherë nuk mund t’ia mbyllë vetes rrugët e përpjekjes dhe nuk neglizhon për të kundërshtuar veten e dëshirat e tij.” Kështu ishte edhe gjendja e hulefai rrashidinëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), e sahabëve, e selefu’s-salihin, e imamëve dhe e shehlerëve të vërtetë.

Share.

Leave A Reply